Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, USHT-ja, “Shën Klimenti i Ohrit” i Manastirit dhe “Goce Dellçev” në Shtip, janë katër universitetet shtetërore të cilat edhe këtë vit do të pranojnë studentë në kuadër të projektit “35-45”. Kjo nënkupton regjistrimin e të interesuarve që i takojnë kësaj moshe, por që në të kaluarën për shkak të arsyeve të ndryshme nuk kanë arritur t’i ndiqnin studimet e rregullta. Ministri i Arsimit Spiro Ristovski tha se bëhet fjalë për studime të çrregullta për të cilat studentët do të duhet të paguajnë vetëm 200 euro në vit.
“Të interesuarit duhet të plotësojnë këto kushte për t’u regjistruar. Është parashikuar që ata të jenë të moshës 45 për meshkuj, dhe 35 për femra, të kenë mbaruar shkollimin e mesëm, të kenë marrëdhënie pune me kohë të pacaktuar ose të jenë të papunë, më së pakti 5 vjet, por të evidentuar në Agjencinë për punësim. Kuota është përcaktuar në bazë të nevojave të tregut të punës dhe numrit të regjistruar të personave si të papunë, por që kanë mbaruar shkollimin e mesëm profesional”, tha Spiro Ristovski, ministër i arsimit.
Sipas Ristovskit, për vitin akademik 2013-14 janë parashikuar 810 vende të lira në universitetet e lartpërmendura. Projekti “35-45” nisi të zbatohet nga viti akademik 2010-2011. Gjatë këtyre tre viteve janë regjistruar rreth 1000 studentë në fakultete të ndryshme.
Categories