A do të përsëritet tempoja e vjetshme e harxhimeve parazgjedhore që në fund të vitit rezultoi me zbrazëtirë më të madhe në arkën shtetërore – minus më i madh nga ai që ishte planifikuar që nënkuptonte edhe marrje të huave më të mëdha se sa ato që ishin të planifikuara? Për një muaj e gjysmë qeveria paraqiti deficit buxhetor prej 141 milion eurosh, pothuajse gjysma e minusit të projektuar për gjithë vitin 2014. Në Raportin për harxhimet gjatë janarit deri në 14 shkurt, shteti ka harxhuar 386 milionë euro ndërsa ka mbledhur pothuajse 245 milionë euro. Ministria për Financa thotë se të ardhurat janë në përputhje me projektimet. Nëse është ashtu, atëherë hapen më tepër çështje.
Të gjithë presin pagesa – askush nuk pyet se prej ku paratë?
Sipas ekspertëve që i konsultoi “Portalb”-i, qeveria së pari duhet të përgjigjet se pse, nëse të ardhurat janë në përputhje me planin, është gjeneruar deficit më i lartë buxhetor për një periudhë më të shkurtër se sa deficiti i vitit të kaluar (për periudhën janar dhe shkurt). Ajo që është çështje kyçe është se prej ku, gjegjësisht me cilat para financohet zbrazëtira në arkën shtetërore.
Marrja e huave në terren vendor gjatë muajit shkurt praktikisht mori fund. Tre auksionet e fundit të bonove të thesarit u anuluan. Sipas Ministrisë për Financa, marrja e huave është anuluar për shkak se buxheti paska qenë në gjendje të mirë të likuiditetit. Atëherë, me cilat para do të mbulohet deficiti buxhetor. Sipas njohësve të çështjes, mbeten dy opcione, kreditë e huaja dhe harxhimi i depoziteve shtetërore.
“Qeveria duhet të përgjigjet se me cilat para financohet deficiti buxhetor prej 141 milionë eurosh. Nëse deri tani janë anuluar disa huazime të paralajmëruara nga kreditorët vendorë, atëherë deficiti me gjasë financohet nga huazimet nga jashtë. Mbetet e paqartë se pse, në qoftë se të ardhurat në buxhet janë në përputhje me projektimet, për dy muaj jo të plota gjenerohet deficit që është pothuajse sa gjysma e deficitit të planifikuar për tërë vitin” – thotë njëri nga ministrat e mëparshëm për financa dhe profesori universitar, Nikolla Popovski.
Në Raportin e parë parazgjedhor, qeveria informoi se për një muaj e gjysmë ka paguar shuma milionëshe në emër të subvencioneve, kamatave, kësteve për kreditë e mara. Pjesa më e madhe parave të shpenzuara kanë shkuar për rroga, pensione dhe transfere sociale. Poashtu, vetëm për subvencione janë paguar pothuajse për 32 milionë euro. Edhe pas 14 shkurtit, Ministria për financa në kontinuitet informoi për pagesa të subvencioneve.
Lajmet e mira për vreshtarët, blegtorët, kopshtarët dolën edhe në faqen zyrtare në Facebook të ministrit Stavrevski. Pagesa të subvencioneve dhe bursa për nxënës për çdo ditë, pas 14 shkurtit, që gjithsesi do ta ndryshojë pasqyrën për shpenzimet e shtetit në Raportin e ardhshëm për harxhimet parazgjedhore. E deri tani, vetëm në bazë të kamatave të kredive të shfrytëzuara dhe letrave të emituara me vlerë, qeveria ka paguar pothuajse 12 milionë euro. Për shpenzimet kapitale janë harxhuar mbi 33 milionë euro, ku bëjnë pjesë kësti për autobusët e rinj dhe pagesa e veturave të ambulancës prej pothuajse 2 milionë eurosh.
Marrja e huave parazgjedhore – model i vërtetuar?
Nënkryetari i LSDM-së dhe profesori universitar, Vanço Uzunov, thotë se llogaritja tregon se për çdo ditë, nga fillimi i këtij viti harxhohen nga 13 milionë euro para të popullit.
“Shpenzim më të madh ka te linjat e subvencioneve, transfereve sociale dhe benificioneve sociale, për çka janë harxhuar 182 milionë euro për 45 ditë”, deklaroi Uzunovi.
Nga VMRО-DPMNE-ja në pushtet thonë se nuk shohin asgjë kontestuese në tempon aktuale të shpenzimit të parave. Ata thonë se pensionistët gjithmonë i marrin paratë në kohë, ndërsa të papunësuarit subvencionet për punësim.
“Të papunësuarit gjithmonë mund të llogarisin në këtë qeveri. Pse? Sepse siguruam mbi 100 mijë vend pune. Dhe kjo nuk ndodhi tani, por me vite të tëra, si rezultat i masave të vazhdueshme të qeverisë”, vlerësojnë nga partia në pushtet.
Edhe pse Ministria për Financa me Kodin zgjedhor u obligua që të publikojë Raporte për shpenzimet gjatë periudhës parazgjedhore, megjithatë një pjesë e ekspertëve dyshojnë se publiku do të ketë qasje të plotë në atë se si harxhohen paratë e popullit.
Paradokohësh, në një deklaratë për “Portalb”-in, njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini deklaroi:
“Mjetet e buxhetit shfrytëzohen për presion mbi opozitën. Pushteti edhe sot e kësaj dite, në mënyrë të vrazhdë nuk jep informata për atë se sa para harxhohen për propagandë. Nuk pres se edhe do të japin një informatë të tillë, e ruajnë si fshehtësi më të madhe, por do të thoja se gjurmët e shpenzimit të parave do të mbeten”, thotë Hajredini.
Si, sa dhe për çka do të harxhohen paratë e popullit gjatë periudhës parazgjedhore do të analizohet në periudhën e ardhshme, por përvoja e deritanishme tregon se zgjedhjet kanë çmim të lartë që paguhet më vonë.
Ja se sa para janë shpenzuar dhe janë marrë hua gjatë cikleve të kaluara zgjedhore:
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011: Pak para se të mbahen zgjedhjet, qeveria dhe FMN-ja nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 220 milionë eurosh. Paratë filluan të harxhohen para fillimit të zgjedhjeve. Atëbotë ekspertët kërkuan të jepet llogari për atë se për çka do të harxhohen paratë e kësaj huaje që do të duhet të kthehet nga paratë e qytetarëve. Sipas llogaritjes së LSDM-së opozitare, dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, në bazë të të hyrave të ndryshme nga jashtë, në buxhet kanë hyrë 280 milionë euro.
Zgjedhjet lokale të vitit 2013: Pikërisht vitin e kaluar, procesi zgjedhor e shtrydhi arkën shtetërore. Zbrazëtira, gjegjësisht deficiti buxhetor prej 3,5% u thellua në 3,9%. Të hyrat nuk arritën t’i financojnë të gjitha shpenzimet e qeverisë, të cilat sipas Ministrisë për Financa, u theksuan në periudhën parazgjedhore. Llogaritjet tregojnë se në atë periudhë, shteti ka marrë hua edhe nga kreditorët e vendit edhe nga ata të jashtmit. “Dy muaj para se të mbahen zgjedhjet lokale të vitit 2013, të hyrat në buxhet në bazë të huave nga jashtë u rritën për pothuajse 280 milionë euro. Tre muaj para mbajtjes së atyre zgjedhjeve, gjegjësisht në dhjetor të vitit 2012, në janar dhe në shkurt të vitit 2013, të hyrat në buxhet në bazë të huazimeve në terren vendor nëpërmjet letrave shtetërore me vlerë, u rritën për pothuajse 230 milionë euro”, vlerësuan nga LSDM-ja opozitare, e cila me këto llogaritje përpiqet të tregojë se shpenzimet e intensifikuara qeveritare gjatë periudhës parazgjedhore janë përdorur për blerjen e votuesve.
Për realizimin e zgjedhjeve presidenciale janë planifikuar 4 milionë euro, por Komisioni shtetëror i zgjedhjeve paralajmëroi se do të kërkojë edhe dy milionë euro që të mund t’i kryejë obligimet dhe kompetencat e saj. Shpenzime plotësuese buxhetore do të paraqesin edhe zgjedhjet eventuale të parakohshme paralamentare, të cilat akoma janë në lojë, në pako me ato presidencialet./Portalb/
EDITOR
11 years ago
next article
Analistët: Shqipëria po dorëzohet para kohe
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
2 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
2 hours ago