Disa funksionarë madje nuk kanë bile as banesë në emrin e tyre, mirëpo nga ana tjetër prindërit e tyre kanë pronë shumë më të vlefshme. Funksionarët nga blloku politik shqiptar, pa marrë parasysh se a i takojnë pushtetit ose opozitës, kryesisht posedojnë shtëpi, por edhe tokë bujqësore. Vlera e pronës së paraqitur te një pjesë e tyre, pa marrë parasysh se është e regjistruar si e përbashkët (me bashkëshortin/en), tejkalon vlerën e 800.000 eurove. “Portalb“-i publikon detaje për gjendjen pronësore të disa funksionarëve duke i analizuar fletat anketuese të publikuara nga Komisioni për parandalimin e korruptimit.
Sa janë të pasur ministrat, deputetët, drejtorët shqiptarë?
Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër:
Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër i qeverisë, njeriu i cili në vazhdimësi është në pozita të larta ministrore në pushtet. Sipas të dhënave nga fleta e tij anketuese, nga patundshmëritë, si pronë e përbashkët me bashkëshorten, posedon shtëpi prej 410 metrash katrorë në Shkup, vlera e së cilës është 219 mijë euor. Si pronë të tij personale ai ka paraqitur edhe hua të dhënë prej 4.000 eurosh dhe kamatë për depozit prej 1.000 eurosh. Besimi ka kredi në vlerë prej rreth 80 mijë eurosh. Nuk ka veturë të tij personale, ndërsa në fletën anketuese qëndron vetura e tipit Opel Astra e bashkëshortes, pastaj vetura e vëllaut të tij dhe e prindërve të tij, të cilët posedojnë tokë ndërtimore dhe bujqësore në Tetovë.
Talat Xhaferi, ministër për mbrojtje:
Ministri për mbrojtje vozit Audi А4, vlera e së cilës nuk figuron në fletën anketuese. Xhaferi në emrine  tij ka paraqitur banesë prej 46 m2 në lagjen Çair në Shkup në vlerë prej 34.600 eurosh dhe shtëpi prej 340 m2 në fshatin Forinë, në vlerë më të madhe se 178 mijë euro. Në emër të bashkëshortes së tij, Xhaferi ka paraqitur edhe rrogë mujore prej 17.000 denarësh. Sipas fletës anketuese, ministri nuk posedon asnjë llogari bankare.
Valon Saraqini, ministër për ekonomi:
Ministri për ekonomi në emër të tij, te Komisioni për parandalimin e korruptimit ka paraqitur se ka vetëm – një krei prej 70.000 eurosh. Sipas të dhënave nga fleta e tij anketuese, e gjithë prona e paraqitur është në emrin e prindërve të tij, të cilët posedojnë shtëpi në Shkup me vlerë prej 200.000 eurosh, shtëpi në Mal të Zi prej 180.000 eurosh, dy automobilë me vlerë të përgjithshme prej 8.800 eurosh. Edhe prindërit e Saraqinit kanë kredi me vlerë prej 49.000 eurosh. Ministri, sipas fletës anketuese, nuk ka të paraqitur as pronë të patundshme personale e as pronë të përbashkët.
Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së:
Politikani opozitar Menduh Thaçi, posedon llogari bankare, shtëpi, hapërisa afariste. Thaçi vozit BMW me vlerë prej 50.000 eurosh. Lideri i PDSH-së në emrin e tij ka dy shtëpi në Tetovë, njëra me sipërfaqe prej 1.186 m2, ndërsa shtëpia tjetër është me hapësirë afariste me vlerë të përgjithshme prej 74 mijë eurosh. Në llogari devizore ruan 60.700 euro ndërsa në llogarinë për transaksione, sipas të dhënave që janë në dispozicion nga Komisioni për parandalimin e korruptimit, posedon 26.000 euro. Në emër të bashkëshortes, Thaçi ka paraqitur librezë kursimi në denarë me rreth 50 mijë euro.
Orhan Ramadani, drejtor i “Aeroporteve të Maqedonisë”:
Ramadani, personalisht posedon vetëm një veturë dhe aksione. Sipas fletës anketuese, drejtori i firmës së fuqishme, ka paraqitur se vozit BMW me vlerë prej 13.500 eurosh dhe se posedon aksione në vlerë prej 15.000 eurosh. Pjesa tjetër e pronës është e regjistruar si e përbashkët ose në emin e bashkëshortes. Kështu, Ramadani e ka paraqitur këtë pronë të përbashkët: objekt ndërtimor në Tetovë me vlerë prej 300.000 eurosh, shtëpi në Tetovë me vlerë prej 100.000 eurosh, shtëpi me oborr në Tetovë e vlerësuar në 200.000 euro, tokë bujqësore në Tetovë me vlerë prej 100.000 евра, shtëpi të bashkëshortes në Tetovë me vlerë prej 150.000 eurosh. Vlera e përgjithshme e këtyre patundshmërrive arrin shumën prej 850.000 eurosh.
Ali Ahmeti, kryetar BDI-së, deputet në Kuvendin e RM-së:
Gjithçka që figuron në fletën anketuese të Ahmetit është regjistruar në emër të tij, si pronë e tij personale. Sipas fletës anketuese që është në dispozicion, Ahmeti posedon dy shtëpi, tokë bujqësore dhe veturë. Ka paraqitur edhe llogari për transaksione me rreth 2.000 euro. Njëra shtëpi e Ahmetit me sipërfaqe prej 802 m2 ka vlerë prej 150.000 ndërsa tjetra në Kërçovë me sipërfaqe prej 254 m2 është vlerësuar në 100.000 dollarë amerikanë. Ahmeti ka paraqitur se posedon 700 m2 tokë bujqësore në Shqipëri me vlerë prej 30.000 dollarësh dhe tokë bujqësore në Kërçovë me vlerë prej 153.360 eurosh. Ahmeti, sipas fletës anketuese posedon Opel Astra me vlerë prej 3.500 eurosh.
Nevzat Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit:
Kryetari i komunës së Gostivarit posedon dy banesa dhe tre automobila – pronë kjo që, sipas fletës anketuese, është e regjistruar në emrin e tij personal. Kështu, Bejta ka banesë prej 300 m2 në Gostivar të vlefshme rreth 300 mijë euro. Në Gostivar posedon edhe hapësirë afariste prje 500 m2 në emrin e tij personal, por edhe hapësirë të përbashkët afariste prje rreth 40 metrash katrorë. Bejta ka paraqitur banesë prej 200 m2 në fshatin Duf, ku si pronë të përbashkët posedon edhe tokë bujqësore prej 2.000 m2. Në parkun vozitës të Bejtës gjenden veturat Audi A4, Mercedes të klasës C dhe Land Rover. Në librezën e kursimit në deviza, Bejta ka paraqitur 26.000 euro.
Një pjesë e ministrave të bllokut politik shqiptar, sipas të dhënave që janë në dispozicion nga fletat anketuese të Komisionit për parandalimin e korruptimit, pothuajse nuk kanë pronë, banesë ose shtëpi, në emrin e tyre, me ç’rast i kanë paraqitur patundshmëritë e prindërve të tyre. Disa ministra, sipas të dhënave disponojnë vetëm me automobila, nuk kanë as patundshmëri as llogari bankare. Sipas Ligjit për parandalimin e korruptimit, funksionarët janë të obliguar të mbushin fletë anketuese për gjendjen e tyre pronësore në dy raste, kur emërohen në ndonjë pozitë dhe kur largohen prej saj. Në fletën anketuese, ata janë të obliguar me ligj të japin të dhëna të sakta për gjendjen pronësore të anëtarëve të familjes që jetojnë në bashkësi familjare, ta paraqesin gjithë pronën e tundshme dhe të patundshme, aksionet, huatë e dhëna dhe borxhet, të ardhurat e tjera dhe depozitet bankare. /Portalb/