Nata
e Kadrit është
një nga karakteristikat më të theksuara të Ramazanit, gjegjësisht është në
dhjetë ditët e fundit të Ramazanit të cilave i dërguari i Allahut u ka kushtuar
kujdes të veçantë dhe na ka porositur që në veçanti t’u përkushtohemi me
adhurim. Vlera e Natës së Kadrit dhe e Ramazanit theksohet në veçanti për shkak
të fillimit të shpalljes së Kur’anit famëmadh në këtë natë të madhe e të bekuar
e cila është në këtë muaj të bekuar. Nisur nga kjo, kjo natë quhet nata e
Kur’anit dhe muaji i Ramazanit quhet muaj i Kur’anit, e për shkak të besimit
dhe praktikimit të tij, edhe umeti islam quhet Umeti i Kur’anit.
Nata e Kadrit, apo nata e Kur’anit paraqet një nga
evenimentet më të mëdha të historisë njerëzore në prëgjithësi dhe asaj islame
në veçanti, ngase në këtë natë u thye monotonia e adhurimit të deformuar e të
pakuptimtë idhujtar i cili e kishte okupuar mendjen njerëzore. Me hapjen syve
të njeriut në çështjen e besimit, në fakt njeriut iu kthye dinjiteti i
nëpërkëmbur nga besimi në idhuj. Me shpalljen e Kur’anit jeta e njeriut fitoi
kuptim, ngase u çlirua nga të qenit robër i nënshtruar ndaj idhujve, por iu
hapën shtigjet e përparimit dhe zhvillimit mbi themelet e shëndosha hyjnore.
Në këtë natë, botës i erdhën udhëzime për jetën dhe
qëllimin e ardhjes së tyre në këtë botë, si dhe rolin që ata duhet ta luajnë.
Kjo natë është nata më e ndritshme në gjithë
historinë e njerëzimit, ngase u sqarua e vërteta, u mposht gënjeshtra dhe u
çlriua mendjae njeriut nga shabllonet e gabuara të cilat e kishin privuar
njeriun nga të gjykuarit e drejtë për jetën, botën dhe qëllimin e ardhjes së
njeriut në këtë botë.
Nata e Kadrit ka rëndësi të veçantë për mbarë
njerëzimin, ngase për herë të parë në histori, një shpallje hyjnore fillon me
urdhërin për lexim, dituri dhe mësim. Filloi shpallja me përmendjen e lapsit
dhe mësimin e përdorimit të tij. Këto fjalë të para të shpalljes së fundit të
Allahut të Madhërishëm, dhanë mesazh të qartë se dituria është çelësi i
suksesit dhe ajo që e ngre pozitën e njeriut. Frymëzimi për dituri duhet të
vijë pikërisht nga këto udhëzime hyjnore, ngase kjo e bën kërkimin e diturisë
adhurim për të cilin ka shpërblim. Në Natën e Kadrit, u ndriçua jeta e njeriut
dhe u lartësua dituria, ngase me diturinë, mësimin e leximin, Allahu i
Lartmadhërishëm e filloi shpalljen dhe mesazhin e Tij të fundit drejtuar
nejrëzimit.
Nata e Kadrit solli mesazhin e paqës për
njerëzimin. Kjo, ngase Allahu i Madhërishëm këtë natë e quajti natë të paqës në
Kur’anin famëlartë. Sa të mundohen armiqtë e Islamit të akuzojnë për dhunë dhe
mostolerancë, pikërisht cilësimi i Natës së Kadrit si natë që është paqë deri
në mëngjes, e demanton këtë supozim të pabazë. Është absurde të pretendohet se
mesazhi islam është mesazh i dhunës dhe mostolerancës, kur nata kur filloi të
shpallet libri i fundit i këtij mesazhi është nata e paqës. Kjo natë e paqës na
përsëritet çdo vit që ta ripërsëris për njerëzimin porosinë se umeti islam mba
mesazhin e paqës dhe shpëtimit për njerëzimin.
Nata e Kadrit, e lidhi qiellin dhe tokën, ngase në
këtë natë, ashtu siç dëfton Kur’ani,
zbresin në tokë melekët dhe i shoqërojnë banorët e tokës deri në agim. Zbritja
e melekëve në tokë ka simbolikën e madhe në drejtim të shpalosjes së natyrës së
mesazhit të kësaj feje madhështore. Islami është fe e cila e lidh shpirtëroren
dhe materialen, këtë botë dhe botën tjetër, qiellin dhe tokën. Zbritja e
melekëve në tokë, ia bën me dije njeriut se ai është nën mbikëqyrjen e banorëve
të qiellit, melekëve kiramen katibin-shkruarësve besnikë që me urdhërin e
Allahut i regjistrojnë njeriut çdo gjë që bën. Kjo duhet t’ia kujtojë njeriut
llogaritjen e vetes para se ta llogarisin tjerët dhe përmirësimin e sjelljes së
tij, ngase për çdo gjë që bën, do të japë llogari.
Poashtu, zbritja e melekëve ia rikujton njeriut se
nuk duhet të jetë neglizhent ndaj aspektit shpirtëror, ngase ai në këtë botë
nuk ka ardhur vetëm të dëfrehet e të zbavitet, por ka ardhur me një mision
madhështor, ai është sjellur nga Allahu të jetë mëkëmbës në tokë. Dhënia pas
kënaqësive të kësaj bote dhe neglizhimi i shpirtërores, e devijon njeriun nga
ky qëllim madhor, por e nënçmon duke e shndërruar në rob të epsheve që për
synim të vetin ka vetëm zbavitjen dhe dëfrimin, të cilat sado që të jenë të
shumta, janë fare pa vlerë në krahasim me misionin për të cilin u soll njeriu
në këtë botë.
Nata e Kadrit dëshmon për vlerën dhe pozitën e
lartë të njeriut te Allahu i Madhërishëm. Kjo, ngase në këtë natë, me urdhërin
e Allahut të Madhërishëm zbresin melekët, dhe në veçanti meleku ma i dalluar,
meleku i shpalljes-Xhibrili a.s. Ardhja e këtij meleku të dalluar është nder
për tërë njerëzit, dhe kjo duhet të jetë shtytje që njeriu të mendojë mirë se
çfarë rruge është duke ndjekur. Ai duhet të ndalet e ta pyes veten:Vallë, kjo
qenje që ka patur nderin të shoqërohet Natën e Kadrit nga meleku i
shpalljes-Xhibrili a.s. a i ka hije të ec gjurmëve të djallit e mos i
nënshtrohet Krijuesit?! Kjo qenie që u shoqërua nga melekët dhe nga Xhibrili në
veçanti Natën e Kadrit, a është e logjikshme të jepet pas gjërave të ulëta të
cilat kanë përfundim të shpejtë, e ta len qëllimin për të cilin e solli Allahu
i Madhërishëm në këtë botë-të qenit mëkëmbës i caktuar nga Allahu i
Madhërishëm?! Njëmend, përgjigja është fare e qartë, nuk don shumë kohë për të
humbur:Njeriu duhet ta ruaj këtë nderë të madh nga Krijuesi duke qenë zbatues i
denjë i urdhërave të Tij.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së
portalit www.forumirinorislam.com