Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, asnjëherë nuk ka arritur ta takojë homologun e tij David Cameron, pavarësisht se ky i fundit ka më shumë se tri vjet që udhëheq qeverinë britanike. Kreu i ekzekutivit kosovar nuk është takuar as me homologun e tij italian, Enrico Leta, e as me presidentët francezë e italianë, përkatësisht Francois Hollande dhe Giorgio Napolitano.
Thaçi nuk mbahet mend të ketë zhvilluar vizita zyrtare në Zvicër, aty ku ka jetuar e studiuar disa vjet gjatë viteve të 90-ta.
As presidentja e Republikës së Kosovës nuk është takuar ndonjëherë me kryeministrat anglezë e italianë dhe shumë burrështetas tjerë evropianë.
Këta liderë evropianë shpeshherë kanë gjetur kohë t’i takojnë liderët e shteteve fqinje, por jo edhe Jahjagën, Thaçin e Krasniqin.
Analistët kosovarë thonë se mosgatishmëria e liderëve nga shtetet e fuqishme evropiane që t’i takojnë homologët e tyre kosovarë ndërlidhet me shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, si dhe me ndikimin negativ që ka pasur raporti i Dick Martit në arenën ndërkombëtare.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar për “Zërin” se shumë nga këto shtete tashmë e kanë bërë të qartë që Kosova perceptohet nga ana e tyre si vend ku çdo ditë rritet niveli i krimit dhe korrupsionit dhe se fajin kryesor për mosluftimin e këtyre dukurive e mban Qeveria e Kosovës që edhe vetë është e zhytur në skandale korruptive.
“Në këtë situatë është krejtësisht e pritshme që liderët e këtyre vendeve të mos pranojnë të kenë takime me kreun e kësaj qeverie që është shkaktare kryesore e ngecjes së Kosovës në luftimin e këtyre dukurive negative”, ka thënë Osmani.
Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se niveli i rënies së qeverisjes në Kosovë ka ndikuar që personalitete të ndryshme të vendeve të fuqishme në Evropë të mos kenë takime me kryeministrin Thaçi.
“Në përgjithësi Kosova ka një rënie të reputacionit si shtet me këto zhvillime që po ndodhin dhe është arsyeja e mosecjes si duhet të vendit sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krijimit të marrëdhënieve me vendet tjera, e këto janë efekte që po e përcjellin Kosovën, prandaj ka hezitim nga liderët evropianë”, ka pohuar Isufi.
Korrupsioni, raporti i Dick Marty-t
Analisti, Shpend Kursani, ka thënë se mungesa e takimeve me liderë të vendeve më të fuqishme evropiane është pasojë e disa shkaktarëve, prandaj, sipas tij, liderët kosovarë nuk duhet të angazhohen që të bëjnë takime sa për t’u fotografuar, por duhet të bëjnë përpjekje që të përmirësohet gjendja në Kosovë.
Sipas tij, ndikim në këtë aspekt kanë edhe dyshimet e përfshirjes së kryeministrit në korrupsion, si dhe dyshimet për mungesën e legjitimitetit të presidentes.
“Nuk duhet të fokusohen në takime sa për “sy e faqe” sepse zotëri Thaçi vazhdimisht po shkon në ShBA, ndërsa Kosova vazhdimisht po dobësohet, e kjo duhet të ndryshohet. Pastaj duhet të shikohet se mos ndoshta liderët evropianë nuk po takohen me ata kosovarë për shkak të dyshimit të përfshirjes së kryeministrit në korrupsion, apo mungesës së legjitimitetit të presidentes Jahjaga”, ka thënë ai.
Edhe Ardian Arifaj nga instituti “KIPRED” ka thënë se është shumë me rëndësi që të fokusohemi te shkaktarët e mungesë së vullnetit për të liderëve evropianë për t’u takuar me Thaçin e Jahjagën.
“Është e rëndësishme që e tërë shoqëria të merren me shkaktarin e keq të Kosovës, nuk mjaftojnë vetëm takimet, por duhet të punohet që të ndryshohet imazhi i Kosovës si shtet ku lulëzon korrupsioni, të kërkohet që të kryhen hetimet në lidhje me raportin e Dick Martit. Me një fjalë duhet të punohet që të ndryshohen rrethanat që po i japin imazh të keq vendit”, ka thënë Arifaj.
Takimet përmirësojnë imazhin
Profesori i së Drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka deklaruar se politika e Jashtme e Kosovës ka shumë mangësi dhe fajin kryesor e hedh te presidentja.
“Është evidente që në politikën e jashtme kemi çalime shumë serioze dhe në këtë drejtim pasojat e këtyre çalimeve vërehen edhe në mungesën e takimeve me liderët e disa vendeve të fuqishme evropiane. Në radhë të parë Presidentja duhet të angazhohet më shumë sepse ajo është bartëse e politikës së jashtme, duhet të kihet më shumë kujdes sepse ajo përfaqëson unitetin e popullit dhe në këtë drejtim ajo duhet të jetë shumë më aktive”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka shtuar se takimet me liderët e vendeve të fuqishme do të ndikonin shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës.
“Nuk ka dilemë që me realizimin e takimeve me këta liderë do të ngrihej imazhi i Kosovës, sepse këto vende kanë ndikim në politikën botërore dhe vetë takimet e liderëve të tyre do përçonte lajmin e mirë që shteti i Kosovës është aktiv”, ka përfunduar Hoti./zeri/