Ish-drejtor i Laboratorit Qendror në Forcat e Armatosura, Piro Begvarthi, rendit të gjitha arsyet përse është kundra shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë.
Ish-koloneli Begvarthi, shprehet se Shqipëria do të ekspozohej ndaj sulmeve të mundshme terroriste, nëse në territorin e saj do të vinin armët kimike.
Njeriu që ka drejtuar për 11 vite Laboratorin Qendror të FA-së, doktor i shkencave të kimisë, flet me detaje për rrezikun që i kanoset vendit dhe popullsisë nëse këto armë lejohen të hyjnë në vendin tonë. Ish-koloneli thekson se asnjë vend në Shqipëri nuk është i përshtatshëm për realizimin e një procesi të tillë dhe se fare mirë, shkatërrimi i armëve kimike mund të bëhet në Siri.
–Z.Begvarthi, ju renditeni në mesin e atyre emrave që jeni pro apo kundër ardhjes së armëve kimike të Sirisë në vendin tonë?
Unë nuk jam as pro, as kundra, si specialist. Unë tregoj rreziqet dhe risqet që ka shkatërrimi i një sasie të tillë lëndësh helmuese luftarake në Shqipëri, ose armësh kimike. Ndërsa thjesht si qytetar jam kundër.
-Cilat janë rreziqet që paraqet ky proces?
Rreziqet janë ndoshta disa. Ka zëra, dhe janë të vërteta, që po të merren të tëra masat, nuk ndodh gjë. Është e vërtetë, kështu është. Por puna praktike e njerëzve ka treguar në histori që bëhen gabime njerëzore dhe me pasoja të rrezikshme. Një nga rreziqet janë gabimet njerëzore. Tjetra, janë risqet e forcave të paparashikueshme, forcave natyrore. Kini parasysh, bëhet një kontratë për sjellje malli nga një shtet në shtetin tjetër, nuk i parashikon dot forcat madhore, si luftë, tërmet, përmbytje dhe të tjera. Në këto raste nuk ke se çfarë të bësh, nuk varet më në dorën njerëzore, se lëndët helmuese luftarake, po shpërthyen, kthehen në gaz dhe nuk ka kufij mbrojtja prej tyre. Shpërndahen në largësi të mëdha, sipas drejtimit dhe shpejtësisë së erës.
Popullata që është e pambrojtur aktualisht, është e papërgatitur, pasi nuk jemi në situatë lufte. Njerëzit nuk kanë kundragaz, kanë mjetet e mbrojtjes, se nëse ndodh goditja, avaria, menjëherë marrin masa mbrojtëse; strukturat speciale marrin ato masa që merren në kohë lufte ose në kohë emergjence civile. Ne këto masa nuk i kemi. Dhe, rreziku më i madh tani, në kohë paqeje, është transporti i tyre. Për transportin e tyre do të jetë autokolonë e madhe, e para; e dyta, rrugët tona janë malore, ne kemi aksidente. Një aksident në rrugë, u ça kontenieri që i transporton, ose ndonjë gjë tjetër, nuk ke se si të mbrohesh. Këtu e kam fjalën për popullatën, se shoqëruesit e tyre, do jenë me mjete mbrojtëse dhe mbrohen.
Popullata rreth e qark është e pambrojtur.
Po, një keqdashës, qëllon me armë rrugës që kalon dhe sërish ka pasoja. Unë, ç`kam lexuar kohët e fundit, se nuk jam në shërbimin aktiv tani, nga ç`kam lexuar, në Shtetet e Bashkuara ku ka rreth shtatë qendra ose uzina për shkatërrimin e armëve, dhe në Rusi që ka nëntë qendra të tilla, i kanë ngritur këto uzina atje ku kanë qenë i instaluar përqendrimi i armës kimike, në një kohë që me shumë leverdi do të ishte që tërë këto armë kimike të grumbulloheshin në një vend dhe aty të bëhej shkatërrimi i tyre. Por për të mënjanuar transportin, që ndikon jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht në popullatë, nuk do ta lejonte popullata transportimin e këtyre helmeve nga një qytet në një qytet tjetër, nga një rajon në një rajon tjetër. Se do të kalojë në qendrat e banuara. Këtu përjashtohet risku më i vogël, s`ke pse të bëhesh objekt.
Teorikisht dhe praktikisht, asgjësimi i tyre bëhet. Ka metoda të ndryshme, teknologji të ndryshme, Rusia ka tjetër, Amerika ka tjetër teknologji, por që çojnë në një përfundim; i neutralizojnë apo i asgjësojnë. Këto lëndë ne i kemi pasur në laborator, në kushte ku punohet me miligram, me masa mbrojtëse, dhe kemi pasur raste helmimi dhe na kanë shkuar njerëzit në spital. Në kemi qenë specialistë, megjithatë gabimet njerëzore ndodhin. Njeriu tensionohet, njeriu ka ngarkesa, gabimet ndodhin edhe me masa të larta sigurie.
Kështu unë paraqes rrezikshmërinë. Çfarë është rrezikshmëri? Rrezikshmëria është e tillë: P.sh. për sarinën, është një nga lëndët helmuese që është deklaruar se është në Siri. Përqendrimi 5 të 10 mijëtat të miligramit për litër ajër, nëse merr frymë dy minuta në këtë ambient, fillon syri të zvogëlohet, fillojnë shenjat e helmimit. Dhe 0.16 të mijëtat e miligramit për litër është dozë vdekjeprurëse për njeriun. Një rrjedhje, një çarje, janë të rrezikshme. Pra, unë flas për këto rreziqe. Nuk flas që të vijnë apo të mos vijnë. Atë e vendos politika.
-Ju thatë gjatë bisedës se ardhja e armëve kimike në Shqipëri do ta ekspozonte vendin ndaj sulmeve të mundshme terroriste. Përse e thoni këtë?
Po përse u përdor sarina në metronë e Japonisë, përse u sulmuan kullat binjake? Për terrorizëm. Ku e bëjnë? Kemi mundësi ne t`i kontrollojmë? Nuk kemi. Thonë që do vijnë specialistë të organizatave ndërkombëtare; po ne, pse themi që do shkatërrojmë armët kimike të Asadit, dhe të mos themi se do japim territorin me qira, që ata ta përdorin për këtë punë, ashtu siç përdorën Qafë-Mollën për asgjësimin e atyre 16 tonëve Iprit, që ishte, se shqiptarët atje nuk morën pjesë. Vajtën më pas, si ikën ata; dhe çfarë kanë lënë? Kanë lënë mbetjet, që janë sot e kësaj dite në kontenierët e Qafë-Mollës. Ne as vëzhgues s`kemi qenë. Kemi parë vetëm mbetjet që kanë lënë. Kështu që, të thuhet se do të japim këtë rajon të Shqipërisë me qira dhe të zhvendoset popullata.
-Sa i përket teknologjisë, ka Shqipëria laboratorë modernë për të realizuar këtë proces?
Në dijeni time, nuk ka. Herën e parë i sollën amerikanët, punuan me ta specialistët gjermanë dhe zviceranë, dhe mbasi përfunduan, i çuan dhe i shitën për skrap. Kështu thonë; këto janë llafe të atyre që kanë shkuar për të bërë tenderin për skrap. Informacion s`ka. Specialistët tanë s`kanë qenë. S`di ç`të them për infrastrukturën, përjashtohet mundësia në Shqipëri.
/GSH/
EDITOR
11 years ago
previous article
Bill Gates: 11 gjërat që studentët nuk i mësojnë kurrë!
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago