Albafone ofron çmime për 30-40 për qind më të lira se operatorët e tjerë për biseda telefonike me Shqipërinë, Kosovën dhe shtetet e tjera me të cilat kufizohet Maqedonia.
Drejtori i Albafone, Ardian Hoxha tha se surpriza e këtij operatori do të jetë më 28 nëntor, Ditën e flamurit, kur të gjithë së bashku do të festojmë shqip dhe do të flasim shqip pa kufi.
Këto komente drejtori Hoxha I dha pas takimit me Ambasadori n e Shqipërisë Arben Çejku, I cili të enjten vizitoi zyrat e Albafone në Shkup.
“Me përkrahjen tuaj ne flasim shqip më shumë, më rrjedhshëm dhe më bukur”, tha Hoxha.  Ndërsa ambasadori, Çejku, i bindur në suksesin e Albfones beson se përkrahja e ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni nuk do të mungojë edhe pas largimit të tij. “U plotësua ai trekëndëshi që e kishim nisur: Blej Shqip, Pusho Shqip, Fol Shqip. Albafone është një dhuratë për ekonominë e Maqedonisë. Përveç shërbimit kryesor për të folur, do të ofrojë edhe shërbime të tjera bashkëkohore. Kur të kthehem në një periudhë tjetër do t’ju gjej jo vetëm më të fortë në tregun e Maqedonisë, por shpresoj që Albafone në një të ardhme të afërt do të jetë prezent edhe në tregun rajonal, ku shqiptarët janë një potencial i rëndësishëm ekonomik”, tha Çejku.
Ambasadori Çejku i dhuroi drejtorit të Albafone, romanin e tij “Dymbëdhjetë”, për të folur siç tha ai, 12 orë të ditës dhe 12 orë të natës me Albafone.
Ndërkaq, drejtori i Albafone i dhuroi Ambasadorit numrin simbolik 073 20 1912, vit ky kur u shpall pavarësia e Shqipërisë.
Çejku: Bashkëpunimi vëllazëror më jep fuqi të eci përpara
“Ndjehem shumë mirë,  sepse pas një periudhe pesëvjeçare bilanci i arritjeve flet vet.  Ajo që me jep fuqi më tepër është bashkëpunimi vëllazëror me të gjithë shqiptarët në Maqedoni. Këtë energji pozitive që e kam akumuluar, jo vetëm gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por në të gjitha rastet e tjera më jep forcë  për të vazhduar përpara. Nëse deri nesër jam ambasador i Shqipërisë në Maqedoni, prej pasnesër do të jem ambasador i shqiptarëve të Maqedonisë në Shqipëri”, tha ambasadori Çejku.