Shpesh më bëhet se për asgjë nuk kam kohë, se çdo ditë e kaloj në një
ngutje të pafundme, se çdo javë e përcjell me ndjenjën se ajo nuk ka
pasur shtatë ditë, por më pak se aq, se pas gjithë asaj ngutjeje nuk kam
arritur askund. Apo edhe të filloj të dyshoj mos vallë më janë
ngatërruar ditët. Por, gabim nuk ka: aty është edhe dita kur duhet ta
dorëzoj shkrimin e javës për gazetën “Koha Ditore”, aty janë edhe ditët e
tjera të mbushura me obligimet për të cilat më paguajnë, si edhe ato që
i harxhoj me gazetarë që kërkojnë ndonjë deklaratë, apo intervistë. Ka
kohë që unë vazhdoj të pyetem se kush m’i vjedh ditët, kush m’i shkurton
javët e i bën ato të më zgjasin vetëm shtatë orë, kush m’i grabit muajt
që më ngjasojnë sa një ditë e vetme. Dhe duke menduar për këtë, drejtoj
shikimin nga ekrani televiziv dhe përnjëherë ndërmendem se ka orë të
tëra që jam kthyer në shtëpi, por aty nuk i shoh as fëmijët, as gruan.
Më shoqërojnë vetëm zërat që vijnë nga ekrani televiziv ku debatuesit
acarohen, i përfshin një entuziazëm i paparë, i barabartë me atë të
politikanëve që i mbrojnë, apo i kritikojnë. Duke dëgjuar britmat e
debatuesve, unë përnjëherë e kuptoj se ajo është e mbrëmja e së enjtes,
nata kur thuajse në të gjitha TV-të e Shqipërisë debatohet në tema të
ndryshme, por me debatuesit e njëjtë. Dhe përnjëherë nuk mendoj më për
kohën që më kalon aq shpejt, as për tekstin që më pret ta shkruaj, por
hamendem se vallë ka ende shikues që mund të jenë aq të pamëshirshëm
ndaj kohës që u takon, e atë ta harxhojnë duke dëgjuar debate të tilla.
Përgjigjen e kësaj pyetje ma jep im bir, i cili, kur e pyes si e ka
kaluar ditën, më lutet që të mos e shqetësoj përderisa me vëmendje
dëgjon ata që ofrojnë zgjidhje për “krizat politike shqiptare”, e të
cilët një natë më parë, në një studio tjetër, debatonin për “shumimin e
lepujve”.
Më në fund çohem, shkoj në dhomën time të punës, e mbyll
derën dhe shtegtoj në botën time që ka kufij të caktuar, të pakalueshëm
për anëtarët e tjerë të familjes. Me çka, jam aty, por i padukshëm dhe i
largët për të tjerët, po aq sa edhe ata nga unë, sa edhe familjarët
tjerë që janë mbyllur në dhomat e veta, e me të cilët na ndan nga një
mur në mes, por në të vërtetë jemi të largët aq sa edhe botët në të
cilat jetojmë. E unë ulem pranë tavolinës sime me po të njëjtën ndjenjë
që nuk më shkëputet, se ne të pestit, që jetojmë nën atë kulm, gjithnjë e
më rrallë komunikojmë mes vete, gjithnjë e më rrallë qeshemi apo
ankohemi. Mbase shkaku se ne edhe nuk jetojmë me atë që kemi pranë, por
me botën që na ofrojnë kufjet në vesh apo ekrani televiziv dhe ai i
kompjuterit. Pra, të gjithë ne, banorët e asaj shtëpie, e jetojmë
vetminë tonë të shoqëruar nga zhurma dhe pamjet të cilat na vijnë nga
larg, që mund t’i kontrollojmë me telekomandë apo me tastierën e
kompjuterit, ne jetojmë të shoqëruar nga zhurma dhe pamjet që na mësojnë
të ndahemi edhe nga njerëzit më të afërt që kemi, duke na ushqyer me
iluzionin se e kemi mposhtur vetmin dhe se jemi të vetëmjaftueshëm.
Zhurmë dhe pamje që na pamundësojnë të kënaqemi me atë që jemi dhe atë
që kemi dhe që na çojnë të lakmojmë tjetërsimin tonë. E me çka, vetmia
bëhet edhe më shkatërrimtare, ajo na mposht, na bënë t’i ngjajmë njeriut
që ka dhunti, që ka dëshirë për të jetuar, por pa vetëdije, të gjitha i
ka flijuar dhe është bërë murg i përjetshëm i mbyllur në Manastirin e
Teknologjisë.
Dhe përderisa e ndez kompjuterin që të kontrolloj
postën elektronike dhe përderisa ai i “zgjon” nga gjumi të gjitha
programet e veta, unë gjithnjë e më bindshëm e ndiej se në atë shtëpi
është mbyllur fort dera e komunikimit mes nesh, se nga dita në ditë,
gjithnjë e më pak kemi çka t’i rrëfejmë njëri-tjetrit. Në dhomën time të
punës nuk kam vetëm kompjuterin dhe raftet me libra. Aty është vendosur
edhe një pjesë e së kaluarës sime dhe e familjes që më rriti dhe më
drejtoi rrugës së plakjes. Pra, aty kam makinën e vjetër të shkrimit,
disa enë të bakërta, në të cilat dikur gatuante nëna ime, gramafonin e
vjetër që me aq mburrje e solla para shumë dekadash nga Gjermania, si
edhe qindra pllaka gramafoni të blera anembanë botës. Mbi tavolinën e
punës kam vënë edhe telefonin fiks familjar, i cili tani më askujt nuk i
shërben, sepse që moti nuk ia kemi dëgjuar cingërimën dhe askush nuk na
kërkon më në atë numër. Unë edhe nuk besoj se ndonjë nga të afërmit,
apo miqtë tanë, ende e mban mend numrin e tij. Andaj, shpeshherë, për
t’u bindur se nuk i është ndryshkur zilja, e formoj numrin e tij në
celulari që kam dhe e dëgjoj cingërimën që më bëhet si e ardhur nga
thellësitë e një kohe tjetër, si jehonë e gëzimit të largët kur shtëpia
jonë e dikurshme u lidh me botën dhe kur prindërit e mi, më në fund,
mund të bisedonin me motrat e tyre që i kishim larg në Turqi. Dhe më
bëhet se e shoh babin si i rrotullon ngadalë numrat, pastaj si
kujdesshëm e afron kufjen pranë veshit dhe pret ta dëgjojë zërin e
përmallimit të vet. Ndërkohë, përderisa ndërmend ditët e largëta kur
jetonim, gëzoheshim dhe hidhëroheshim më ngadalë se tani, përderisa
ndërmend javët që kishin shtatë ditë të plota dhe ditët mateshin me orë
që kishin gjashtëdhjetë minuta komunikim me vetveten dhe njerëzit që më
donin dhe i doja, shikoj kah fotografitë e radhitura pranë makinës së
shkrimit. Nga aty më shikojnë sytë e atyre që i pata pranë vetes, e që
nuk do t’i kem kurrë më. Dhe sa herë që i shoh ato fotografi, më rëndon
ndjenja e humbësit të madh, e atij që ka përjetuar humbje pas të cilëve
nuk do mund t’i gëzohet asnjë fitoreje në jetë. Të radhitura pranë
makinës me të cilën dikur shkruaja, ato fotografi ngërthejnë në vetvete
edhe fjalët që kurrë nuk u thanë dhe që nuk ia dola t’i shkruaj as në
letër, as në ekranin e kompjuterit. Mbase, them në vetvete, njeriu një
ditë do të shpikë edhe teknikën që e njeh gjuhën e ndjesive dhe ato do
mund t’i rrëfejmë me një fjalor tjetër, jo si shkrim që lexohet, po si
diçka që e ndien. Por edhe atëherë, vazhdoj ta bind vetveten, jeta e
njeriut do të mbetet një shkollë e bezdisshme, ku pandërprerë do të
mësojmë të njëjtën urtësi, por nga ligjërues të ndryshëm: se jetën duhet
ta ushqesh me atë që ëndërron të të ndodhë, e duhet ta jetosh me atë që
të ka ndodhur. Pra, pandërprerë të luftosh të arrish atë që dëshiron
ta kesh e do të jesh, por të mësohesh të kënaqesh e të jetosh i tillë
siç je dhe me atë që ke. Dhe mbase, i them vetvetes si mësuesi që nuk
arrin ta mësojë gjë nxënësin e vetëm që ka, ne jetojmë në kohë të cilat
ta pamundësojnë ta kuptosh këtë urtësi, kohë në të cilat rrënohet vlera e
asaj që ke dhe asaj që je, sepse gjithmonë je i përballur me trysninë
të bëhesh si të tjerët dhe të bindesh se nuk vlen gjë nëse nuk ke atë që
kanë ata. Me çka e harron vetveten, i harron ata që ke pranë, bëhesh i
pandjeshëm ndaj buzëqeshjes së të tjerëve dhe ndaj lotit në sy të huaj.
Kompjuteri
im e ka përfunduar procesin e “ringjalljes” së programeve të veta. Nuk
kam si të ik: tekstin për të premten duhet shkruar. Dhe përderisa shikoj
shkronjat që duhet të ndërthurin fjalët dhe fjalitë, filloj t’i
rikujtoj ditët kur askush nuk porosiste shkrime nga unë, por unë i
shkruaja dhe thuajse të gjitha gazetat mezi prisnin ato t’i botonin. Pra
i shkruaja me zjarrminë e atij që ende nuk e kishte kuptuar se jeta nuk
matet me orë, me ditë, muaj, vite, dekada e shekuj, por me atë që bën,
se çdo gjë në ne e kundërshton mënyrën se si jeton, por më në fund të
gjithë i nënshtrohen asaj, se ne në të vërtetë as që kemi kohë të
jetojmë, por vetëm sa të kuptojmë se atë e bëjnë të gjatë shpresat. E si
ta kuptoja këtë në vitet kur shkruaja në makinë shkrimi, e cila nuk
kishte ekran me orë në të, siç ka kompjuteri, e ku pandërprerë sheh sa
ngutshëm rrjedh ajo që ne e quajmë “kohë”, që shkruhet vetëm me katër
shkronja, me aq sa edhe fjala “jetë” dhe me dy më pak sa fjalët “vdekje”
dhe “lindje”.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së
portalit www.forumirinorislam.com