Departamenti i Edukimit pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup filloi me organizimin e ligjëratave edukative dhe fetare të dedikuara për vajza dhe gra.

Më 18 nëntor 2024, e hënë, në hapësirat e Forumit Rinor Islam në Shkup, u mbajt një ligjëratë e hapur fetare për femra me temë “4 lloje njerëzish nuk mund t’u dal nga haku”. Ligjërata u zhvillua nën udhëheqjen e teologes së njohur Sumeja Peza.

Programi u hap me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë nga hafize Mervenur Ramadani, njëkohësisht edhe aktiviste pranë FRI-së, për të vijuar më pas me shpjegimin e thelluar të temës nga ligjëruesja. Teologeja Peza trajtoi detyrimet morale dhe shpirtërore që një person ka ndaj disa kategorive të veçanta njerëzish, duke ofruar këshilla të dobishme për të pranishmet.

Theksi u vendos në rëndësinë e drejtësisë, falënderimit, mirënjohjes dhe përmbushjes së obligimeve ndaj familjes, shoqërisë dhe atyre që kanë ndihmuar gjatë jetës.
Në përfundim të ligjëratës, të pranishmet patën mundësinë të diskutojnë, të bëjnë pyetje dhe të ndajnë mendimet e tyre mbi temën.

Shkup, 18 nëntor 2024