Në promovimin e librit “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX”, të autores Jëlldëz Asani, të pranishëm ishin edhe Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për arsim, Prof. Dr. Fahari Ramadani, dekanë, profesorë dhe studentë.
Libri “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX” është vepra e autores Jëlldëz Asani që u promovua në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Të flasësh për artin në përgjithësi është ca e vështirë, veçanërisht në gjendjen e sotme të diskursit artistik. Të analizosh veprat e artit në një disproporcion kohor dhe kualitativ me trended botërore artistike nuk është aspak e lehtë, megjithatë me një hulumtim sistematik konciz dhe preciz, magjistrja e shkencave të Historisë së Artit, Jëlldëz Asani ka arritur të nxjerr në dritë disa fakte të panjohura, informacione relevante të lidhur me këtë problematikë. Ajo, mes tjerash theksoi se ideja për botimin e këtij libri ka lindur që nga koha kur i ka ndjekur studimet e ciklit të dytë. “Iniciativa për këtë libër është marrë që nga viti 2002, periudhë kur i kam ndjekur studimet e magjistraturës. Duke i studiuar vazhdimisht artistët botërorë, unë hetova një anashkalim apo mospërfillje të piktorëve shqiptarë nga ana e ligjëruesve të mi dhe prej aty vendosa që qasjen time shkencore ta thelloj më së shumti në këtë problematikë. Gjatë punës time mu desh të bëj një analizë më të thellë dhe qasje kritike për punën e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe Kosovë, duke pasur parasysh të gjitha sfidat dhe barrierat që më dilnin përpara, fillova rrugëtimin tim kërkimor-shkencor duke u fokusuar në kornizën historike, në analizën e veprave, si dhe në zhvillimin dhe qasjen e artit të tyre në Maqedoni dhe Kosovë, në dy dekadat e fundit të shekullit XX”, theksoi autorja e librit, Mr. sc. Jëlldëz Asani.
Recensentët e librit, Prof. Dr. Metin Izeti dhe piktori akademik Reshat Ameti e vlerësuan lartë këtë vepër, si nga aspekti i dizajnit brenda librit po ashtu edhe për nga përfshirja e të gjitha gjeneratave të artistëve shqiptarë në të. “Edhe nga aspekti i dizajnit dhe nga aspekti i rregullimit teknik brenda librit. Libri, në fakt është prej atyre të cilët u thonë lexuesve më merrni dhe më lexoni. Libri ,,Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX”, kur e shihni prej së largu, pikë së pari thotë më lexoni, pra nuk është rasti si me këta libra që botohen kohëve të fundit”, vlerësoi mes tjerash recensenti i librit, Prof. Dr. Metin Izeti.
“Ajo që është më e rëndësishme në këtë libër është se autorja i ka përfshirë të gjitha gjeneratat e artistëve shqiptarë të shprehur në mënyra të ndryshme, së pari përmend se ndikimi midis artistëve shqiptarë dhe atyre në Kosovë si është zhvilluar gjatë viteve. Ne e dimë se Maqedonia nuk ka pasur Fakultet të Arteve në gjuhën shqipe dhe shumë shqiptarë nga Maqedonia kanë qenë të detyruar të studiojnë në Prishtinë dhe natyrisht kanë qenë të fokusuar të mësojnë aspektin stilistik, dhe pas hapjes së Fakultetit të Arteve në Tetovë, artistët tonë kanë filluar të punojnë fuqishëm në këtë drejtim dhe kanë krijuar vlerat tona artistike autoktone duke përdorur teknika të ndryshme”, vlerësoi mes tjerash piktori Reshat Ameti.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës theksoi se libri “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX” do ta pasurojë Bibliotekën e Tetovës, pasi në këtë lëmi nuk kemi pasur libra të këtij lloji. “Duke drejtuar Bibliotekën e Tetovës në vazhdimësi kemi parë mungesën e literaturës në disa fusha të veçanta,  dhe ndërkohë, padyshim edhe ajo që ka të bëjë me historinë e artit dhe artin në përgjithësi. Mu për këtë dhe shumë arsye të tjera Biblioteka e Tetovës ka dhënë kontributin e vet për daljen në dritë të kësaj vepre kaq me rëndësi, meqë konsideruam që sadopak ta zbusim zbrazëtinë në këtë fushë për sa i përket fundshekullit të kaluar”, shtoi mes tjerash drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës, Fitore Reshiti. Përndryshe, në promovimin e librit “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX”,  të autores Jëlldëz Asani, të pranishëm ishin edhe Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për arsim, Prof. Dr. Fahari Ramadani, dekanë, profesorë dhe studentë. Njëherit, botimi i këtij libri është financuar pjesërisht nga Ministria e Kulturës, Biblioteka e Tetovës dhe kompania Gigabel Computers.
Njëherit autorja Mr. Jëlldëz Asani është bashkpuntore e Forumit Rinor Islam në realizmin e ekspozitave që FRI organizon çdo vjet me rastin e kampanjës për ditëlindjen e Muhamedit .a.s.