Çfarë firmosën të shtunën dy kabinetet qeveritare, në deklaratën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, që u cilësua historik?
Ky është dokumenti i shpërndarë nga Kryeministria, ku firma e kryeministrave, Rama e Thaçi, shënon fillimin e një marrëdhënieje të re të dy shteteve shqiptare.
Në deklaratën pesë faqëshe, ku Shqipëria dhe Kosova angazhohen të bashkëpunojnë ngushtësisht, që në krye vlerësohet rëndësia historike e proceseve integruese rajonale, europiane dhe euroatlantike dhe konstatohet konteksti i ri i zhvillimeve pozitive në rajon, me vizionin dhe vullnetin e përbashkët për t’u bërë pjesë e një historie të re dhe perspektivës së pakthyeshme të integrimit europian dhe euroatlantik.
“Përsa më lart deklarojmë, në emër të dy qeverive tona, dhe shprehim solemnisht angazhimin për të zhvilluar një kuadër të strukturuar dialogu dhe bashkëpunimi strategjik, nëpërmjet institucionalizimit të praktikës së re të mbledhjeve të përbashkëta, jo më pak se një herë në vit”.
1. Politika e Jashtme dhe Siguria janë çështjet e para, që hapin deklaratën e përbashkët. Shqipëria dhe Kosova angazhohen të bashkërendojnë aksionin e përbashkët politik dhe diplomatik. Zotimi, për thellimin e bashkëpunimit të politikës së jashtme, mbështet avancimin e dialogut të nisur mes Kosovës dhe Serbisë dhe, nga ana tjetër mbështet:
“Koordinimin e përpjekjeve dhe aksionit diplomatik për afirmimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përmes shtimit të numrit të njohjeve, anëtarësimit në organizatat rajonale, europiane e globale, si dhe integrimit të plotë të saj në sistemin ndërkombëtar, me synimin final anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Mes të tjerash, politika e jashtme e dy vendeve tona angazhohet në koordinimin e përpjekjeve për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve me SHBA-të, si aleati kryesor dhe i përbashkët strategjik, me vendet anëtare të BE-së, si dhe me partnerët e tjerë të rëndësishëm rajonalë dhe ndërkombëtarë.
2. Shqipëria dhe Kosova zotohen për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të zbatimit të ligjit, mes organeve më të larta gjyqësore. Në këtë pikë të deklaratës, për drejtësinë dhe çështjet e brendshme, Shqipëria dhe Kosova angazhohen për ndihmë reciproke në raste të emergjencave civile, si dhe masave të përbashkëta për sigurinë rrugore.
3. Një nga pikat, e përshëndetura fort për bashkëpunimin mes dy vendeve, dhe që në deklaratë zë një hapësirë të rëndësishme, është ekonomia. Nisur nga pengesat dhe vështirësitë e mëdha të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve këto vite, përmes firmosjes së këtij dokumenti, zotimi është për krijimin e një klime nxitëse për biznesin në një treg të integruar.
Palët angazhohen të punojnë intensivisht me partnerët, për të mundësuar një degëzim të TAP në Kosovë. Ndërtimin e linjës ndërkufitare 110kV, hartimin e strategjive të përbashkëta për zhvillimin dhe modernizimin e transportit në mes dy vendeve. Nxitjen e turizmit përmes një strategjie të përbashkët.
4. Kultura, Arsimi dhe Shkenca… Janë fusha, ku qeveritë shqiptare angazhohen për bashkërendim të politikave dhe hartimin e strategjive të përbashkëta. Kontretizimi i këtyre angazhimeve – thuhet në deklaratë, – do të bëhet në mbledhjet e përbashkëta, që do të mbahen çdo vit, mbi bazë të një kalendari të rregullt dhe mbi parimin e rotacionit, ku përgjegjës për planifikimin dhe përgatitjen e tyre janë ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës do të veprojnë si bashkëdrejtues të mbledhjeve të dy qeverive. Deklarata e nënshkruar në tri kopje, në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, mbyllet me synimin e përbashkët të dy shteteve shqiptare: e ardhmja europiane./TCH