Rinës nuk po ju lejohet hyrja as në objektet shkollore për shkak të shamisë që ajo mban në kokë tashmë një muaj.
Për tri vjet rrjesht, Rina Dervisholli ndoqi mësimet në shkollën e mesme “ Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë. Por nga shtatori, Rinës nuk iu lejohet hyrja as në objektet shkollore. Kjo për shkak të shamisë që ajo mban në kokë tashmë një muaj. Rina thotë se ndihet e vetme, pasi në përkrahje të saj nuk ka dalë askush përveç familjes së saj dhe një Organizate jo Qeveritare që merret me të drejtat e femrave.
Babai i Rinës tregon se vajza e saj po e përjeton shumë rëndë largimin nga shkolla. Ai thotë se Rina kalon tërë kohën duke qajtur, pasi është ndarë nga shkolla. Por Rina nuk po heq dorë. Ajo shkon çdo ditë para shkollës, duke insistuar në të drejtën e saj për shkollim.
Rina ka hartuar edhe një ankesë ku kërkon kthimin e saj në shkollë. Ankesa thotë se ndaj Rinës është bërë shkelje e Kushtetutës ku flet për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën në shkollim, shkelje të ligjeve të arsimit, ku arsimi i mesëm është i obliguar, dhe shkelje të së drejtës Ndërkombëtare, duke qenë se në rastin e Rinës është bërë diskriminim në baza fetare.
Ankesa përmend edhe vendimin arbitrar që është bërë në rastin e Rinës, dhe mosdhënia e së drejtës për ankesë. Drejtori i shkollës nuk deshi të flasë, por tha se ai vetëm po e zbaton urdhrin e Ministrisë së Arsimit, i cili nuk lejon bartjen e shamisë në shkolla.
Me sa duket Ministria e Arsimit dhe drejtoritë e shkollave po zbatojnë standarde të shumëfishta, ngase shumë nxënës do të duhej të suspendoheshin nga shkolla për shkak se ata thyejnë ligje themelore siç është pirja e duhanit në shkollë. Por me sa duket shamia e vajzave në Kosovë u vret syrin më shumë se dukuritë negative, përfshirë skandalin e fundit të rrahjes së nxënëseve brenda ambienteve shkollore. /mesazhi/