Pas përfundimit të eliminatoreve, fati i disa prej kombëtareve të mëdha të futbollit evropian kishte mbetur pezull. Kombëtaret si Franca,Portugalia e Suedia nuk kishin arritur që ta sigurojnë kualifikimin direkt nga grupet e tyre duke u detyruar kështu që kualifikimin ta kërkojnë përmes ndeshjeve të barazhit.
Kombëtaret e lartë përmendura kishin përfunduar në pozitën e dytë në grupet përkatëse gjë që ua ka vështirësuar rrugën drejt botërorit të vitit të ardhshëm. Padyshim se ajo që i brengos të gjithë futbolldashësit është fakti se njëri nga super yjet, Zlatan Ibrahimovic apo Cristiano Ronaldo do t’i mungojnë botërorit. Sido qoftë, ndeshja Portugali – Suedi është shumë më shumë sesa vetëm një përballje e dy prej lojtarëve më të mirë aktual në botën e futbollit.
Përzgjedhësi portugez, Paulo Bento ka thurur elozhe për kombëtaren suedez me theks të veçantë superyllin e tyre Zlatan Ibrahimovic.
“Suedia është një kundërshtar mjaft i vështirë duke pasur parasysh se në radhët e saj ka njërin nga futbollistët më të mirë në botë, Zlatan Ibrahimovic.
Por, ai nuk është arsyeja e vetme që i solli ata në Play Off. Ata janë një ekip mjaft i fortë fizikisht dhe dominues në ajër gjithashtu. Por, kjo nuk e ndryshon aspak planin tonë. Pavarësisht kundër kujt luajmë, objektivi ynë gjithmonë është të luajmë futboll të bukur dhe të luftojmë në çdo moment për fitore. Në këtë moment për ne është e rëndësishme të luajmë dy ndeshje të mëdha dhe mendoj se një rezultat i mirë nga ndeshja e parë do të ishte një hap i madh drejt Brazilit” ka thënë Bento.
Në anën tjetër, përzgjedhësi suedez, Erik Hamren, ka favorizuar kombëtaren portugeze dhe ka thënë se Ronaldo e Ibrahimovic do t’i japin një shije krejtësisht tjetër kësaj sfide.
“Është një sfidë e madhe padyshim por nuk besoj se dallon shumë edhe nga sidat e mëparshme. Portugalia janë padyshim një ekip I madh dhe këto dy ndeshje do të jenë mjaft tërheqëse. Kombëtarja e Portugalisë kanë një ekip mjaft ët mirë dhe kjo më së miri u pa në Euro 2012 kur ishin pothuajse të kualifikuar në finale por fatkeqësisht humbën nga Spanja në penallti.
Ata janë një ekip I një niveli mjaft të lartë por mendoj se edhe ata I kanë dobësitë e veta. Por nëse ata janë në formën më të mirë, janë absolutisht një super ekip” ka përfunduar Hamren.
Vlen të theksohet se lojtari kryesor i kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo, para disa ditësh kishte pësuar një lëndim të vogël i cili megjithatë nuk pritet që ta privojë yllin e Real Madridit nga kjo supersfidë.
Sot
20:00 Islanda – Kroacia
20:45 Greqia – Romania
20:45 Portugalia – Suedia
20:45 Ukraina – Franca