Categories
Lajme FRI

20 konceptet për arritje që çdo të riu i duhen, por nuk i kuptojnë

Çfarë duhet të dinë të rinjtë për botën e biznesit, në mënyrë që të përmbushin me sukses qëllimet e karrierës së tyre
Nga “The Forbes”
1. Koha nuk është komoditet i pakufizuar
Është e vështirë të gjesh sot profesionistë të rinj, të cilët kanë sensin e urgjencës për të arritur në nivelin tjetër. Në moshën 20-vjeçare, duket sikur e kemi të gjithë kohën e botës përpara, për të kuptuar se çfarë duam dhe si ta marrim atë. Koha është thesari që rrjedh çdo ditë e nuk kthehet më, ndaj krijojini mundësitë tuaja “sot”.
2. Keni talent, por të mbivlerësuar
Urime, ju mund të jini brezi i aftë, krijues, i ditur dhe që bën shumë detyra. Nuk ka çmim për talentin, vetëm rezultate. Nëse e përpunoni aftësinë e mirë që keni, atëherë mund të shihni ndonjë gjë pozitive prej saj, në të kundërt, gjithçka do të humbasë dhe do të mbeteni pa asgjë.
3. Jeni më produktiv në mëngjes
Nëse mendoni se qëndrimi i gjatë në orët e vona të natës do t’i sjellë punës suaj ndonjë dobi të madhe, e keni gabim. Punët që do të jeni në gjendje të kryeni në atë orë janë elementare. Planifikimet e komplikuara strategjike, telefonatat dhe takimet e punës, janë detyra që kryhen në mëngjes.
4. Rrjetet sociale nuk janë karrierë
Rrjetet sociale janë në funksion të marketingut, ato ndihmojnë në reklamimin e markave të ndryshme. Do të duhen disa vite përpara se rrjetet sociale të paraqiten si punë të mirëfillta. Për momentin, koha që kaloni aty është më tepër humbje se fitim.
5. Bëni telefonata
Mjaft u fshehët pas kompjuterit. Biznesi bëhet personalisht ose në telefon. Telefoni duhet të jetë instinkti juaj i parë, jo i fundit. Duhet të flisni me një person të vërtetë dhe me burimet e biznesit tuaj. Nëse interneti ju lë në baltë, mos u dëshpëroni, ngrini telefonin dhe bëjeni punën.
6. Ejani të parët, ikni të fundit
Këtë këshillë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që kanë një punë të re ose janë akoma në hapat e parë të karrierës. Keni më shumë mundësi se kushdo tjetër në atë vend, mjafton të jepni provat e duhura. Rruga më e sigurt që duhet të ndiqni është të punoni shumë.
7. Veproni përpara
Mos prisni t’ju thonë se çfarë duhet të bëni. Kurrë nuk do të ecni përpara nëse prisni për dikë që t’ju udhëzojë rregullisht. Të thuash që askush nuk ma kërkoi ta bëja këtë, është një dështim i pranuar.
8. Merrni përgjegjësi
Nëse keni bërë një gabim, mos u justifikoni, por merrni përgjegjësi për të. Kur dikush është në fillim të karrierës, janë të shumta gabimet që mund të bëhen, rëndësi ka t’i pranoni dhe rregulloni.
9. Do të lodheni shumë
Kur jeni në një pozicion pune, do të keni njerëz që do t’ju shtyjnë drejt limiteve. Punoni fort dhe do të ndërtoni një karrierë të shëndetshme.
10. Mos i ndërroni punët shpesh
Nëse jeni njeriu që çdo vit zë nga një punë të re, mos flisni për talent. Nëse pretendoni se kjo nuk është për fajin tuaj, bëni mirë të mendoheni dy herë. Ka diçka që nuk shkon me sjelljen dhe aftësinë tuaj.
11. Njerëzit kanë më shumë rëndësi
Është në dobi të punëmarrësit të zgjedhë kompaninë që ofron më shumë kohë të ndryshueshme, vakte të pakufizuara, pushime të shkurtra dhe të gjata. Këto të gjitha kanë rëndësi, por më të rëndësishëm janë njerëzit me të cilët do të keni të bëni, zgjidhni stafin më të mirë dhe do të punoni me shumë pasion.
12. Përqendrohuni te qëllimi
Mund t’ju duhet të bëni detyra që nuk ju pëlqejnë. Mbajini sytë te qëllimi juaj kryesor. Mendoni se çfarë po bëni sot, do të ndikojë për mirë nesër. Nëse gjërat që bëni tani nuk i shërbejnë qëllimit tuaj, gjeni një tjetër mundësi.
13. Flisni aty ku ju dëgjojnë
Nëse keni një ankesë kundrejt kompanisë që ju ka punësuar, atëherë bëjeni të ditur këtë atje ku ju dëgjojnë, jo në kohën e pushimit me kolegët, apo në formën e thashethemeve.
14. Përmirësoni aftësitë kompjuterike
Nëse në CV-në tuaj vazhdoni të shkruani se keni aftësi të mira në programet e “Microsoft Office”, atëherë nuk jeni aty ku duhet. Programet më të avancuara si HTML, “Photoshop”, “Final Cut Pro” dhe “AutoCad” janë ato që mund t’ju japin përparësi.
15. Lidhjet kanë rëndësi
Koha që kaloni në internet duhet të jetë në dobinë tuaj. Përpiquni të krijoni sa më shumë lidhje me sa më shumë njerëz. Takojini dhe qëndroni në kontakt me ta, në një moment të caktuar do t’ju duhet.
16. Ju duhen tre mentorë profesionalë
Rruga më e garantuar drejt suksesit është të keni përkrah njerëzit që e kanë arritur atë që ju synoni. Duhet të keni e pakta tre njerëz që i konsideroni si mentorë, të cilët do t’ju udhëheqin siç duhet.
17. Zgjidhni një model dhe veproni
Ju mund të mos e dini se çfarë të bëni, por modeli dhe udhezuesi juaj profesional e di. Shpesh punëtorët trajnohen që të zgjedhin një njeri në punë, që e marrin si model dhe të veprojnë si do të vepronte ai po të ishte në atë situatë.
18. Lexoni libra, jo mesazhe
Brezi i 20-vjeçarëve nuk mund të thotë se nuk lexon, por ai lexon gjërat jo të duhura. Në vend të mesazheve dhe postimeve në rrjete sociale, lexoni libra dhe merrni ide.
19. Shpenzoni 25 për qind më pak nga sa fitoni
Kur dëshirat materiale dëmtojnë të ardhurat tuaja, atëherë po sabotoni veten. Përpiquni të kurseni 20 për qind nga shuma që fitoni dhe për pak kohë do të shihni se të ardhurat tuaja janë rritur me 200 për qind.
20. Mos e dëmtoni reputacionin
Me kalimin e kohës do ta kuptoni se reputacioni ka shumë rëndësi kur vjen puna për biznesin. Ai është çelësi që hap ose që mbyll dyert e suksesit. Ruajeni reputacionin si thesarin tuaj më të shtrenjtë./Forbes/kohaislame.com

Exit mobile version