Nga fushat e futbollit në ato të betejës, nga kombëtaret e moshave të Gjermanisë në Xhihad në Siri.
Historia e Burak Karanit është ajo e një djaloshi që, në prag të shpërthimit si futbollist, në moshën 21-vjeçare, vendos të heqë dorë e të rrëmbejë armët. Deri tetorin e shkuar, kur mbetet i vrarë në Siri gjatë një bombardimi të Asadit, me shumë gjasa teksa luftonte përkrah forcave opozitare të regjimit.
“Paratë dhe karriera nuk kishin rëndësi për të. Kontrollonte gjithnjë në internet për lajme mbi zonat e luftës. Pikëllohej për viktimat”, rrëfen i vëllai i Burakut në një intervistë për “Bild”in, të përditshmen gjermane që sot i ka kushtuar një artikull të gjatë kësaj historie.
Karani, i lindur në 1987-ën, hoqi dorë nga futbolli në vitin 2008, pasi qe rritur te të rinjtë e Hertës dhe kishte luajtur për Hanoverin e Ahenin. Ai qe grumbulluar edhe me kombëtaret gjermane të moshave, duke luajtur përkrah Kevin Princ Boatengut e Sami Kedriës.

Gjerman me pasaportë por turk me origjinë, Buraku vendosi të transferohet në zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë së bashku me të shoqen dhe dy djemtë tre e dhjetë-muajsh. Mendohet se shkoi për të luftuar, edhe pse i vëllai e mohon duke thënë se ish-futbollisti ishte aty thjesht për të shpënë ndihma mjekësore.
Prokuroria federale e Vuperalit ka hapur një hetim për të qartësuar faktet, ndërkaq Boatengu i bën homazh në “Twitter”: “U prehsh në paqe, nuk do t’i harroj kohët e kaluara së bashku. Ishe një mik i vërtetë. Ç’ka ndodhur mandej, nuk e di e nuk mund ta verifikoj”.
/Start/