Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë me masat për punësim të personave të kategorisë sociale. Siç ka informuar zëdhënësi i qeverisë Aleksandër Gjorgjiev të dielën do të zgjidhen 1600 persona të kategorive sociale të cilët do të fitojnë punë në shërbimet shtetërore.
Por, pyetja është se në mesin e këtyre personave a do ketë shqiptarë? Sipas zëdhënësit Gjorgjiev, projekti është në fazën finale, ndërsa të dielën në RTVM personat do të zgjidhen përmes softuerit elektronik kompjuterik.
“Qeveria që nga fillimi këtë proces e zhvillon në mënyrë transparente dhe në të mund të marrin pjesë qytetarë që i përmbushin kushtet. Gjithashtu edhe fazat tjera të procesit janë kryer në mënyrë transparente”, ka thënë Gjorgjiev, duke shtuar se në konkursin janë paraqitur 20 mijë kandidatë.