Kameruni është një nga vendet ku Islami është feja me rritjen më të shpejtë në botë
Në kryeqytetin Douala, çdo dy vjet, muslimanët lokal ndërtojnë një xhami të re, ku besimtarët e rinj vijnë për të kryer namazin.
“Ekspansioni i xhamive tregon qartë se Islami është religjion në rritje në Douala, dhe në Kamerun”, thotë kryemami i Doualas, Sheik Mohamed Malik Farouk.
“Falë Zotit, sot ne kemi shumë xhami për kryerjen e namazit të xhumasë të premteve në Douala”, shtoi ai.
Farouk tregon se Islami për herë të parë në Kamerun ka ardhur në vitin 1880, ndërsa në Douala në vitin 1922, kur tregtarët e huaj nga veriu arritën në qytetet bregdetare.
Në vitin 1992 është ndërtuar xhamia e parë, thotë Sheikh Farouk, duke shtuar se gjatë 23 viteve Islami është përhapur në mënyrë të konsiderueshme:
“Vetëm në Douala kemi 90 xhami, të cilat frekuentohen nga afro 500.000 muslimanë, në një qytet me tre milion banorë.”
Sipas CIA Fact Book, muslimanët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kamerunit, e cila ka 20.5 milionë.
Shumica e tyre jetojnë në veri të vendit. Ata kryesisht merren me tregti dhe biznes privat. Ndryshe nga vende të tjera afrikane, Kushtetuta e Kamerunit lejon lirinë e fesë, të cilën qeveria e zbaton në praktikë.
Kryemami i Doualas thotë se çdo herë kur muslimanët lokal kërkojnë ndihmë për ndërtimin e një xhamie ose shkolle të re, gjithmonë hasin në bujarinë e donatorëve.
Në Kamerun shkollat muslimane, spitalet dhe institucionet tjera sociale janë shumë aktive. Sheikh Farouk thotë se shumica e vendasve kanë përqafuar Islamin për shkak të sjelljeve të mirë të muslimanëve në rajon.
“Këtu muslimanët sillen shumë mirë. Respektojnë fqinjët e tyre jo- muslimane”, thotë Farouk, duke shtuar:
“Ata nuk marrin pjesë në aktivitete të pamoralshme, kjo i ka tërhequr shumë jomuslimanët në Islam”, shtoi Sheikhu, duke shpjeguar se shumë nga ata që duan të jetojnë pa alkool, drogë dhe seks rastësor, nxitojnë t’i bashkohen muslimanëve.
Në fundi, Sheikh Farouk thotë se “pavarësisht popullsisë së madhe dhe të larmishme, muslimanët në Kamerun kurrë nuk kanë pasur konflikt me ndonjë komunitet.”
Në Kamerun xhamitë dhe kishat ndodhen pranë njëra tjetrës, si shenjë e tolerancës së ndërfetare./igj/