Ndihmës-trajneri i kombëtares së Maqedonisë, Nexhat Shabani, është trajner i ri i Shkëndijës së Tetovës, ku vjen si zëvendësues i Artim Shaqirin e shkarkuar dy ditë më parë.
Ky është rezultati i bisedimeve të fundit të kryesisë së re të Shkëndijës me trajnerin shkupjan, i cili faktikisht rrikthehet në pankinën ‘kuqezi’, ku punoi edhe sezonin e kaluar.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes për TV Alsat-M e konfirmon edhe vetë Nexhat Shabani, i cili shton se ka pranuar të rrikthehet te Shkëndija, pasi që e ndjen obligim moral për tu ndihmuar tetovarëve në këtë moment të ndryshimeve.
Lëvizjet te Shkëndija e Tetovës erdhën pasi javën e kaluar organet kompetente i dhanë legjitimitet presidencës së Idriz Ibishit, ndërsa ky i fundit ndryshimin e parë e bëri me shkarkimin e trajnerit Shaqiri. Pritet që promovimi i Nexhat Shabanit, të bëhet ditën e martë.