Dr. Mustafa Ebu Sad
Nuk janë vetëm vlerësimi dhe lëvdatat, apo ndrydhja e ndjenjave të fëmijës, ato që përcaktojnë nivelin e besimit të fëmijës tek vetja. Ka rrugë dhe metododa të tjera, me anë të të cilave ne programojmë fëmijët tanë, ku më të rëndësishmen unë do të veçoja mënyrën si u japim udhëzimet dhe urdhërat. Kjo, duke bërë përzgjedhjen pozitive ose negative të fjalëve.
Ne të rriturit, i orientojmë sjelljet dhe ndjenjat tona, me anë të të folurës me veten, pra me bisedat që zhvillohen brenda kokës tonë. Secili prej nesh, bisedon me veten, si p.sh:”Më duhet të mos harroj të bëj sigurimin e makinës” “Oh sa e çuditshme! Paskam harruar portofolin! Kam filluar të harroj shumë kohët e fundit…”
Psikologët janë habitur nga dallimet e mëdha mes të folurit me vete tek njerëzit e lumtur dhe të folurit me vete tek njerëzit e dëshpruar dhe të pakënaqur nga ana tjetër.
Të folurit me vete, është një çështje e cila mësohet direkt nga prindërit ose mësuesit.
Prandaj, ti si prind ke rastin më të mirë për t’i ofruar fëmijës tënd performancën më pozitive të mundshme, të cilën ai e përfton dhe adopton për të formuar një karakter të guximshëm dhe të qetë.
Fëmijët, e  mësojnë spontanisht mënyrën si të organizohen dhe si të udhëzojnë. Këtë ata e bëjnë duke parë dhe ndjekur mënyrën e të folurit të prindërve teksa u japim udhëzimet dhe orientimet e duhura. Prandaj, është shumë e dobishme që kjo t’ju jepet në formën e duhur.
Për shembull, ne mund t’u themi fëmijëve para se t’i nisim për në shkollë:”Pash Zotin, mos bëj shamatë sot me asnjë në shkollë!” Por mund t’u themi edhe kështu:”Dua që sot të kalosh një ditë të bukur në shkollë! Luaj vetëm me shokët dhe fëmijët të cilët i don!”
Fakulteti i mjekësisë në Kaliforni, në vitin 1986 thoshte:”Që nga lindja deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, fëmija merr nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë mesazhe negative. Kjo, kundrejt vetëm gjashqind mesazheve pozitive!!”
Në rrjeshtat e mëposhtme, do të përmendim njëzet e dy shprehje të  cilat konsiderohen si më negativet me të cilat një i pjekur dhe i rritur, mund t’i drejtohet një fëmije:
Ti nuk bën për asgjë dhe kurrë nuk do të rregullohesh.
Ah sa do të doja mos të të kisha lindur më mirë.
Si mund të jesh kaq idiot?
Je i padobishëm.
Nuk mund të të duroj.
Nëse nuk përmirësohesh, do të të çoj në shtëpinë e riedukimit.
Kurrë nuk do të arrish të bëhesh student universiteti.
Ti gënjen.
Ti nuk e bën dot atë kurrë.
Përse nuk shikon vëllanë dhe motrën tënde?
Ti je trashaluq dhe i shëmtuar.
Ti ke një personalitet të keq, që nuk i përshtatet veçse një tipi idiot si puna jote.
Ne duhet t’i shohim fëmijët, por jo t’i dëgjojmë.
Ti duhet të jesh i lumtur, pasi janë vitet më të bukura të jetës tënde.
Sikur të mos ishe ti, unë dhe nëna jote nuk do të kërkonim divorcin.
Gruan e parë të babait tënd, e donim më shumë se ç’duam nënën tënde. Sa do të donim që ai të mos ishte martuar kurrë me nënën tënde.
Nëse e bën atë gjë, ti nuk je më fëmija im.
Bëj siç të them dhe mos bëj siç bëj unë.
Përse të jesh ti fëmija im, mes gjithë këtyre njerëzve?!
Ti je më i shkurtëri në klasë, prandaj e dorëzon fletën i fundit.
Na vjen keq që nuk luajte me ne, pasi dëshironim t’a fitojmë këtë ndeshje.
Të dua, por…!
 
Fjalë të tilla janë shumë të ashpra, të cilat mund të thuhen në raste gjaknxehtësie. Fjalë të tilla depërtojnë në zemrën e fëmijës dhe jetojnë brenda tij gjatë gjithë jetës. Prandaj, ne duhet të mendohemi mirë, para se të flasim.
 
Tridhjetë shprehjet më të dobishme që një i rritur mund t’i drejtojë një fëmije:
Të dua.
Si je?
Ti je njeri i mirë.
Ti mund të bësh gjithçka nëse vendos t’a bësh.
Ti je shumë i zgjuar.
Unë jam shumë i lumtur që Zoti më ka dhënë një fëmijë si ty.
Je shumë i talentuar.
Kur të vendosësh të bësh diçka, duhet t’a çosh deri në fund.
Ti je njësh.
Ti meriton përgëzimet e mia, sepse e meriton.
Ti mund të shkosh, dhe unë nuk do të ndihem merakosem pasi besoj në aftësitë e tua.
Je i bukur.
Ti kontribon shumë për këtë familje.
Ti je i shkëlqyeshëm në…
Unë të dua kështu siç je.
Si ndihesh karshi kësaj çështjeje? Çfarë mendimi ke?
Unë të vlerësoj shumë dhe kam respekt të madh.
Ti je më i përgjegjshëm se shumë të rritur të cilët i njoh.
Ti do të arrish t’i realizosh të gjithë ëndrrat e tua, falë personalitetit tënd të mrekullueshëm.
Ke bërë diçka të mrekullueshme, gjë që më bën krenar.
Mua më bëhet qejfi, pasi tashmë mund të mbështetem tek ti.
Unë dhe nëna jote të kemi dashur që në çastet e para që ke lindur dhe kjo dashuri do të vazhdojë gjithë jetën.
Supet e tua mbajnë një kokë dhe një tru të madh.
Ti ke dhunti të pakufizuara.
Unë kam besim tek ti.
Të shoqërohesh me ty, është e këndshme.
Ti më pëlqen shumë.
Puna jote e palodhur, i ka dhënë frutat.
Unë të vlerësoj dhe çmoj.
Unë ndihem i privilegjuar që të njoha.
 
Tetë gjëra duhen kujtuar sa herë që themi “Të dua”.
1 – Është fjala më e rëndësishme të cilën duhet të kujtohesh dhe t’ia thuash fëmijës tënd. Këtë fjalë duhet t’ia thuash në mënyrë të përsëritur. Nuk ka përse t’i thuash:”Po unë të kam thënë në vitin 1994 që të dua?!”
Kjo fjalë, nuk duhet të jetë e rrallë si vizita tek dentisti, e cila bëhet një herë ose dy në vit.
2 – Kije parasysh se fjala “Të dua” ka dallim të madh nga ndenja e dashurisë e cila konkretizohet në vepra, si (përkujdesja për fëmijën, sigurimi i nevojave, larja e rrobave etj…) Fëmijët duhet t’a ndjejnë dashurinë e prindërve në forma të ndryshme, ku hyn dhe fjala “Të dua”.
3 – Mos prit që fëmija të t’a kthejë “Edhe unë të dua”. Ti duhet t’ia shprehësh që e don, i shtyrë nga kjo ndjenjë që të vlon nga brenda.
4 – Shmang çdo lidhje mes fjalës “Të dua” dhe ndonjë sjellje të fëmijës. Mos i thuaj “Të dua kur…” Fjala “Të dua” nuk ka nevojë për pjesë të tjera ligjërate dhe nuk ka përse të kushtëzohet.
5 – Nëse e ke të vështirë t’i thuash “Të dua” shkruaje në një letër dhe vendosja tek jastëku i tij personal. Një nënë që e kishte të vështirë t’i thoshte “Të dua” fëmijës së saj, fillimisht u mësua duke i thënë një kafshe shtëpiake, pastaj arriti t’ia thotë dhe fëmijës.
6 – T’a pasosh fjalën “Të dua” me pjesësën “Por” e bën atë të dyshimtë. Mos e përdor fjalën “Të dua” thjesht për të krijuar një ambjent të pranueshëm dhe më pas të shtrosh një çështje e cila të vendos përballë fëmijës. Ti vetëm mund të kërkosh një mënyrë të sjellurit që dëshiron, ose që nuk e dëshiron.
7 – Fjalët “Të dua” janë shumë private dhe intime ndonjëherë. Kur thuhen në prezencën e shokëve të fëmijës, mund t’i vërë të pranishmit në siklet, sidomos në disa etapa moshore të caktuara.Gjithësesi, kjo është relative.
 
Përktheu: Elmaz Fida