Por, ajo që vlen të theksohet me këtë rast është reformat, të cilat
inicioi Libia si vend nikoqir i Samitit të fundit që u mbajt në Sirt
gjatë muajit mars. Për këtë ditë më pare në Tripoli të Libisë u mbajt
mini samiti, ku merrnin pjesë liderët Libisë, Egjiptit, Irakut, Katarit
dhe Jemenit. Në qendër të bisedimeve ishin konkluzat e Samitit të fundit
për reformimin e Ligës Arabe, organizmave kryesore të saj, shtimin e
një samiti konsultativ vjetor në selinë e Ligës, përveç samitit të
rregullt si dhe emri i Sekretariatit të Përgjithshëm shndërrohet në
Komisariat. Bisedimet u përqendruan në dy ide: e para, të cilën e
përfaqësonte Libia, kishte të bënte me formimin e Unionit Arab si dhe
hartimin e statusit të ri dhe e dyta, të cilën e përfaqësonte Egjipti,
reformimin gradual, kurse emri të mbetet ai që është, por ndryshimi i
tij të bëhet pasi të bëhen reformat e kërkuara.
Menjëherë pas mini samitit të Tripolit në imediat arabe u paraqiten
analizat dhe vlerësimet për rolin e Ligës Arabe dhe rëndësinë e saj
gjatë periudhës 65 vjeçare të ekzistimit të saj. Liga Arabe
konsiderohet prej organizatave më të vjetra rajonale në atë pjesë të
botës. Në atë kohë shtete themeluese ishin shtatë (Egjipti, Siria,
Iraku, Jordani, Libani, Arabia Saudite dhe Jemeni. Numri i vendeve
anëtare prej asaj kohe u trefishua e sot ajo numron 22 vende anëtare.
Vlen të theksohet se Liga Arabe u themelua disa muaj para formimit të
Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Shumica dërrmuese e analistëve arab nuk janë të kënaqur me
kontributin e Ligës Arabe në realizimin e aspiratave të popujve arabë.
Ata pohojnë se përçarjet vazhduan por edhe u rriten. Kauza e tyre
qendrore, çështja palestineze nuk lëviz nga vendi, por më tepër, ajo u
kthye prej konfliktit arabo-izraelit në konflikt palestinezo-palestinez.
Çështja arabe ditë e më tepër po keqësohet. Qytetari arab nuk
preokupohet vetëm me çështjen palestineze, por ai për çdo mëngjes qanë
viktimat në Irak, në Somali ku anarkia po mbretëron qe më shumë se 20
vjet dhe nuk po shihet se ka shpresë të dilet nga ky rreth vicioz. E
njëjta gjë vlen me Jemenin si dhe kohëve të fundit edhe me Sudanin.
Një numër tjetër i analistëve ka mendim tjetër për rolin dhe
kontributin e Ligës Arabe. Ata mendojnë se Liga Arabe nuk ka të bëjë
vetëm me aspektin politik, por veprimtaria e saj shtrihet edhe në
aspekte tjera si: ekonomik, shoqëror, kulturor, edukativ etj. Këtë
veprimtari ajo e zhvillon nëpërmes organizatave të specializuara si:
Komisioni i përbashkët ekonomik Arab, Organizata Arabe për Edukim,
Kulturë dhe Shkencë, Organizata e Vendeve Arabe për Prodhimin e naftës,
Unioni i bizinismenve arabë etj. Këto janë rezultate të mëdha, të
cilat mbeten nën hije për shkak të dështimeve politike, pohon ky grup.
Është koha e fundit, ashtu siç pohon edhe diplomati nga Xhibuti,
Dijaudin Seid, që Liga Arabe të bëjë reformat e duhura, por jo që ato të
jenë formale, por përmbajtësore në pajtim m kohën në të cilën jetojmë,
Bashkimi Evropian mund të jetë shembulli më i mirë.
Diplomacia kosovare duhet të tregoj interesim më të madh për këtë
pjesë të botës, në veçanti pas shpalljes mendimit këshill dhënës të
GJND-së, sepse shumë qeveri të asaj bote para popujve të tyre janë
arsyetuar se ato janë në pritje të tij. Liga Arabe përfaqëson 22
shtete, një popullatë prej 340 milionëshe që shtrihet në një sipërfaqe
prej 14 milionë km.2. me resurse të mëdha natyrore, me të cilat na
lidhin shumë gjëra të përbashkëta nga e kaluara largët, por edhe nga e
tashmja. Andaj, kontaktet me ato vende do të jenë në interes jo vetëm të
njohjes së Kosovës, por edhe në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale
në mes popujve tanë.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së
portalit www.forumirinorislam.com