Katër lojtarët debutues të Shqipërisë, Amir Abrashi, Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Ilir Berisha mbërritën dje në rezidencën kuqezi në Durrës.
Gjatë pasdites ata zhvilluan edhe stërvitjen e parë me fanellën kuqezi, por veçmas grupit, për shkak të lodhjes nga udhëtimet që kishin bërë. Pas përfundimit të seancës, e cila zgjati rreth 90 minuta, lojtarët treguan për “Panorama Sport” përshtypjet e para në ambientin kuqezi.
Abrashi – Mesfushori 23- vjeçar i Grasshopersit ishte një babaxhan i vërtetë. Jo vetëm që nuk e bën dysh për të puthur fanellën e kombit të tij, por fton edhe Kaçen të bëjë një gjë të tillë. “E puth me gjithë zemër këtë fanellë dhe jam krenar që do të përfaqësoj Shqipërinë. Erdha sot (dje) dhe gjeta një ambient miqësor. Nuk e kisha menduar kështu, gjithçka shkoi mirë. U stërvita, u njoha me shokët e skuadrës, por jo vetëm. Ambienti më duket i jashtëzakonshëm dhe shumë i ngrohtë. Do të jap gjithçka për këtë fanellë”, tha kosovari.
Kaçe – Teksa e ka thërritur Abrashi, korçari Kaçe nuk mund të bënte ndryshe. Edhe ai puth fanellën, duke pozuar për gazetën, ndërkohë që më pas tregon përshtypjet e para si kuqezi. “Jam i lumtur që ndodhem këtu. Shpresoj që me lojën time të justifikoj besimin që trajneri De Biazi më ka dhënë. Do të bëj gjithçka mundem për Kombëtaren shqiptare, në mënyrë që ajo të triumfojë kudo”, deklaroi Kaçe. Historia e mesfushorit të PAOK-ut u bë si telenovelë, por në fund ai zgjodhi Shqipërinë, jo Greqinë.
Basha – Vëllai i Migjenit, 22- vjeçari Vullnet Basha, nuk i fshehu emocionet që do të veshë fanellën e Kombëtares. “Jam shumë i lumtur që më në fund jam pjesë e përfaqësueses kuqezi. Është nder dhe prestigj të veshësh këtë fanellë. Premtoj se do të bëj gjithçka të jetë e mundur për ta ndihmuar ekipin. Gjeta një ambient shumë të ngrohtë, ku shpresoj të përshtatem sa më shpejt me grupin”, deklaroi mesfushori, që luan me Sionin në Zvicër.
Berisha – Pak më i ndrojtur në komunikim ishte mbrojtësi kosovar, Ilir Berisha. Gjithsesi, ashtu si shokët e tij të rinj, ai nuk hezitoi ta puthte fanellën e Kombëtares, ndonëse për koincidencë i kishte qëlluar pa flamurin e stampuar në krahun e majtë të saj. “Normalisht të jesh pjesë e përfaqësueses është ëndrra dhe kulmi i çdo futbollisti. Jam shumë i gëzuar dhe në të njëjtën kohë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Do të bëj gjithçka të mundem”, u shpreh shkurtimisht ai.
Ndonëse lojtarët mund të kenë pasur dëshirë edhe të tregojnë më shumë për veten, rregullat që stafi ka vendosur janë që asnjë prej tyre të mos prononcohet për mediat, përjashto konferencat për shtyp që do të zhvillohen. Pritet që në ditët në vijim ata të dalin para medias dhe të flasin më gjerësisht në prag të debutimit me fanellën kuqezi.
/Start/
Categories