Me 5 mars në stadiumin “Adem Jashari” për futbollin e Kosovës pritet që të hapet një faqe e re në historinë e saj. Kosova do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare kundër Haitit duke nisur kështu aventurën e saj në arenën ndërkombëtare.
Megjithëse për momentin vetëm një miqësore kjo ndeshje pritet t’i hap rrugë integrimit të futbollit kosovarë në atë botëror dhe të thyej njëherë e përgjithmonë izolimin shumë vjeçar të tij.
Për këtë çështje ne kemi biseduar me akterët kryesorë në organizmin e kësaj ndeshje.
Si erdhi deri te organizmi i ndeshjes me Haitin? Sa do të kushtoj organizmi i saj? Kush e bëri të mundur? Sa para janë investuar në stadiumin “Adem Jashari” që të jetë i gatshëm për këtë ndeshje? Cili do të jetë formacioni me të cilin do të paraqitet Kosova? Pse ishte në Londër në takimin Arsenal – Manchester United, përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki?, A do të përkrahin Kosovën, tifozët “Kuq e Zi” dhe “Plisat”, Sa do të jetë çmimi i biletave për këtë ndeshje? Kush pritet të jetë kundërshtari i radhës i Kosovës pas Haitit në muajin maj? E shumë gjëra të tjera mund t’i mësoni në këtë shkrim i cili i dedikohet tërësisht ndeshjes së parë historike të Kosovës.
FFK: Ndeshje historike, test i madh karshi FIFA-së
Për Federatën e Futbollit të Kosovës kjo ndeshje është historike. Por është edhe një test i madh që ata duhet ta kalojnë karshi FIFA-së. FFK duhet të dëshmojë që është e gatshme të organizoj ndeshje ndërkombëtare në mënyrë që FIFA ta konsideroj si një vend serioz.
Kështu ata kanë nisur të marrin të gjitha hapat e duhur për organizmin sa më të mirë të ndeshjes së parë miqësore zyrtare të Kosovës duke nisur nga stadiumi “Adem Jashari” e deri te caktimi i grupeve që të përkujdesen për kombëtaren e Haitit, gjyqtarët dhe delegatët e FIFA-së, të cilët do ta drejtojnë dhe do ta vëzhgojnë nga afër këtë takim.
Zëdhënësi i FFK-,së Fazli Berisha, ka thënë se FFK po bënë gjithçka është e mundur që kjo ndeshje të kaloj në kuadër të një feste dhe një organizmi i cili plotëson kushtet e FIFA-së.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme për Kosovën në kuptimin e organizmit të saj. Kjo do të jetë një test i joni që duhet ta kalojmë të FIFA. Ne duhet të dëshmojmë që e kemi merituar edhe më herët që të na lejohen ndeshjet miqësore ndërkombëtare pasi që dimë të organizojmë lojëra të mëdha.
Ne kemi marrë të gjitha përgatitjet për një organizim sa më të mirë kësaj ndeshje e cila përveç festë do të jetë edhe test. Duke u nisur nga Stadiumi “Adem Jashari” ku tash e dy vite ministria është duke investuar në të dhe punimet janë në fazën e fundit e deri tek akomodimet e lojtarëve, të gjyqtarëve dhe delegatit të ndeshjes së të cilët do t’i caktoj FIFA”, ka thënë Berisha.
Biletat nga 5 dhe 10 euro
Biletat nuk do të jenë të shtrenjta për këtë ndeshje. Të paktën kështu tregojnë propozimet e para. Ato pritet që të kushtojnë nga 5 dhe 10 euro shuma të cilat pak a shumë janë të përballueshme për secilin adhurues të futbollit i cili pritet që ta mbushin stadiumin prej 18 mijë ulëseve në Mitrovicë.
Tifozët “Kuq e Zi” dhe “Plisat”: Nuk do ta përkrahim kombëtaren e Kosovës
Tifozët “Kuq e Zi” nuk do të jenë në stadiumin “Adem Jashari” me 5 mars për të dhënë përkrahen e tyre për kombëtaren e Kosovës. Të krijuar si grup i tifozëve me 25 dhjetorë të vitit 2003 nga përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare ata kanë vetëm një ideal.

Një komb, një kombëtare dhe do të përkrahin vetëm ato ndeshje ku luanë kombëtarja e Shqipërisë. Butrint Ymeri, përfaqësues i tifozëve “Kuq e Zi” për Kosovë, ka thënë për “Zërin”, se ata jo vetëm kësaj radhe mirëpo as kur Kosova të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA nuk do të ndryshojnë qëndrim.
“Ne nuk do të jemi në atë ndeshje me 5 mars në Mitrovicë. Ne jemi për një komb dhe në kombëtare e jo për ndasi mes vete andaj atë ditë do të shkojmë për të përkrahur kombëtaren shqiptare në Elbasan e cila do të zhvilloj ndeshjen miqësore kundër Maltës”, ka thënë Ymeri.
“Ky qëndrim i yni është i përhershëm dhe do të jetë i pandryshuar edhe kur Kosova të pranohet në UEFA dhe FIFA”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë të të njëjtit mendim janë edhe grupi i tifozëve nga Prishtina, “Plisat”.
Përfaqësuesi i tyre, Albert Kastrati ka thënë se ata nuk do të përkrahin këtë kombëtare por vetëm Prishtinën dhe kombëtaren e Shqipërisë.
“Grupi i tifozëve “Plisat” do të përkrahë vetëm klubet e Prishtinës dhe kombëtaren e Shqipërisë dhe askënd tjetër” ,ka thënë shkurtë Kastrati.
Lumturia e kryeministrit dhe angazhimi i politikës
Angazhimi i politikës mbase ka qenë faktori kryesorë që bëri që ndeshja e parë miqësore e Kosovës të mos dështoj e pastaj edhe të zhvillohet në Kosovë.
Përveç faktit që është menduar që kjo ndeshje do të zhvillohet në Zvicër me 5 mars ka pasur mundësi që të mos zhvillohet fare.

Mirëpo falë angazhimit të ministrit për Kulturë Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, të gjitha proceset kanë shkuar më shpejt. Duke nisur nga punimet në stadiumin “Adem Jashari” e deri te detajet më të vogla për aranzhimin e kësaj ndeshje.
Sidoqoftë, është edhe vet kryeministri i Kosovës, ai i cili ka kontribuar në këtë gjë dhe me të marrë lajmin që kjo ndeshje u zyrtarizua ai nuk fshehu entuziazmin e tij.
“Lajmi u bë zyrtar! Kombëtarja e Kosovës do ta luan lojën e parë ndërkombëtare kundër Haitit! Sapo investuam në rifreskim të infrastrukturës në Mitrovicë, le të jetë kjo një festë sportive.
Fakti që luajmë me Haitin, vend i largët por shumë miqësor, flet zëshëm për fuqinë që ka futbolli për t’i bashkuar njerëzit”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndërsa deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës i ka ftuar edhe njëherë të gjithë ata futbollist kosovarë të cilët luajnë jashtë vendit që të jenë në gatishmëri të përzgjedhësi Albert Bunjaki për këtë takim.
“Të gjithë ata futbollist të dëshmuar në futbollin botërorë që e konsiderojnë Kosovën vend të tyre, duhet të jenë në dispozicion të selektorit Albert Bunjaku dhe të reprezentacionit te Kosovës .
5 marsi ditë historike do të shendohet në futbollin Kosovës në stadiumin Adem Jashari , le të jetë ky edhe një motiv më shumë për futbollistët tanë që të na përfaqësojnë denjësisht. Me fat !”, ka thënë
Bunjaki: Haiti kundërshtar i respektuar, mendojmë për Botërorin 2018
Përzgjedhësi i përfaqësues së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka thënë për “Zërin” se kjo ndeshje është e rëndësishme që të tregojmë një paraqitje sa më të mirë.
“Haiti është kundërshtarë i respektuar dhe do të jetë lojë interesante”, ka thënë Bunjaki.
“Normalisht unë nuk njoh ndonjë kundërshtarë i cili hynë në lojë për ët humbur. Për mua është me rëndësi që net ë kemi prezantim të mirë dhe kontinuitet të ndeshjeve në të ardhmen të cilat do jenë në shërbim të testimeve dhe harmonizimit të përfaqësues sonë. Ne duhet të mendomë shumë më lartë se një lojë. Kampionati botëror do t vijë shumë më shpejtë se që ne mendojmë dhe këto lojë miqësore janë një platformë e mirë për ndërtim”, ka shtuari.
Se a do të ketë futbollist nga kampionati i Kosovës të ftuar për këtë ndeshje dhe cilët do të jenë ata që luajnë jashtë Kosovës, Bunjaki nuk ka zgjedhur që të tregoj. Mirëpo shkurt ka thënë.
“Më më intereson futbollistët më të mirë të mundshëm dhe që të gjithë janë kosovarë”, ka përfunduari ai.
Bunjaki në Londër për Adnan Januzajn
Të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Emirates” ku u zhvillua derbi i Premierligës angleze në mes të Manchester United dhe Arsenalit i pranishëm ishte edhe përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.
Ai nuk ka treguar arsyen e vërtet të shkuarjes në atë ndeshje mirëpo logjikisht mund të kuptohet se arsyeja e vetme është Adnan Januzaj.

Madje Bunjaki ka treguar se ka qenë vetëm disa metra larg Boby Charltoni dhe Sir Alex Fergusonit në tribinat e stadiumit. Kur ne e pyetëm se a është takuar me Adnanin apo babain e tij, Bunjaki me modesti tha.
“Ju e dini që unë asnjëherë nuk përdori emra për të mbrojtur integritetin, besueshmërinë dhe punën time”, duke lënë të aludohet se mbase një takim i tillë ka ndodhur.
Menaxheri Selimi: Nderë për mua që aranzhova ndeshjen e parë për Kosovën
Personi i cili bëri të mundur aranzhimin e parë dhe historik të kombëtares së Kosovës është Agron Selimi përfaqësues i kompanisë, “AS ART ENT EVENTS”. Ai aktualisht po qëndron në Kosovë dhe ka nisur përgatitjet teknike për secilin detaj të kësaj ndeshje.

Ai ka treguar për “Zërin” se si mundësia e parë ishte që kjo ndeshej të zhvillohet në Zvicër, dhe shuma totale e shpenzimeve sillej prej 800 deri në 1 milion euro.
“Së pari dua të them se për mua dhe kompaninë time është nderë i madh që patëm rastin të aranzhojmë ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare të Kosovës. Ndërsa së dyti dua të potencoj gatishmërinë e FFK-së dhe Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport të cilët na kanë mbështetur në çdo aspekt. Kështu kur erdhëm deri te mundësia e Haitit, fjalën përfundimtare e kanë dhënë FFK dhe përzgjedhësi Bunjaki”, ka thënë Selimi.
Si opsion i momenteve të fundit ishte edhe kombëtarja e respektuar e Bolivisë mirëpo pasi që ishte nënshkruar marrëveshja me Haitin.
Selimi ka treguar se ai dhe kompania e tij do të përkujdesen për të gjitha shpenzimet nga nisja prej Haitit, arritjes në Kosovë dhe kthimin e tyre përsëri në shtëpi. Madje kanë paguar edhe një shifër e cila për momentin nuk është bërë zyrtare vetëm që ata të pranojnë ta zhvillojnë këtë ndeshje ashtu siq ndodh rëndom me të gjitha ndeshjet miqësore nëpër botë.
Selimi ka thënë se aranzhimi i kësaj ndeshje në Kosovë do të kushtoj më pak se sa që do të kushtonte në Zvicër e që do të kapte shifrën prej 1 milion euro. “Ne e kemi llogaritur vetëm aranzhimin e lojës në Zvicër dhe për Kosovë ende nuk kemi bërë ndonjë llogari. Gjithsesi do të kushtoj më pak se sa në Zvicër” ,ka thënë ai.
Ai për fund ka shtuar se do të jetë i gatshëm dhe në dispozicion të FFK-së në çdo moment që ata do të kërkojnë ndihmën e tij për të aranzhuar ndonjë takim. Panamaja tashmë ka quar ftesë për të zhvilluar ndeshje me Kosovën për datën tjetër të lirë të FIFA-së në maj të këtij viti.
Karaxhiç nuk vjen, FFK-ja nuk e thërret
Vendimi për zhvillimin e ndeshjes miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës kundër Haitit, ka zgjuar kërshërinë jo vetëm tek ne, por edhe te shtetet e rajonit, sidomos te ato serbe e kroate.
Derisa kroatët shprehin keqardhje që nuk iu mundësua këtij shteti që ta zhvillojë ndeshjen e parë kundër Kosovës, në anën tjetër, serbët e komentojnë ndryshe vendimin për zhvillimin e ndeshjes.
Në fakt, kryetarin e Lidhjes së Futbollit të Serbisë Tomislav Karaxhiç, nuk e ka befasuar fare lajmi se përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e pare miqësore ndërkombëtare me 5 mars kundër Haitit.
“Është ky vendim i FIFA-s, sipas rekomandimit të qeverisë tone dhe ky është tregim i përfunduar”, tha Karaxhiç. Ai tha se nuk do të shkon në ndeshjen Kosova – Haiti, por as nuk prêt thirrje nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Kjo as që më vjen në mend. As nuk do të më thërrasin, e as nuk do të shkojë. Edhe nëse më ftojnë, mendoj se kjo nuk do të kishte kuptim. Dihet se çfarë relacioni kemi ne me të ashtuquajturën Federatë e Futbollit e Kosovës”, shprehet Tomislav Karaxhiç.
Në anën tjetër, as drejtuesit e futbollit kosovar nuk brengosen shumë se a do të vijë apo jo Karaxhiç në këtë ndeshje, madje nuk e kanë ende të qartë se a do ta ftojnë fare si mysafirë.
“ Nuk e di, ende nuk e kemi diskutuar pasi për këtë vendos Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës. Megjithatë, për shkak të situatës, nuk besoj se do ta thërrasim, ndonëse nuk e përjashtojë mundësinë që edhe ai të ftohet.
Nëse ndodh kjo, atëherë nuk ka arsye të mos vije, Nëse këtu po vijnë kryeministri, presidenti e ministra të shumtë të Serbisë, pse të mos vije edhe kryetari i Lidhjes së Futbollit të këtij shteti”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas tij “ Karaxhiç është shumë më sportist se politikanët serb, por ai duhet ta ndjek dhe të veprojë sipas politikës së këtij shteti dhe unë e kuptojë këtë”.
Kush është kombëtarja e Haitit?
Kombëtarja e Haitit është themeluar në vitin 1904 ndërsa aktualisht zë pozitën e 79-të në ranglistën e FIFA-së. Ngjyrat reprezentuese i kanë kuq e blu ndërsa ndeshjen e parë ndërkombëtare në histori e kanë zhvilluar më 22 mars 1925 ku kishin humbur 2:1 ndaj Xhamajkës.
Megjithëse është një vend i Amerikës Qendrore me 27 mijë kilometra katror dhe afro 10 milion banorë, Haiti megjithatë ka marrë pjesë një herë në kampionatin botëror.
Ishte viti 1974 kur botërori ishte organizuar në Meksikë edhe pse nuk kishte arritur që të kaloi grupin.
Përzgjedhës aktual i Haitit është francezi Marc Collat ndërsa ndeshjen e fundit e kanë zhvilluar kundër Koresë së Jugut me 6 shtator dhe kanë humbur 4:1.
Ndërkohë mbahen mend humbja 2:1 me Spanjën vitin e kaluar dhe barazimi 2:2 me Italinë në kuadër të Kupës së Konfederatave në Rio De Janeiro. /Zëri/