Peripecitë që sjell jeta për dikë kushtojnë shumë lot, vuajtje dhe mjerim. Haraç i peripecive mund të jetë edhe shëndeti i njeriut. Dilema të jesh apo të mos jesh, shoqëron edhe anëtarët e familjes Xhaferi nga qyteti i Gostivarit. Gjashtë anëtarët e kësaj familje, kanë një lutje në jetë. Të kenë një shtëpi të tyren dhe të mos enden andej këndej me qira, kur të bie shi jashtë, mos të shqetësohet se pikat e shiut do të bien mbi kokën e tyre. Mos të shqetësohen se të nesërmen që vjen a do të kenë një gojë bukë për të ngrënë, një gotë qumësht për fëmijën e vogël të familjes. Asnjë anëtarë i familjes nuk është me punë të rregullt. Për veç dy mijë denarë që marrin si ndihmë sociale, ndonjë të ardhur tjetër të sigurt nuk kanë. Janë të rralla ditët kur kryefamiljari gjen ndonjë punë fizike për të kryer, që në mbrëmje të kthehet tek fëmijët e tij me ndonjë gjë në duar. Së fundi, ka pësuar një lëndim trupor dhe aq që është në gjendje të kryej ndonjë punë fizike.
“Jemi në një situatë të rëndë. Jeta jonë vazhdon kështu siç shihni edhe vet për çdo ditë që fal Zoti. Kemi katër fëmijë dhe siç e shihni të gjithë jetojmë në këtë dhomë. Këtu jemi me qira dhe paguajmë 100 euro në muaj. Kushtet i kemi të rënda, kurse të ardhura kemi veç nga ndihmat sociale dhe ndonjë pare që sjellin burri dhe djali kur punojnë diçka aty ku gjejnë. Kemi frikë të bie shi ose borë jashtë, çatia rrjedh në çdo pjesë”, shprehet me lot në sy zonja e shtëpisë, Ulmetka Xhaferi. Ironia e fatit sikur nuk mjafton veç me varfërinë e rëndë në të cilën kalon familja Xhaferi. Zonja e shtëpisë Ulmetka vuan nga një sëmundje rëndë në zemër, kurse mjekët i kanë preferuar shërim në shtetin gjerman. Gjendja ekonimike në familje as që i lejon të mendojë për një gjë të tillë, andaj dhe apelon për ndihmë nga njerëzit e vullnetit të mirë. “Prej vitesh kam problem serioz me shëndetin, vuaj nga një sëmundje rëndë në zemër. Në spitalin e Gostivarit vazhdimisht mjekohem por për shërim më kanë orientuar të shkoj në Gjermani. Me kushtet në të cilën ndodhet familja jonë, unë asnjëherë nuk do të mund të shkoj atje për tu shëruar. Prandaj u drejtohem njerëzve që kanë mundësi të na ndihmojnë, të kthejnë shikimin nga ne”, thotë Ulmetka e cila është 38 vjeçare por vuajtjet në jetë e tregojnë shumë më të molisur. Jo çdo fëmijë u gëzohet ditëve të fëmijërisë, jo çdo fëmijë mund të rritet në kushte të mira, në dhomë të ngrohtë me nxehje konstante, me lodra dhe të mira të tjera ashtu siç do të donte t’i ketë çdo fëmijë tjetër. Për dikë, këto gjëra mbeten vetëm një ëndërr e bukur pas një nate dhe gjumi të bërë në kushte mizore.
Një lutje e vazhdueshme drejt perëndisë. Të tillë janë edhe fëmijët e familjes Xhaferi, Fatmirja e vogël 6 vjeçare, Muhamedi 11 vjeçar, Flamuri 12 vjeçar dhe Vullneti 16 vjeç. Ky i fundit, i gjendur në një situatë të vështirë nëpër të cilën kalon familja e tij, që në moshë të hershme angazhohet në punë krahu, aty ku gjen dhe aty ku mundet. “Po do të kisha pas dëshirë të kemi një shtëpi të ngrohtë dhe të mirë”, shprehet Muhamedi 11 vjeçar. Këtë dëshirë e ndan edhe vllahu i tij Flamuri i cili i lutet Zotit që babai i tij të gjejë sa më shpejt një vend pune. Vogëlushja Fatmirja thotë se ajo asnjëherë nuk ka pasur mundësi të ketë një kukull në duart e saj. “Edhe veshmbathje të reja nuk kam, mbathemi me veshje të cilat na sjellin të tjerët si dhurata”, pëshpërit Fatmirja e vogël 5 vjeçare. Të gjithë njerëzit që kanë dëshirë dhe mundësi të ndihmojnë familjen Xhaferi nga Gostivari, mund të drejtohen në numrin e telefonit: 070 929 811. (KOHA)
EDITOR
12 years ago
previous article
Tejdukshmëria e shqiptarëve të Maqedonisë
next article
Ikë “truri” nga Maqedonia
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
11 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
11 hours ago