Familja Krasniqi përjeton vuajtje të mëdha në kohën e lirisë
Muzaferi ka harruar se çka është buzëqeshja
Prindi i vajzës Mirlindës, dikur ushtar i lirisë, është dorëzuar nga pamundësia për t’i ndihmuar të bijës. Ai s’ka fuqi ta ndihmojë as gjysmën e shpirtit të tij vajzën Mirlindën 13-vjeçare, e cila vuan nga tumori në kokë
Nëse të gjithë do të ishin të lumtur, janë dy njerëz që nuk u teren sytë. Rruga e lotëve nëpër fytyrën e tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ata kanë harruar buzëqeshjen; gëzimin s’e njohin më dhe as që mund ta kujtojnë lumturinë. Janë këta dy njerëz që dikur Kosovës dhe popullit i ndihmuan me gjithçka që patën; burri qe në front të luftojnë armikun e një populli, ndërsa gruaja pranoi që të jetojë vetëm me fëmijët. Ndërsa sot, të gjunjëzuar para Zotit, ata s’kanë fuqi të ndihmojnë as gjysmën e shpirtit të tyre, vajzën e tyre Mirlindën 13-vjeçare, e cila vuan nga tumori në kokë.
Dikur qaja për lirinë, tani për vajzën
Vetëm po ta shikosh fytyrën e Muzafer Krasniqit nga fshati Kaçanik i Vjetër, do të të duket se shekuj vuajtjesh kanë kaluar mbi supet e tij. Gjithë rëndesën e shpirtit atij ia ka dhënë sëmundja e vajzës 13-vjeçare Mirlindës, e cila që nga maji po lufton me tumorin në kokë. Dikur ushtar i zellshëm në radhët e UÇK-së në luftë për liri, Muzaferi nuk u dorëzua kurrë para armikut, por luftoi ballëhapur në vijën e parë të frontit. Por, sot koha ka ndryshuar. Atë sot e gjunjëzoi dhe e detyroi të dorëzohet sëmundja e vajzës dhe kushtet e rënda ekonomike. Edhe vetë Muzaferi thotë se si pjesëtar UÇK-së asnjëherë nuk u zmbraps nga fronti i luftës me regjimin serb, por tani që vajza e tij 13-vjeçare po lufton tumorin në kokë, është dorëzuar dhe nuk është i sigurt se do t’ia dalë mbanë për ta ndihmuar Mirlindën, që ajo të dalë fituese ndaj sëmundjes. Ai ndihet tepër i zhgënjyer si prind dhe luftëtar, nga që për shkak të kushteve ekonomike, sot edhe pas 13 vjet lirie, nuk po mund t’i vazhdojë përpjekjet më tutje në luftën e dytë për të, luftën kundër tumorit në kokë që ka vogëlushja e tij. “Lajmin e kemi përjetuar shumë keq. Më erdhi shumë papritur. Nuk mundem as ta përshkruaj si jam ndier atë natë. Kam qenë krejt i hutuar dhe i përhumbur, sepse gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte se nuk kam mundësi për ta shëruar vajzën dhe vetëm do të më duhet ta shoh duke vuajtur për çdo ditë”, tregon Muzaferi. Ndihma sociale që merr Muzaferi nuk është e mjaftueshme as për sigurimin kushteve elementare për jetë, e lëre më për trajtimin e një sëmundjeje siç është tumori. Sipas tij, është e pamundur që me një ndihmë sociale t’u bëhet ballë shpenzimeve për terapinë që vajza e vetme e tij duhet ta marrë në spitalin e Prishtinës. Përveç kostos së terapisë, ai duhet të udhëtojë me autotaxi nga Kaçaniku i Vjetër deri në Spitalin e Prishtinës, ku vajza merr terapinë e saj.
Jetë me 100 euro në muaj
Muzaferi merr vetëm 100 euro në muaj. Këto mjete i merr si ndihmë sociale. “Njëqind euro i marr si ndihmë sociale, ndërsa terapitë e vajzës kushtojnë nga 500 deri në 600 euro në muaj. Tri herë në javë i ka vetëm kontrollet, por mund të ketë edhe më shumë, sepse nëse nuk i del gjaku mirë, duhet të qëndrojë me javë në spital”, thotë Muzaferi. Por, ajo që e frikëson më së shumti Muzaferin është rreziku që i kanoset jetës së vajzës nga kjo sëmundje dreqi. “E di që jeta do t’i rrezikohet nëse nuk e dërgojmë në terapi, e për këtë më nuk kam as mjete. Ndoshta edhe një herë mund ta dërgoj duke kërkuar ndihmë, po jo më tepër. Nuk kam…, mu…”, ishin fjalët e fundit të Muzaferit, që u mbytën nga lotët. Ndërsa e ëma e vajzës, Afërdita, shpjegon se duhet të kujdeset edhe për tre fëmijët e tjerë. Ajo thotë se mendja i rri vetëm te Mirlinda e shtrirë. Si nënë, ajo thotë se e ka tepër të vështirë që së paku një herë në ditë ta marrë përdore vajzën e saj 13-vjeçare, e të dalë për shëtitje nëpër oborr. “Kam qejf ta marr përdore, por nuk mund të ecë. Nuk është e sigurt, e ka humbur besimin, është dobësuar tepër shumë. Derisa unë punoj gjëra të tjera në shtëpi, nuk jam aspak e vëmendshme, sepse gjithherë mendoj për vajzën. Nuk kam vullnet më… Fëmijët e tjerë i shoh…, dhe Mirlinda ma kall shpirtin. Mundohem të kujdesem edhe për ata, por gjithherë mendja më rri tek Mirlinda”, shpjegon nëna e Mirlindës, që vazhdimisht mbytej në lot. Në lidhje me rastin e tyre, familja Krasniqi kërkon nga shpirtbardhët e zemërmirët që ta ndihmojnë Mirlindën për ta luftuar tumorin. Si kompensim për ndihmën e tyre, ata luten që Zoti kurrë të mos sprovojë asnjë prind ta përjetojë atë që po përjetojnë këta.