Reali i Madridit kalon Mançester Junajtidin si klubi më i pasur në planet për herë të parë qëkur revista “Forbes” filloi publikimin e renditjes në vitin 2004.
“Djajtë e Kuq” kryesuan klasifikimin për nëntë vjet radhazi, por sivjet udhëheqjen e merr klubi madrilen duke zbritur Junajtidin në vend të dytë.
Barcelona mban vendin e tretë, me një rritje rekord të vlerës prej 99 për qind gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa pozita e katërt i takon Arsenalit.
Renditja vijon me Bajernin e Mynihut, vlera e të cilit pritet të rritet pas emërimit të Pep Guardiolës si trajner dhe sukseseve të këtij sezoni.
Milani renditet i gjashti dhe është klubi më i pasur italian, si dhe i pari që e ka vlerën nën 1 miliard euro (725 milionë). Gjithashtu, kuqezinjtë janë i vetmi klub nga dhjetëshja e parë që ka pësuar rënie të vlerës në vitin e fundit (4%).
Klasifikimi i dhjetë klubeve më të pasur të futbollit vijon me Çelsin, Juventusin, Mançester Sitin dhe Liverpulin, ndërsa më pas vijnë me radhë Totenhemi, Shalke, Borusia e Dortmundit, Interi, Lioni, Korinthiasi (i vetmi klub nga Amerika e Jugut), Napoli, Hamburgu, Marseja dhe Njukasëlli.
Edhe pse është një nga klubet që ka shpenzuar më shumë në merkatot e fundit, Paris Sën-Zhermeni nuk bën pjesë në 20-n e parë, ndërkohë që Reali dhe Barça janë të vetmet përfaqësuese të Spanjës.