Në zgjedhjet parlamentare në Austri, më 29 shtator konkurrojnë mbi 2000 kandidatë nga 14 parti gjithsej. Ky numër është me i madh se në zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me faktin se partitë në radhët e veta kanë emëruar kandidatë edhe nga emigracioni. Përderisa gjenerata e parë e emigracionit pati vështirësi me nostrifikimin, integrimin dhe adaptimin, gjenerata e dytë edhe pse në numër jo të mjaftueshëm. po arrin gradualisht të marrë përgjegjësi në drejtimin e jetës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme kemi një numër të kandidateve që vijnë nga viset shqiptare si: Donjeta Krasniqi nga (SPÖ) dhe Rilinda Rexhepi nga (ÖVP).
Donjeta Krasniqi e cila kandidon për Partinë Socialiste të Austrisë (SPÖ) është 24 vjeçare, studente e Fakultetit Juridik në Linz, ka emigruar si dy vjeçare me prindërit e saj nga komuna e Pejës. Ajo gjendet në listën Federale të SPÖ-s në numrin 29, kurse në listën e Landit të Austrisë së Epërme me numrin 11. Është kandidatja me e re në moshë dhe brenda partisë së saj Donjeta e gjen veten në krahun e majtë.
Rilinda Rexhepi kandidon për Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ka përfunduar shkollën e lartë ekonomike, është drejtoreshë e kompanisë REX. Rilinda ka emigruar si 8 vjeçare nga komuna e Prizrenit. Ajo gjendet në listën e ÖVP-s me numrin 32. Si drejtoreshë, Rilinda është konservative dhe i përket krahut të djathtë.
Fushatë e përbashkët e kandidatëve në Steyr dhe Kirchdorf
Pas fushatave që kandidatet kanë pasur në Linz, shoqata “Mërgimi” nga Steyri me kryetarin e saj Miftar Zagragja dhe shoqata “Albafol” nga Kirchdorfi me kryetarin Ymer Aliu organizuan tubime me bashkatdhetarë nga këto anë për të ndihmuar fushatën zgjedhore të kandidateve.
Shoqatat thanë se do të angazhohen maksimalisht për të ofruar mbështetjen e kandidateve dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre që të votojnë për kandidatet shqiptare, duke besuar që ato do të angazhohen seriozisht për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë.
Në emër të shoqatës Miftar Zagragja tha se ”ne do të mobilizojmë anëtarësinë për të ju votuar, por njëkohësisht ne kemi edhe kërkesat tona. Kërkojmë nga ju që, nëse hyni në Parlament të angazhoheni në riformulimin e ligjit për aplikimin e vizave për të martuarit dhe fejuarit nga Kosova. Jemi i vetmi shtet në Evropë që jemi të kufizuar me moshën 21 vjeçare për të marrë vizën”.
Ndërsa Zoti Aliu nga shoqata ”Albafol” duke iu drejtuar dy kandidateve tha se ”është i lumtur dhe krenar që më në fund edhe nga komuniteti ynë dalin kandidatë seriozë për Parlamentin Austriak. Shpresoj shumë që programet e juaja dhe puna e juaj, të na ndihmojnë në ruajtjen e identitetit. Ne do të bëjmë të pamundurën që të sensibilizojmë anëtarësinë tonë për të ju votuar juve. Kërkesa e jonë është ndalja e diskriminimit në shkolla dhe punë, duke ju afruar mundësi të barabarta secilit nga ne”.
Publicisti Ramiz Selimi ju tha kandidateve se ”për komunitetin tonë nuk është aspak me rëndësi se për cilën parti ju garoni. Për ne është me rëndësi dhe jetike të na tregoni hapur se, a e keni mbështetjen dhe hapësirën e nevojshme nga partia, të merreni seriozisht me problemet dhe hallet tona? Neve nuk na duhen kandidatë vetëm sa për sy e faqe. Ne kemi nevojë të jashtëzakonshme në angazhimin e juaj të pa rezervë në rritjen e numrit të atyre që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, nga 6% tani në 50% në vitin e parë, e pse jo pas dy viteve në 80%. Elektorati i juaj është komuniteti shqiptar, ju duhet t`i kontaktoni ata, ti bindni për programet dhe qëllimet e juaja sepse vetëm ata mund të ju dërgojnë në parlament, e jo programi i Partisë.
Ftoj të gjithë komunitetin shqiptar në Austri të shfrytëzojë drejtën e votës, duke votuar motrat tona. Ne në Austri të Epërme jemi një numër i mjaftueshëm shqiptarësh për të ju mundësuar atyre hyrjen në parlament”.
Programi i Donjeta Krasniqi
Pastaj kandidatet shpalosen programin e tyre, duke filluar me Donjeten, e cila tha se, do të angazhohet për azilkërkuesit, që, pas kërkesës për azil dhe pritjes gjashtëmujore tu lejohet e drejta e punës. Ajo e kujton periudhën trevjeçare të babait të saj si të papunë dhe vështirësitë e shumta që atë kohë hasën. Nuk është njerëzore dhe në dinjitetin e njeriut që t`i pamundësohet dikujt të drejtojë vetë jetën dhe fatin e vet tha ajo, çdo azilkërkues pa marrë parasysh se nga vjen duhet të punojë dhe të financojë vet jetën e vet.
Përvojat e saj në arsim gjatë shkollimit të saj nuk janë më të mirat, ka raste kur është ndier e diskriminuar, ajo dëshiron që këto dukuri t`i minimizojë në shoqërinë austriake. Donjeta tha: “Si e re dhe emigrante kam përjetuar se si sistemi shkollor ka provuar të më nxjerrë jashtë binarëve të tij. Sistemi ynë shkollor provon që t`i ndajë fëmijët si egjrën nga gruri dhe kjo është gabim. Për këtë arsye kam konstatuar se mund të ndryshoj diçka vetëm nëse luftoj vetë kundër saj”.
Si çështje tjetër të cilën do ta ngrehte në parlamentin e vendit, në rast se do të zgjidhej, ajo thotë se do t`i ndihmonte familjet që kanë studentë, duke ju dhuruar atyre ndihma familjare deri në moshën e 26 vjeçare. Kjo ndihmë ka qenë praktikuar më parë por ndërkohë është hequr. Siguria sociale është temë jetike për studentët, thotë ajo.
Programi i Rilinda Rexhepit
Rilinda Rexhepi tha se nuk do ta lexojë programin e Partisë Popullore (ÖVP) siç bëri kundër kandidatja, por do të përqendrohet në prioritetet e saj për komunitetin shqiptar.
“Duke e parë rrezikun potencial të asimilimit, unë prioritet numër 1, kam vendosur arsimin plotësues të gjuhës shqipe. Pse? Pasi që vetë vij nga një familje si shumica e familjeve tjera kosovare, gjatë shkollimit tim kamë arritur ti identifikoj problemet që unë hasa. Shumë fjalë që flisnim në familje nuk gjendeshin në fjalor, ato fjalë që nuk i kuptoja gjermanisht nuk mund t`i përktheja në formë korrekte për shkak të mungesës së gjuhës letrare. Është jetike për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre, që së pari ta mësojnë gjuhën shqipe mirë, pastaj nuk do të kenë pengesa në mësimin e gjuhës gjermane dhe shkollimin e dëshiruar. Do të bëj të pamundurën që mësimin shqip ta bëjmë obligues në Austri. Unë, nëse zgjidhem deputete, do të angazhoj një ekip në terren, duke kontaktuar të gjitha familjet shqiptare që kanë fëmijë, për t`i bindur ato për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe.
Pika e dytë në programin tim është integrimi i shëndoshë dhe pa rrezik asimilimi në shoqërinë austriake. Kur them integrimi mendoj në kyçjen dhe marrjen pjesë të komunitetit tonë në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga subvencionet e deri te vendimmarrja. Këtu nuk është punuar sa duhet deri me sot, nga ata që kanë pasur përgjegjësinë e integrimit, me anashkalimin e komunitetit tonë. Me ardhjen time në Parlament këto gjëra do të ndryshojnë, sepse ne meritojmë shumë më shumë, se kaq.
Prioritet i tretë është kontaktimi i trurit nga komuniteti ynë në Austri, për t`i inkurajuar ata në bërje të biznesit. Unë do të jem në shërbim të tyre, kam informacione se një numër i bashkatdhetarëve është mirë i kualifikuar, por ata janë të detyruar të bëjnë punë tjera, në mungesë të informacionit. Unë do të jem krahu i fortë i tyre, që ata të guxojnë të formojnë kompani, pse jo pas një kohe të bëjnë edhe partneritet me kompanitë nga vendlindja”.
Dy kandidatet kërkuan njëzëri daljen e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin e tyre.
Votuesit duhet të kenë parasysh se nëse votojnë për Donjetën, duhet të votojnë Partinë SPÖ dhe poshtë shënohet emri i Donjeta Krasniqi, kurse ata që duan Rilindën votojnë Partinë ÖVP dhe poshtë shkruajnë emrin Rilinda Rexhepi./Ramiz Selimi/albinfo/
EDITOR
11 years ago
previous article
Ferri i spitaleve siriane (Kujdes – pamje të rënda) VIDEO
next article
Xhon Espozito: Islamofobia, e rrënosur thellë
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago