Rreth pesëqind fëmijë të komunës së Gazi Babës në Shkup kanë simptoma të skoliozës ose shtrembërimit të shpinës. Këtë e treguan rezultatet e një studimi të realizuar me prindërit e fëmijëve të 11 shkollave të Gazi Babës nga spitali privat “Remedika”. Studimi përfshiu anketimin e 5 mijë personave. Prej tyre rreth 3.800 ishin maqedonas, kurse mbi 1.100 shqiptarë. Më shumë se gjysma e prindërve të fëmijëve prej klasës së parë deri në klasën e pestë thanë se fëmijën e tyre i kanë dërguar për kontroll ortopedik jashtë kontrolleve të rregullta mjekësore. Po vërehet se një pjesë e madhe e fëmijëve nuk merren me sport jashtë shkollës. Nëse shtrembërimi i shpinës nuk trajtohet në kohë mund të çojë deri në komplikime shëndetësore.
“Transformimi i shpejtë i shoqërisë dhe mënyra e jetesës për fat të keq reflektohet edhe në rritjen e fëmijëve, për shkak se fëmijët janë gjithnjë në pozitë të ulur, tërë ditën e kalojnë në shkollë, shumë pak janë aktiv dhe atë aktivitet dhe kohë të lirë që e kanë është disi e çorganizuar “, tha Dr Ivanka Stefanovska, shefe e repartit të Ortopedisë në “Remedika”. Alsat-M