Qeveria turke ka shkarkuar 350 oficerë policie në kryeqytetin Ankara, në lidhje me operacionin anti-korrupsion të vitit të kaluar, ku u përfshinë djemtë e tre ministrave. 
Sipas informacioneve të fundit, shkarkimet janë firmosur gjatë orëve të natës, me 250 persona, shumica e të cilëve nga qytete të tjera, të zgjedhur për të zëvendësuar të larguarit.
Qindra policë janë shkarkuar ose rivendosur në poste të tjera që nga nisja e hetimit në dhjetor. Kryeministri Erdogan akuzon policinë dhe gjyqësorin për orkestrimin e një “lojë të pistë” ndaj qeverisë së tij.
Shkarkimi i fundit dhe ricaktimi i disa oficerëve në poste të tjera u krye përmes një dekreti të ekzekutivit të publikuar në mesnatë. Mes të dëbuarve janë shefa të anti-krimit financiar, anti-kontrabandës dhe anti-krimit të organizuar, raportojnë agjencitë private të lajmeve.
Skandali që ka shpërthyer në Turqi detyroi kryeministrin Erdogan që muajin e kaluar të riorganizonte kabinetin e tij, pas dorëheqjes së tre ministrave, djemtë e të cilëve ishin në mesin e dhjetëra të arrestuarve për mitmarrje.
Skandali pati ndikim edhe tek lira turke, duke sjellë një rënie të ndjeshme të saj kundrejt dollarit amerikan. Në mesin e skandalit reagoi edhe ushtria e fuqishme turke, e cila deklaroi se nuk do të përfshihej në “konflikte politike”.
Deklarata e ushtrisë, e postuar në faqen e saj të internetit, ishte përgjigje e spekulimeve në media se pas gjithë kësaj situate mund të fshihet një përpjekje për grusht shteti.
Forcat e armatosura turke nuk duan të përfshihen në debatet politike. Por nga ana tjetër do t’i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet në vend, sidomos në raport me identitetin dhe pozicionin ligjor të pjesëtarëve të saj”, thuhej në deklaratë. / Top Channel