Shejh Kardavi, e ka dënuar dhe kritikuar ashpër vendimin e autoriteteve egjiptiane për ta radhitur Vëllazërinë Myslimane si organizatë terroriste, duke i paralajmëruar se hakmarrja hyjnore do të bjerë mbi zullumqarët.
Gjatë predikimit të ditës së premte, shejh Kardavi tha:”Vijnë njerëz të tillë dhe marrin vendim që një organizatë si Vëllazëria Myslimane, ta fusin në listën e terrorizmit. Kush është terrorist i vërtetë? Ju ushtarakët jeni terroristët dhe vrasësit e popullit. Ju keni vrarë me mijëra qytetarë egjiptianë, madje u dogjët dhe kufomat e tyre. Një akt të tillë barbar nuk e ka bërë as presidenti Abdu Naser, as Sadat dhe as vetë Mubaraku. Hakmarrja hyjnore do të bjerë mbi kokat tuaja o zullumqarë.”
Ndaj vendimit të autoriteteve egjiptiane për futjen e Vëllazërisë Myslimane në listën e organizatave terroriste, kanë reaguar disa shtete dhe organizata.
Kështu, SHBA-të janë shprehur të shqetësuara për përndjekjen që autoritetet egjiptiane i bëjnë Vëllazërisë Myslimane në Egjipt. Një zyrtar amerikan u shpreh se presidenti Obama as nuk ka ndërmend që ta listojë Vëllazërinë Myslimane si organizatë terroriste, duke shtuar se Uashingtoni mendon se autoritetet egjiptiane kanë vajtur shumë larg me këtë vendim kundër kësaj organizate.
Partia “Nahda” në  Tunizi, e ka dënuar vendimin e autoriteteve egjiptiane, duke thënë se është një vendim i nxituar që erdhi pas një shpërthimi në Mansura, shpërthim të cilin e mori përsipër dikush tjetër që nuk kishte të bëjë fare me Vëllazërinë Myslimane.
Shumë organizata të tjera myslimane në vende të ndryshme arabe, e kanë dënuar vendimin duke e konsideruar atë si të padrejtë. /ardhmeriaonline/