Në kontekstin e një shoqërie pluraliste, ndjeshmëritë fetare sidomos në lidhje me Islamin si fe e federatës, duhet të respektohen, ka thënë Sulltan Abdul në fjalimin e tij.
Mbreti i Malajzisë ka dhënë mbështetjen e tij të dielën për një vendim të gjykatës që ndalon jomuslimanët të përdorin fjalën Allah për t’iu referuar Zotit, duke u shprehur për herë të parë për një çështje që ka nxitë tensione fetare në vendin multi-kulturor.
Një gjykatë në tetor vendosi se fjala është ekskluzive për shumicën muslimane në Malajzi, duke hedhur poshtë një vendim të mëparshëm që lejon një gazetë katolike të përdorë emrin Allah në edicionet e saj. Vendimi i gjykatës ka bërë që udhëheqsit muslimanë të bëjnë thirrje kundër të krishterëve të cilët nuk binden.
“Në kontekstin e një shoqërie pluraliste, ndjeshmëritë fetare sidomos në lidhje me Islamin si fe e federatës, duhet të respektohen”, ka thënë Sulltan Abdul Halim në fjalimin e transmetuar nga agjencia e lajmeve Bernama. “Konfuzioni dhe polemikat mund të shmangen nëse respektohen dispozitat e ligjit dhe vendimet gjyqësore.”
Megjithëse mbreti ka kompetenca të kufizuara, ai konsiderohet si mbrojtës i besimit Islam dhe respektohet thellë nga muslimanët në Malajzi. Sulltanët janë bërë gjithjnë e më të zëshëm për rolin e tyre në mbrojtjen e Islamit, në një vend që gjithashtu ka pakica tjera, të konsiderueshme, të krishterë, budistë dhe hindus.
Në fillim të këtij muaji autoritetet fetare në shtetin Selangor konfiskuan mbi 300 Bibla nga një grup i krishterë, duke thënë se ata vepruan në bazë të një dekreti nga sulltani i këtij shteti që ndalon përdorimin e emrit Allah nga jomuslimanët e këtij shteti./mesazhi