Diskriminim jashtëzakonisht të madh femrës në vendin tonë i ka bërë e drejta zakonore-kanuni, në të gjitha poret e jetës.
Kanunet ishin norma të pashkruara, të cilat ushtronin efekt regresiv. Nga më të njohurat ishin Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i maleve, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë, që kishin shtrirje kryesisht në Shqipëri si dhe në zonën e Rrafshit të Dukagjinit deri në Kosovë. Si rrjedhojë e të gjitha normave zakonore shqiptare, gruaja për një kohë të gjatë mbeti në pozitë inferiore, dhe ato zakone ndikuan drejtpërsëdrejti në pabarazinë gjinore në familjet shqiptare.
Duke konsideruar obligim fetar dhe moral shkoqitjen e një dileme të tillë, dhe zbardhjen e drejtësisë karshi një realiteti të pamohueshëm se feja islame është e pastër nga shpifje të tilla, – në vijim, para se të flas mbi të drejtën e trashëgimisë së femrës në Islam, do të sjell në pika të shkurtra një kronologji nga e kaluara se si u trajtua e drejta pronësore dhe trashëgimia e femrave në shoqëritë para zbritjes së Kur’anit, e më pastaj në shoqëritë bashkëkohore, posaçërisht në traditën shqiptare, për ta përfunduar me qëndrimin e Islamit lidhur me këtë çështje. Në bazë të fakteve religjioze që janë të njohura, mund të pohojmë se femrës nuk iu dha e drejta e plotë trashëgimore në asnjërën nga të dy fetë, jude e krishtere.
Sipas referencave hebraike-Dhiatës së vjetër, femra nuk konsiderohet pjesëmarrëse aktive në trashëgimi. Këtë na e vërteton edhe ky fakt: Nëse një prind ka fëmijë dy gjinish – djem e vajza, vetëm djemtë trashëgojnë, kurse, po të mos kenë djem, trashëgimia u takon vajzave. Kjo, me përjashtim nëse prindi vdes dhe vajzat janë të mitura, atëherë djemtë kanë për obligim të përkujdesen për to si dhe t’u ndihmojnë atyre nga pasuria prindërore e trashëguar derisa të arrijnë pjekurinë ose të martohen ato. Në një version tjetër thuhet se një grup nga judenjtë, të njohur si Sadukijjin (jetuan në Jemen para dërgimit të Muhamedit a.s.) vajzën e konsideronin pjesëmarrëse në trashëgimi, për se disa prej tyre pohonin se femrës-vajzës i takon pasuria e barabartë me djalin, ndërsa të tjerët pohonin se asaj i takon sa gjysma e djalit. Kurse nëna, gjyshja, gruaja, motra dhe vejusha nuk mund të trashëgonin asgjë, me përjashtim tek disa prej tyre që motra, nëse nuk ka vëllezër, mund të trashëgojë. Nga ajo që u theksua sipër, mund të përfundojmë se tek hebrenjtë, nëse babai ka lënë vetëm një vajzë, asaj i takon tërë pasuria; nëse ato janë më shumë se një, pasurinë e mbetur të babait e ndajnë përgjysmë, me kusht që në trungun familjar të mos ketë mashkull trashëgues, sepse, nëse ka të paktën ndonjë nga nipat trashëgues, atij i takon tërë pasuria e vajzës-vajzave nuk u takon asgjë.(1)
Ndërkaq, për sa u përket të krishterëve lidhur me pjesëmarrjen e femrës në trashëgimi, edhe pse ata janë më liberalë se sa hebrenjtë, të shumtën e rasteve ata e privojnë femrën nga trashëgimia. Ajo çfarë theksohet në referenca krishtere lidhur me çështjen që jemi duke diskutuar, është se femrës së krishterë nga pasuria i ndajnë më të shumë në formë të testamentit, siç thuhet në Mesazhin e Patriarkut Jusuf Habeshi drejtuar prijësit të komisionit për thirrje në besimin e shenjtë, dërguar me 29/09/1840:”Gjykatësit në Mal (në Liban) po veprojnë për çdo çështje sipas Sheriatit islam, posaçërisht në ndarjen e trashëgimisë së vajzave…”, pastaj tha: ”Më parë ishte e njohur tek të gjithë ata në Mal, sikur tek të pasurit edhe tek të varfrit, vajza nuk trashëgon asgjë nga i ati i saj, përveç me anë të testamentit”.(2)
Trashëgimia te fetë tjera
Kurse për ata të krishterë që femrën e konsiderojnë si pjesëmarrëse në trashëgimi, femrat që mund të përfitojnë, janë vajzat e pamartuara dhe të martuara (të cilat trashëgojnë sa gjysma e vëllezërve). Ky ligj pason nga e Drejta romake dhe jo nga Bibla. Kurse një komunitet i krishterë Serianit ortodoks, i shtrirë në Siri, Turqi, Irak, Indi etj., për vajzën ndajnë sa gjysma për djalin, mbesave, gruas, nënës i takon një e treta (disa të krishterë nuk e konsiderojnë nënën trashëgimtare, përveç nëse vdes babai, dhe atëherë ajo trashëgon me djemtë sa një hise e tyre), motra, pa marrë parasysh a është prej babai a prej nëne, pasurinë e ndan në masë të barabartë me vëllezërit e saj, po ashtu trashëgojnë gjyshja prej babai/tri të katërtat dhe gjyshja prej nëne/një të tretën e pasurisë.(3)
Gjendje të mjerueshme kishin edhe femrat në vendet arabe në periudhën e injorancës-para dërgimit të Muhamedit a.s., ku ajo ishte e privuar nga të drejtat më elementare, sidomos nga të drejtat pronësore dhe trashëgimia; në fakt femra dhe djemtë e vegjël, që nuk thërriteshin për mbrojtjen e vendit, nuk konsideroheshin nga trashëgimtarët. Këtë e vërteton edhe thënia e Omerit r.a.: ”Për Allahun, në periudhën e injorancës femrat nuk i konsideronim për asgjë, derisa Allahu zbriti për të drejtat e tyre atë që zbriti, dhe ua ndau atyre atë që ua ndau”. (Buhariu 4629, Muslimi 1479).
Prandaj ardhja e Islamit mposhti teorinë injorante të arabëve, përmes zbritjes së citateve (shih: Nisa, 7), dhe ankesën që i bënë gratë Muhamedit a. s, për privimin e tyre nga trashëgimia. Njofton Xhabiri, r. a.: ”Gruaja e Sa’d Ibn Rebias shkoi tek Profeti a.s., me dy vajzat që kishte me Sa’din, dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, këto janë dy vajzat e Sa’d ibn Rebias, babai i tyre luftoi me ty në Uhud dhe ra dëshmor, por xhaxhai i tyre ua mori tërë pasurinë dhe nuk u la asgjë. Ato nuk mund të martohen pa pasuri”. Profeti a.s. i tha: ”Allahu do të vendosë për këtë”. Kështu zbriti citati (Nisa, 11). Profeti a.s. e njoftoi xhaxhanë e tyre dhe e urdhëroi: ”Jepu dy vajzave të Sad’it dy të tretat dhe nënës së tyre një të tetën dhe, ç’mbetet – është jotja”. (Termidhiu, 2092 hadith i mirë).
Kurse, për sa i përket pjesëmarrjes së femrës në trashëgimi në shoqëritë e tjera, sikurse në antikë, mundë të themi se pushteti i mashkullit ndaj femrës, qoftë si bashkëshorte, vajzë, motër a nënë, ishte i njëjtë me qëndrimin ndaj robërve dhe shërbëtorëve, pa farë të drejtash shoqërore, veçanërisht për trashëgimi; kjo ishte e njëjtë si te grekët dhe filozofët athinas. Ndërkaq, te Romakët e lashtë hasim se ligji romak femrës (së pamartuar) i siguronte të drejtën e pronësisë dhe mbrojtje në marrëdhëniet e biznesit, po ashtu dhe në të drejtën romake, nëse nuk kishte akt trashëgimie, trashëgimia
ndahej midis trashëgimtarëve, në mënyrë të barabartë midis djemve dhe vajzave.(4)
Nëse martohej ajo, pasuria e saj i kalonte burrit. Sipas këtij rregulli, ajo nuk gëzonte të drejtën të punonte punë zyrtare, të ishte dëshmitare, garante ose të ushtronte ndonjë detyrë tjetër që sillte profit. Sikurse në vendet e tjera, edhe në vendet e Lindjes femra nuk gëzonte të drejtat e saja për sa i përket trashëgimisë. Kështu ishte në Indi e në vende të tjera. Sipas kodit të Hamurabit (mbretit babilonas 1795-1750 p.e.r.) në trashëgiminë e babait nuk merrnin pjesë vajzat, përveç si prikë. Ndërkaq, femra persiane e shtresës së mesme trashëgonte nga babai vetëm në periudhën paramartesore përpjesëtimisht barabar me djemtë, kurse ajo e familjes mbretërore posedonte prona të shumta. Femra në Egjiptin e vjetër kishte një status më të mirë sesa motrat e saja në vendet e tjera, ajo gëzonte edhe të drejtën e trashëgimisë e të shitblerjes, të bënte kontrata, etj.. (5)
Gjendje ekonomike jo të kënaqshme kishte dhe femra evropiane deri vonë, ngase shoqëritë ndikoheshin drejtpërdrejt nga Krishterimi. Kjo formë u zbatua edhe në kohën e reformacionithumanizmi dhe renesanca në shek. XV XVIII, dhe vazhdoi deri në shekullin e iluminizmit francez dhe në fillimin e revolucionit anglez. (6)
Ndërkaq, në një gjendje më të keqe në vendet evropiane gjendej femra e pamartuar; ajo deri në shekullin njëzet nuk gëzonte të drejtën e pronës private, të lidhte kontratë me persona të tjerë ose të dispononte çfarëdo lloj pasurie. Me ligjin anglez pasuria e patundshme që posedonte gruaja, të cilën e zotëronte gjatë kohës së martesës, bëhej pronë e burrit të saj, njëkohësisht ai kishte të drejtë të merrte qiranë e tokës si dhe për përfitime të tjera që sillte ajo pasuri, gjatë tërë jetës bashkëshortore. Ky ligj u zbatua deri vonë, dhe në të më pastaj gjykata angleze bëri disa ndryshime formale, si këto: ndaloi transformimin e pasurisë së patundshme të burrit pa miratimin e gruas së tij, po megjithatë ai gëzonte të drejtën të ushtronte autoritet të plotë mbi pasurinë e saj dhe ta administronte atë sipas vullnetit të tij. Ky ligj, me pak ndryshime, funksionoi deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë.(7)
Femra në sistemet e kaluara ishte inferiore dhe e margjinalizuar
Edhe në shtetet skandinave deri nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë femra ishte e degraduar, sidomos në të drejtën e pronës, sepse burri i saj i administronte pasurinë. Ndërkaq, ligji francez deri në vitin 1838 nuk i njihte të drejtën gruas së martuar për kontratë, ajo duhej të siguronte doemos pëlqimin e burrit që të bënte ndonjë veprim me pasurinë e saj. Po ashtu, sipas kodin civil francez, nga momenti i lidhjes së kurorës martesore femra
sanksionohej nga shumë të drejta personale, fillimisht i ndërrohej mbiemri dhe, përmes këtij veprimi, pasuria e saj transferohej tek burri, i cili e menaxhonte atë. Ta themi që, për shkak të parregullsive të shumta në trashëgimi, Franca dërgoi një grup ekspertësh ligjorë në Arabinë Saudite për t’u aftësuar në fushën e trashëgimisë. Nga ligji francez u ndikuan edhe Gjermania, Holanda, Britania, Portugalia, Belgjika dhe disa shtete të Amerikës Latine si Brazili.(8)
Nga tërë sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se femra në të gjitha sistemet e kaluara ishte inferiore dhe e margjinalizuar, nuk ishte pjesëmarrëse e plotë në trashëgimi, me përjashtime të vogla në disa konfesione fetare. Kjo gjendje e femrës vazhdoi deri në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, kur u miratuan më shumë se njëqind dokumente, traktate të OKB-së dhe dokumente të tjera universale, të adaptuara nga agjenci të specializuara, si dhe nga organizata ndërkombëtare, siç janë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (e vitit 1948), Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW, e vitit 1979), pastaj UNIFEM-Organizata e Kombeve të Bashkuara për Gratë9, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me të drejtën e femrave dhe me barazinë gjinore, dhe objekti i trajtimit të tyre, ndër të tjera, janë të drejtat e pronësisë, fitimit e menaxhimit, e drejta e trashëgimisë etj. – që të gjitha këto organizata raportojnë se në tërë botën mbretërojnë pabarazi themelore ndërmjet grave dhe burrave në zotërimin e pronësisë, si dhe në qasjen ndaj resurseve ekonomike. Këtë e vërteton edhe Raporti për Vakuumin Gjinor i Forumit Botëror Ekonomik për vitin 2011.10 Diskriminim jashtëzakonisht të madh femrës në vendin tonë i ka bërë e drejta zakonore-kanuni, në të gjitha poret e jetës. Kanunet ishin norma të pashkruara, të cilat ushtronin efekt regresiv. (11)
Nga më të njohurat ishin Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i maleve, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë, që kishin shtrirje kryesisht në Shqipëri si dhe në zonën e Rrafshit të Dukagjinit deri në Kosovë. Si rrjedhojë e të gjitha normave zakonore shqiptare, gruaja për një kohë të gjatë mbeti në pozitë inferiore, dhe ato zakone ndikuan drejtpërsëdrejti në pabarazinë gjinore në familjet shqiptare.(12)
Sipas normës kanunore, femra-vajza, motra, nëna, gruaja, gjyshja, halla, mbesa, nuk kishte të drejtë trashëgimie, çfarëdo lloj pasurie të ishte ajo si: tokë-përfshirë arat, vreshtat, livadhet, pyllin etj.. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, lidhur me trashëgiminë e gruas, shkruan: ”Gruaja shqiptare farë trashigimi s’ka te prindja, as më plang as në shpi, kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi”(13);
”As te prindja as te burri gruaja s’hin në pjesë të trashigimit”.(14)
Po ashtu Kanuni nuk e konsideron as vajzën nga trashëgimtarët:”Kanuja njef per trashëgues djalin e jo vanjzen”(15)
Ndërsa, lidhur me bijat, motrat, hallat, pohon:”Me dalë fare mashkullimi i njij shpije e njëqind me pasë dalë aso dere, s’ka tager me u perzie në trashëgim
të prindes as këto, as bijt e bijat e tyne”.(16)
Këtë që theksuam më lart, e miraton edhe Kanuni i Skënderbeut, i cili femrën e përjashton tërësisht nga trashëgimia.(17)
Femra, në të vërtetë, tek shoqëritë botërore deri në kohë të vonshme konsiderohej si një plaçkë pa vlerë dhe ajo, përderisa kishte një status të tillë, parimisht nuk mundë të posedonte pasuri dhe aq më pak të trashëgonte, ngase ajo vetë ishte objekt trashëgimie në disa kultura. E vetmja fe që i dha të drejtën e pronësisë së plotë femrës dhe e bëri trashëgimtare, është Islami, siç do ta kuptojmë nga shkrimet e ardhshme.
[1] Elmunib Mustafa, nidham elmevarith fi eljehudije vennesranije ve elislam, disertacion magjistrature në Uiversiteti i Azharit 1992, f. 58-70.
[2] Elmer’tu bejne elfikhi velkanun, f. 26-27.
[3] Po aty, f. 108-112.
[4] Dr. Bahtije Gërbeshi Zylfiu, Hyrje në studime gjinore, ”Dukagjini”-Pejë, Prishtinë 2008, f. 120, 135,
[5] Hajrullah Koliqi, Gruaja ndër shekuj, Prishtinë 2009, f. 33.
[6] Gruaja nër shekuj, f. . 123. 178.
[7] Dr. Jamal A. Badawi, vedijetul mereti fil Islam, f. 49.
[8] Elmusteshar Salim elBehnesavi, elmer’etu bejne elislami ve elkavanin elalemije, bot 1, 1424h 2003, Darul vefa’ë, f. 54-57, dhe: Elmer’tu bejnel fikhi velkanun, f. 31.
[9] Dr. Fuad Abdulkerim elAbdulkerim, Kadaja elmer’ti fil mutemerat ed-devlije, bot 1-1430h2009-Bahithat, v1, f. 152
[10] Shih:Samiti ndërkombëtarë i gruas 4-6 tetor 2012, Prishtinë –Partneriteti për ndryshim, Draftë Dokument i punës në Samit, f. 2.
[11] Hamit Beqja, Gruaja, kjo qenie e shenjtë, Lilo, Tiranë 2002, f. 37.
[12] Hyrje në studime gjinore, f. 191.
[13] Shtjefen Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, bot. ”KUVENDI” Tiranë 1999, f. 14.
[14] Po aty, f. 26.
[15] Po aty, f. 26.
[16] Po aty, f. 26.
[17] Kanuni i Skanderbegut, Mblodhe e kodifikue nga Imzot Frano Illia, Botim i Argjipeshkvisë së Shkodrës-Shkodër 1993, f. 69-75.
Mr. Sadat Rrustemi