Një tregim prekës, me ngjyrime të shumta islame, drejtësia e Omerit dhe fryma mbizotëruese e Islamit mbi fjalën e dhënë, faljen dhe vllazërinë… ky tregim është botuar për herë të parë në Kultura Islame e vitit 1940, dhe përmenden emra sahabesh të mëdhenj si dhe jetësimi që i kanë bërë ata Islamit.
Anët e rrugës ranishte që shkonte prej Mekës në Medine, mbuloheshin prej pyjeve tërheqës me pemë hurmash; nën këto pemë rridhnin burime me ujë të ftohtë e të kulluar. Karvanët, që çanin shkretëtirën e mërzitshme, falënderonin Zotin kur mbërrinin në këtë dhuratë. Atje qëndronin për t’u shkarkuar devetë e tyre, për të pirë atë ujë të ftohtë e të kulluar dhe për të kaluar vapën e mesditës nën hijen e pemëve me degët si tenda, ndërsa të zotët çlodheshin, kafshët e tyre lëshoheshin sa andej-këndej për të kullotur. Në mes të këtyre pemëve ndodheshin, aty-këtu, kasolle të shpërndara, kasolle me një pamje krejt të thjeshtë, ku banonin kopshtarë dhe banorët e një sheiku, zotnia i oazeve. Në qendër të këtij vendi ishte një fshat ku ndodhej një vilë e vogël dhe e bukur, e qarkuar prej kopshteve me pemë; ajo ishte banesa e sheikut. Tek këto banesa në vetmi mbretëronte paqja dhe kënaqësia, jeta kalonte në qetësi gjithnjë. Kur, në një mesditë nga të tjerat ndodhi që një djalosh të shkojë andej me deve; djaloshi simbas zakonit, qëndroi në oaz për të bërë pak pushim; dhe mbasi ishte i lodhur dhe i këputur, e lëshoi devenë të kullosë dhe u plandos nën hijen e një peme, pranë burimit ku frynte një fllad i freskët, dhe porsa ra e zuri gjumi. Kafsha duke kullotur aty këtu, më në fund hyri në kopshtin e sheikut dhe filloi të kullosi aty e të prishi vreshtën me rrush. Ruajtësi i sheikut, një plak i devotshëm e zemërbardhë, ishte duke shtruar një qilimth për t’u falur, si vështroi pa që vreshta e agait të tij dëmtohej, mori shkopin në dorë dhe vajti e nxori kafshën. Pas pak kjo gjeti një shteg tjetër dhe hyri përsëri, plaku edhe këtë radhë shkoi dhe e nxori, por kjo s’u ndal dhe kështu shkoi për të tretën herë dhe bëri dëm; këtë radhë ruajtësi ia tërhoqi me shkop devesë dhe pa dashur e goditi fort, duke e lënë, me një të rënë, të ngordhur në vend. I zoti i devesë, djaloshi, ishte në gjumë kur po ndodhte kjo ngjarje; as në ëndërr nuk po e shihte se ç’po i pësonte deveja e tij e shtrenjtë. Për pak u zgjua, pemët i kishin zgjatur hijet e veta, rrezet e diellit e kishin humbur nxehtësinë e tyre, ishte koha për të shkuar. Përpara se të përgatitej për t’u nisur u pastrua, mori abdes me ujë të freskët, si një musliman i mirë, shtroi qylymin dhe fali namazin e pasdrekes, me zemër të pastër e me përulje falënderoi Zotin për hijen e freskët, për ujin e ftohtë, për prehjen e për kënaqësinë që i kishte siguruar në atë shkretëtirë. Me të mbaruar u bë gati të nisej, kërkoi devenë, shiko andej e shiko këndej, por nuk po e shihte kërkund. “Ku do të ketë shkuar”?, -thoshte me vete. Si shkoi pak më tutje dhe hyri në kopshtin e sheikut, e pa devenë të ngrirë e të shtrirë pa frymë! Edhe sikur t’i kishte rënë ndonjë rrufe nga lart nuk do ta kishte tronditur aq shumë. Ngordhja e kafshës së bukur, e cila për atë ishte e dashur si një shok, e hidhëroi pa masë.
Kopshtari, që kishte vrarë devenë, iu afrua djaloshit që t’ia kallëzonte ngjarjen pikë për pikë. “Më fal o bir”, -thotë plaku,- “qe kader, qe fatkeqësi, s’e pata me qëllim një të tillë punë, kafsha ishte duke bërë dëm në kopsht; e përzura një herë, hyri për së dyti, e përzura prapë, hyri për së treti, edhe këtë radhë desha ta nxjerr, e qëllova me shkop për ta përzënë, por fatkeqësisht pa dashje e godita keq dhe mbeti e ngordhur. Dhe ngjau ajo që ngjau, pa dashje kjo fatkeqësi. Jam shumë i pikëlluar, pa masë”. Djaloshi kaq u turbullua saqë nuk ishte aspak në gjendje t’u vinte veshin fjalëve që thoshte plaku, dëshpërimi i tij kishte kaluar çdo kufi. E mbërtheu plakun e gjorë për fyti me duart e tij të çelikta duke bërtitur: “ti i marrë, ti i marrë! Si guxove që ta prekësh devenë time”? – dhe nga gjaknxehtësia e shkundi kaq fort sa menjëherë u shkrehën krahët e dobëta të plakut, zemra i pushoi së rrahuri dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë dha shpirt e ra i vdekur për tokë.
Tashti, kur i kaloi gjaknxehtësia e çastit, mbeti i tmerruar për çka bëri, e goditi rëndë hidhërimi për fajin e bërë. I dha fund jetës së një vëllai dhe shkeli ligjin e shenjtë të fesë islame. “Jeta, nderi dhe pasuria e njëri-tjetrit janë të shenjta dhe nuk mund t’i shkelni.” A nuk qe kjo porosia e fundit që i bëri Profeti botës islame në kohën që do të ndahej nga kjo jetë? Këto fjalë djalit i tingëllonin pa ndalim nëpër veshë; e mbuloi turpi. Thoshte me vete që ishte një tradhtar dhe një mysliman pa kurrfarë vlere; duke marrë jetën e një vëllai nuk e mbajti amanetin e fundit të Profetit, që i la çdo myslimani.
Ishte tepër vonë, çka u bë u bë, tashti puna ishte se ç‘do të bënte? Nuk u ndodh njeri që ta shihte. A të ikte për të shpëtuar kokën? Po të dorëzohej e priste litari, ç‘të bënte? Kështu mendonte me vete dhe pothuaj qe gati të anonte nga instinkti i vetëmbrojtjes, duke vendosur që të arratisej e t’i shpëtonte dënimit të ligjit. Ndërsa bëhej gati që të arratisej i erdhi një zë nga thellësia e shpirtit e i thotë, jo! Kurrë. Nuk është për një mysliman të iki e t’i shpëtojë dënimit të ligjit. T’i shpëtosh ligjit të kësaj bote do të thotë mashtrim e tradhti, nuk është për një mysliman që të mashtrojë e të tradhtojë. Shkoi drejt e në vilën e sheikut dhe e dorëzoi veten si vrasës i kopshtarit plak.
Në këtë kohë mbretëronte në Medine, i madhi Omer si Kalife i Myslimanëve: drejtësia e paanësia e tij ishte me famë; nuk mbante as të lartë as të ulët, as mik as armik. Kur e gjeti të birin në një faj pat urdhëruar të dënohej me vdekje. Në një të tillë gjyq po e dërgonte sheiku djaloshin të gjykohej, të dy djemtë e plakut po e shoqëronin për në gjyq.
Pas një udhëtimi të gjatë mbërritën në Medine, si ankuesit edhe i pandehuri, e ju paraqitën kalifes, i cili ndodhej në gjykatore bashkë me suitën e tij.  Salla e gjyqit të Omerit nuk ishte aspak si sallat e gjyqeve moderne, me madhështi e me stoli. Thjeshtësia ishte shpirti i Fesë Islame në ato kohë të arta; salla e gjyqit nuk ishte tjetër veç faltores të mbuluar me kashtë. As gjykatësi nuk ishte veshur me rroba zyrtare të kushtueshme, por me rroba të andrruara dhe të pastërta. Kalifi rrinte i mbështetur përmbi një shtresë prej hurmash; megjithëkëtë pamja e tij i shtinte tmerrin fajtorit, drejtësia e tij një për të gjithë, ishte mbrojtësi i të dobtëve dhe tmerri i tiranëve a i shtypësve. Trupi gjykues ishte i thjeshtë, përbëhej prej grumbullit të myslimanëve të devotshëm që kishin ardhur për t’u falur në xhami; të gjithë ishin njerëz që kishin frikë Zotin dhe duan drejtësinë e paanësinë. Përpara një gjykatësi dhe një trupi gjykues të tillë paraqitej djaloshi i akuzuar për vrasjen e plakut, ruajtësit të kopshtit. I drejtohet Omerit, vëllai më i madh duke filluar nga ankimi: “Emirul muemininë”, “Sundimtar i Besimtarëve!”, i thotë: “Ky njeri qëndroi në oazet tona për pushim, mbasi e zuri gjumi, i hyri deveja në kopshtin e Sheikut tonë dhe bëri mjaft dëme në vreshta, babai jonë e nxori kafshën dy herë, por ajo u kthye përsëri; të tretën herë duke e qëlluar me shkop pa dashur e goditi keq dhe e la të ngordhur. Qe fatkeqësi, u bë padashur, ai nuk pati ndonjë qëllim ta vriste, vetëm deshi të kryente detyrën duke e nxjerrë nga dëmi. Kjo ishte detyra e tij dhe për këtë e paguante sheiku. Zotnia flinte kur iu vra deveja dhe nuk dinte gjë kush ia vrau. Po të donte babai im mund ta kishte mohuar që s’kishte dijeni për ngordhjen e devesë. Po ishte një mysliman i vërtetë dhe një ndjekës i saktë i Profetit, dhe megjithëqë kërkush nuk e pa, nuk mund ta mohonte. Nuk i hidhte dot njollë emrit të Fesë Islame dhe Profetit duke gënjyer. Shpeshherë na kallëzonte që myslimani duhet të jetë i drejtë le t’i dalë si t’i dalë fundi. Të folurit të vërtetën ishte diamanti më i shkëlqyer në karakterin e Profetit. Edhe përpara se të bëhej Profet qe titulluar prej të gjithëve “El-Emin”, “I Drejti, Besniku”; një njeri me të tilla ndjenja të pastra islame s’mund të bjerë aq poshtë sa të gënjejë për të shpëtuar jetën e tij. Iu afrua djalit dhe i kallëzoi pikë për pikë ç‘kishte ngjarë duke shfaqur edhe hidhërimin e tij; po ky në vend që t’i çmonte sinqeritetin islam iu vërsul për gryke dhe e mbyti pa të drejtë. Një heshtje mbretëronte në sallën e gjykatores, kur po kallëzonte ndodhinë e hidhur i biri i plakut.
“Ç’ ke t’i thuash këtij djali” – pyet gjykatësi të pandehurin.
“Zotni”, – përgjigjet, djaloshi i akuzuar me kokë të ulur nga turpi dhe nga hidhërimie pendimi për fajin, – s’kam gjë për të thënë për t’u mbrojtur, po më mbulon turpi dhe hidhërimi për çka kam punuar me duart e mia. S’kam gajle aspak se po e paguaj me jetën time, pikëllohem pa masë se tradhëtova myslimanizmin. I lashë pas dore mësimet fisnike të Fesë Islame. Profeti ka urdhëruar që myslimani duhet të respektojë moshën e vjetër. Profeti në këshillën e fundit që i dha botës Islame; jetën, pasurinë dhe nderin e një njeriu e bëri të shenjtë për tjetrin. I lashë të gjitha këto porosi dhe në vend që të tregoja respektin e duhur kundrejt një plaku flokëbardhë, humba mendjen dhe i shkaktova vdekjen. S’kam gjë për të thënë, vetëm i shtrohem ligjit, jam fajtor.”
Të gjithë dëgjuesit në faltore u prekën mjaft nga sinqeriteti i djaloshit. Të gjithë e admiruan për guximin edhe që po shihte vdekjen me sy. “Mirë djalë”- thotë kalifi,- “kështu duhet të sillet çdo i ri mysliman, nuk është vonë të pendohesh dhe të turpërohesh për veprën e ligë; megjithëqë je një vrasës duhet të të uroj për ndjenjën e lartë të vërtetësisë. Të tilla sjellje pret feja Islame nga secili prej bijve dhe bijave të saj. S’ka gjë nëse e pret vdekja, një mysliman nuk duhet ta poshtërojë kurrë veten duke folur të rrema. Eshtë burracak ai që gënjen dhe ka frikë nga përfundimi, nuk duhet të jetë kurrë burracak e frikacak myslimani; nuk trembet kurrë myslimani. Mbetem i kënaqur nga burrëria jote, je sjellë si një bir i vlefshëm i fesë Islame, megjithëkëtë hidhërohem tepër. S’kam gjë në dorë, s’mund të ndihmohesh, ligji duhet të bëjë të vetën, ti duhet të vdesësh; ligji të dënon me vdekje për këtë faj.
“Emirul muminin” – përgjigjet djaloshi – “s’duhet të hidhërohesh. Mysliman është ai që i shtrohet vullnetit të Perëndisë, kështu desh Zoti që të vdes dhe unë i nënshtrohem dëshirës së Perëndisë me buzë në gaz. Vetëm një lutje po u bëj: më lejoni të shkoj në shtëpi, mbasi kam për të larë disa borxhe. Si do të dal përpara Zotit pa përmbushur detyrat kundrejt njerëzisë? Le të më thonë katil po të mos më thonë që hëngri të drejtat e të tjerëve. Më vjen ndërmend, sikur e kam përpara syve, sa me merak e kishte Profeti këtë arsye, në kohën e vdekjes. Ai deklaroi kur do të vdiste, në qoftë se i kishte kujt borxh t’ia paguante e në kishte fyer njeri të hiqte dënimin e duhur në këtë jetë. Donte ta linte këtë botë duke qenë i pastër. Thoshte më mirë i turpëruar përpara njeriut se sa përpara Zotit, do tradhtoja kujtimin e Tij fisnik në qoftë se le borxhet pa larë. Prandaj të lutem të më japësh leje sa të shkoj në shtëpi e të laj këto borxhe. Kjo është e vetmja dëshirë e imja e fundit”. Edhe një herë u mbushën me admirim si dëgjuesit ashtu edhe kalifi për djaloshin. Ç’ndjenjë e lartë drejtësie thoshin, mu në prag të vdekjes vetëm një gjë ia shqetëson zemrën, detyrat e tij të paplotësuara kundrejt njerëzisë. –Ç’fatkeqësi është, që të vdesë një bir i tillë i Islamit! S’ke ç‘bën nuk i shpëton dot ligjit, ai është një për të gjithë, duhet të vdesë patjetër, vetëm dëshëronte që t’i pranohej lutja e fundit.
-“Ua pranoj lutjen” – thotë kalifi, – “u plotësohet dëshira, por duhet të gjeni njeri të bëhet garant për ju, të jetë përgjegjës që të ktheheni tamam në orën e caktuar të ekzekutimit”.
-“Emirul muminin” – thotë djaloshi, – “e vetmja garanci që mund të jap është fjala ime e nderit, myslimani lidhet për fjalë të nderit”.
-“Ke të drejtë,” – përgjigjet kalifi, – “kjo pritet nga çdo bir i fesë Islame, duhet të qëndrojë besnik në fjalën e dhënë edhe sikur t’i kushtojë jetën. Po duhet të vihet në veprim procedura e ligjit, e kjo nuk njeh vetëm një fjalë nderi si garant. Duhet të vesh një njeri të bëhet garant për ty. – Kjo e dëshpëroi tepër djaloshin, ai ishte i huaj në atë vend. Kush mund të bëhej garant për atë e të rrezikonte jetën e tij për një të huaj? Një garanci për një të tillë punë ishte barrë e rëndë. Në rast se nuk kthehej, garanti do të humbiste kokën në vend të tij. Është e kotë të shpresojë një i huaj, të gjejë garant për një punë të tillë. Hodhi një herë një vështrim rretheqark gjindjes me shpresa të prera. Por s’i thoshte zemra të kërkonte ndonjërin, ishte e tepërt t’i drejtohej ndonjërit. Duke qëndruar djaloshi me shpresë të prerë e i dëshpëruar, kur për fat, për gëzim e për habi të të gjithëve ngrihet një burrë plak në këmbë prej një qosheje të xhamisë: -“Emirul Muminin”- thërret ai, – “unë bëhem garant për të”. -Ky ishte Ebu Dher Gafari, shoku i famshëm i Profetit.
Djaloshi menjëherë u lirua duke u zotuar të vinte  në kohën e caktuar për ekzekutim (për t’u varur). U nis me vrap të shkonte në shtëpi për të rregulluar punët e për të larë borxhet. Më parë se të dalë përpara Zotit duhej të shkëpuste marrëdhëniet me njerëzit. Shtëpia e tij ishte mjaft larg, eci natë e ditë. Leja ishte mjaft e shkurtër dhe duhej të kthehej prapë për të pësuar dënimin shembullor, prandaj nuk humbi kohë po vrapoi sa mundi. Më në fund arriti në shtëpi, porsa e panë e gjithë familja u mbush me gëzim; fëmijët e vegjël iu vërsulën duke vrapuar secili ta përqafonte më parë e të fitonte të puthurën e parë prej tij. E shoqja dhe prindërit pleq u mbushën me gëzim kur panë shpresën dhe gëzimin e tyre e dritën e syve që u kthye në shtëpi, e ëma e puthi në ballë të birin, kjo skenë gëzimi e dashurie nuk vazhdoi shumë, për pak e mbuloi një hije meraku. Djaloshi dukej i shqetësuar, jashtë zakonit mallëngjimi i hidhur i vinte duke iu shtuar. Prindërit e kuptuan hidhërimin e djalit dhe e panë që diçka kishte. Ç’të ka ngjarë? – e pyeti e ëma me kureshtje. -Të shoh të vrenjtur e të shqetësuar, mos diçka ke? – Djali në atë çast heshti dhe vari kokën, nuk dinte se si t’ia jepte këtë lajm familjes. Për babain dhe nënën plakë, ky çast i shkurtër me merak iu duk kohë e gjatë, ishte e para herë që e shihnin birin e tyre të dashur në merak e të vrenjtur. Më në fund djaloshi mblodhi veten ngriti kryet dhe mori fjalën:
-“Nënë e dashur, kur isha i vogël më kallëzoje ngjarje trimërie të myslimanëve në ditët e Profetit; hoqën mundime të mëdha por nuk doli kurrë ndonjë herë ankim nga goja e tyre. Ishte dëshira e vullneti i Zotit dhe gëzimi i tyre më i madh varej nga të nënshtruarit te ky vullnet. U desh t’u bënin ballë rreziqeve më të mëdha por kurrë nuk u frikësuan, ishte vullneti i Allahut, në fushë të betejës bënë vepra të mëdha sakrifice e trimërie, kur i thërriste detyra hidheshin mu në kthetrat e vdekjes, rreziku dhe vdekja vetë ishin për ata dera që i çonte në parajsë, a nuk m’i kallëzoje të gjithë këto nënë e dashur”?
Duke vazhduar djaloshi të fliste për rreziqe, vdekje e guxim, prindërit e dëgjonin pa shpirt në vete; meraku i tyre i kaloi kufijtë. Me sy të ngulur te djali dridheshin duke u shkuar ndërmend lloj-lloj pandehmash. “Çfarë do të na thotë, – thoshin me vete”.
 -“Kështu nënë e dashur- vazhdoi djali, – gjithmonë më ke treguar sa trima ishin baballarët e nënat myslimane; kur i thërriste detyra, i shtynin e i bënin burra bijtë e tyre të dashur për t’u qëndruar trimërisht rreziqeve. U thonin: detyra ose vdekja, do të ishte motoja e tyre në jetë. Tani dëgjoni! Ka ardhur koha që të shijohet e të vihet në praktikë durimi e kurajua Islame. Kini guxim se do t’ua kallëzoj…”
Prindërit u përgatitën, për ngjarjen më tragjike, duke e siguruar të birin ta thoshte lajmin sidoqë të ishte duke iu zotuar se do të ishin të vlefshëm për traditat Islame. Djaloshi atëhere filloi t’ua tregojë krejt ngjarjen, si iu vra deveja prej kopshtarit kur ishte duke fjetur në oaz, si u zemërua, iu turbullua mendja dhe e mbyti plakun duke e lënë të vdekur, si e morrën në gjykatoren e kalifit, si u gjykua, si u dënua me vdekje, si iu lut kalifes ta lejonte të vinte në shtëpi për të larë borxhet; si pat qenë lejuar me garant dhe se si iu bë garant një i huaj duke i zënë besë vetëm me fjalën e nderit të tij. “Tani jam këtu”- vazhdoi -“por jo si një bir shtëpie të jetoj nën këtë çati të vjetër e të dashur dhe të marr pjesë në gëzime e hidhërime tuajat, por kam ardhur t’u bëj nderimet e fundit dhe pas pak orësh t’u them lamtumirë. U dërgoni lajm jahudive që u kam të holla borxh, duhet të shpejtoj; kam leje vetëm sa të laj llogaritë dhe të kthehem në kohën e caktuar për ekzekutim”. Si mbaroi djaloshi, prindërit mbetën pa mend e pa gojë sikur u ra vetëtima; lotët u shkonin rrëke faqeve të rrudhura nga pleqëria, për një copë herë erdhën në vete. “Allahu të qoftë mbrojtës” thotë nëna. “Ç’është shkruar, është shkruar, ti duhet të mbash fjalën, mos e dhëntë Zoti që të thonë që i biri i një nëne myslimane s’i qëndroi besnik fjalës së dhënë për të shpëtuar jetën”.
Erdhën menjëherë huadhënësit jahudi, përgjithësisht këta para-dhënës janë të zhveshur nga ndjenjat njerëzore. Tashti që morën vesh se djaloshi kishte vetëm pak orë për të larë llogaritë, gjetën rastin dhe mendonin për të marrë më tepër të holla. Djali s’kishte të holla, do t’u jipte vetëm plaçkë dhe këta njerëz të pashpirt do ta ndanin vetë çmimin e plaçkës. E ndanë me një çmim shumë të ulët, më pak se gjysma e çmimit që shiteshin në treg. Borxhi duhej të paguhej atje dhe aty në kohë. Shumë nga pasuria e djaloshit iu dorëzua kreditorëve.
S’kishte ardhur akoma ora më pikëlluese, ora e ndarjes. Deveja iu bë gati; djaloshi duhej t’i thoshte lamtumirë për jetë shtëpisë së ëmbël dhe të ikte. Nuk ishte punë e kollajtë të ndahej për jetë midis psherëtimave, lotëve dhe të puthurave. Prindërit e përqafuan birin e tyre të shtrenjtë njëri pas tjetrit. E shoqja, një nuse e re u bë si e vdekur, kur burri i dashur, shoku i ëmbël i jetës së saj iu drejtua të takohej, ra përtokë pa mend e pa gojë. Flokët e saj të bukura iu derdhën në pluhur, djaloshi i shkoi pranë dhe e përqafoi, deri këtu bëri kurajë; por kur iu kthye foshnjave të dashura e të vogla që i rrinin pranë të habitur prej kësaj, vendimi i hekurt i tij dukej se po i thyhej; ndenji midis tyre duke i përqafuar nxehtësisht dhe duke i puthur secilin.
“Baba”, – thirri më i madhi i të treve, -“a mos vdiq mëma? Me kë do rrimë neve? Të lutem mos shko”! Të dy më të vegjlit iu varën për gjunjësh kur po ngrihej. “Baba do të vijmë edhe ne me ty,”- filluan të bërtasin.
Menjëherë guximi i djalit dukej se po humbiste, pamja e këtyre fëmijëve të ëmbël e të vegjël që mendonin se edhe nëna u vdiq edhe babai ishte duke i lënë, e shqetësoi pa masë. Nuk kishte ndonjë polici aty afër. Vetëm një fjalë nderi e kishte lidhur. Përveç kësaj duke banuar në zemër të shkretëtirës nuk do të ishte punë e kollajtë që të binte në thonjtë e ligjit: Pse për një fjalë nderi të vetme ta prishte gëzimin e lumturinë e krejt fëmijëve për jetë! Pse t’i thyente këto zemra të njoma? Ai ishte fajtor nuk ishin ato. Pse t’i linte në fatin e vajtueshëm të jetimllëkut? Duke u menduar me vete për një çast iu duk që mishi po merrte fuqinë mbi shpirtin, çasti i fundit kishte ardhur: Që të ishte në kohë për ekzekutimin duhej t’i hipte devesë e të vraponte. Në këtë çast, më të hidhurin e jetës së tij, djaloshi qëndronte i humbur në mendime se ç‘udhë të merrte.
Nderi e thërriste të kthehej për ekzekutim, dashuria e prindërve e të shoqes dhe e fëmijëve e mbante në vend. Kishte një kundërshtim të rreptë në vetvete, kundërshtim midis mishit e shpirtit; ky kundërshtim vazhdoi për një çast të shkurtër, përsëri nxori kokë ndjenja myslimane e nderit. “Të mos iu shmangi prej rrugës së Zotit as pasuria as fëmija juaj”, i tingëlloi në veshë zëri i prekshëm i Kuranit dhe menjëherë e zgjodhi rrugën.
Për Myslimanin fjala e tij e nderit duhet të jetë më shumë se nëna, baba, gruaja dhe fëmijët e tij. Midis lotëve dhe britmave, ia hypi devesë dhe u nis për Medine dhe në vdekjen e tij. Të dashurit e ndoqën nga mbrapa duke qarë dhe e vështruan me pikëllim derisa u humbi nga sytë.
Djali vraponte me sa kishte fuqi për në Medine dhe ekzekutimin e vet, po, do të shkonte për të dhënë jetën! Me të vërtetë është një gjë e çuditshme, por kështu e ka Myslimani fjalën e nderit. Kur ta japi një herë fjalën kurrë nuk e kthen edhe sikur t’i kushtojë me jetën e tij. Historia Islame është plot me zotime të mbajtura nën rrethana të vështira. Djaloshi, një Mysliman i vlefshëm veproi sipas këtyre traditave fisnike të Fesë Islame. Vdekja i qëndronte mu në ballë, por nuk e meriton një ndjekës i Profetit të madh të bëjë batakçillëqe e ta hajë fjalën e dhënë. Vrapoi pa u ndalur drejt kryeqytetit. Megjithëkëtë vrap i doli një pengesë dhe ndaloi në rrugë se ju prishën yzengjitë dhe iu desh të zbriste pranë një katundi t’i çonte për të ndrequr. Kjo e vonoi ca, ora e caktuar e ekzekutimit erdhi dhe ky ishte akoma në rrugë.
Brenda këtyre çasteve në Medine kishte një shqetësim e një përshtypje të thellë. Populli ishte mbledhur në xhami, edhe Ebu Dher Gafari, garanti ishte atje; në çdo moment pritej të kthehej djaloshi. Koha e caktuar për ekzekutim erdhi e kaloi, po djaloshi s’po kthehej. Kjo i shtiu në merak për Ebu Dherin, jeta e të cilit tashti ishte në pikëpyetje; u shkonin lloj-lloj mendimesh nëpër mend, pandehnin se mos i gënjeu djaloshi:
Secili po thoshte; i gjori Ebu Dher, do të vdesë për hiçgjë.
Ebu Dheri për vete ishte i qetë e s’tronditej aspak. “Ç’është shkruar, është shkruar”, – thoshte. -“Myslimani duhet t’i shtrohet me gëzim urdhrit të Zotit, është vullneti i Zotit që të vdes, jam gati për të”.
E vetmja gjë që kërkoi Ebu Dheri, ishte që të lejohej të falte namazin e fundit më parë se ta linte këtë jetë. Mori abdes dhe u fal, më pas u bë gati për t’u ekzekutuar, për të vdekur. Kur u bë gati ekzekutimi, po shihej për së largu një gjë që lëvizte dhe një pluhur i ngritur. “Pritni, pritni, – urdhëroi kalifi kur ekzekutuesi ishte gati ta kryente atë veprim tragjik. -Pritni mbase është djaloshi”.
Ekzekutuesi e mbajti dorën, krejt sytë e turmës ishin kthyer drejt gjësë që po u afrohej; pikësëpari ishte e errët dhe e padallueshme, si u afrua më tepër e shtoi shpresën e turmës kureshtare. U duk që ishte njeri i hipur në deve që ecte me të katra; fytyra e njeriut dalëngadalë po vinte duke u dalluar mirë e më mirë. Një kënaqësi e pamasë u ndje prej të gjithë atyre që u ndodhën, njeriu që po vinte ishte djaloshi i dënuar me vdekje. E gjithë turma u gëzua dhe nga të gjitha anët po e uronin Ebu Dherin.
Porsa hyri në derë të xhamisë: Hidhërohem tepër,- thotë. – S’munda të arrij tamam në kohë dhe u lashë të prisnit gjatë, veçanërisht më duhet t’i kërkoj falje mirëbërësit tim të panjohur që u bë garant duke rrezikuar jetën e tij; do të ketë qenë në merak por s’pata se ç’të bëj.- më në fund shpjegoi çka e kishte ndaluar rrugës.
Secili po admironte si ndjenjën e nderit të djaloshit gjithashtu edhe shpirtin e vetësakrificës së Ebu Dherit. Edhe kalifi u prek thellë dhe e lejoi djalin të çlodhej pak përpara se të përgatitej për t’u vënë në litar. Si u ulën në xhami djaloshi, Ebu Dheri, të bijtë e plakut të vrarë, kalifi Omer me turmën e kureshtarëve; Kalifi e pyet Ebu Dherin në këtë mënyrë:
-“Ebu Dher! Ç’të shtyu të vesh jetën në rrezik për hatër të këtij djaloshi!  -Emirul Muminin,- përgjigjet shoku i madh i Profetit, -kur djaloshi i hodhi një sy grumbullit të myslimanëve dhe shikonte me habi nëse do t’i vinte kush në ndihmë e të bëhej garant për atë apo jo, më mundi turpi që ndjeva se s’ka përkrahje një vëlla mysliman dhe ta shohë veten si të huaj në një grumbull myslimanësh; thashë me vete, mos e dhëntë Zoti të thonë njerëzia se mësimi Islam që të gjithë myslimanët janë vëllezër është një lajkë me fjalë të thata dhe që në kohë mjerimi e nevoje një Mysliman nuk i vjen në ndihmë tjetrit. Le të bëhet ç’të dojë, emri i bukur e i mirë i fesë Islame nuk duhet të njolloset dhe u bëra garant për të”.
Të gjithë u prekën prej këtyre fjalëve, më pas Kalifi iu kthye djaloshit: “Ç’të shtyu o djalë, të kthehesh për t’u dënuar me vdekje?
“Emirul Muminin,”- përgjigjet djaloshi. -“Nuk ishte aq e kollajtë për mua kjo punë, pengime e prirje të mëdha pata në rrugë. Shtëpia ime është në zemër të shkretëtirës, në një vend të paditur, ku s’mund të hyjë me lehtësi dora e drejtësisë, s’kishte kërkend aty afër të më shtrëngonte të vija këtu. Pastaj, para meje kisha fytyrat e plakura e të dashura të nënës e të babait të mbuluara nga lotët si rrëke, kur po shkoja gruaja ime e dashur ra përtokë, pa mend e pa gojë duke menduar të ndarit për jetë. Tre fëmijët e njomë m’u varën nëpër këmbë duke thirrur “babi, babi”! Nuk ishte aq e lehtë të ndaheshe prej atyre zemrave të dashura! Kurdoherë që mishi te mua bëhej gati pothuaj të merrte fuqinë mbi shpirtin, thosha me vete: Ç’do të thonë njerëzia për këtë? Një mysliman nuk e mbajti fjalën e nderit! Mos e dhëntë Zoti që t’i hidhet një njollë nga unë emrit të fesë Islame, vendosa dhe midis lotëve e britmave të më të dashurve të mi e ia hipa devesë”.
Njerëzit që po e dëgjonin u prekën e u tronditën në kulm, edhe një herë po admironin pa masë ndjenjën e detyrës të djaloshit; ishte një atmosferë e plotë islame, e cila nuk i la pa i prekur thellësisht edhe të bijtë e kopshtarit të vrarë. “Emirul Muminin”- folën të dy ankuesit.-“Ky djali këtu ka vrarë babanë tonë dhe neve jemi munduar me çdo mënyrë ta dënojmë. Po tani na duket se me hakmarrjen e vdekjes së babait, mohojmë e lemë pas dore parimin më të lartë të fesë Islame. FALJEN. Me të vërtetë është e lejuar t’ia bësh tjetrit atë që të bën, por më e mira në sy të Zotit është që ta falësh fyesin, fajtorin. Të mos thonë që dy bij të fesë Islame nuk patën aq zemër sa të falnin e të harronin. Emrit të fesë Islame nuk duhet t’i hidhet njollë: Ne, po e falim djaloshin”. “Allahu Ekber”- u lartësuan thirrjet e entuziazmit nga grumbulli, dhe të gjithë u gëzuan që gjithçka përfundoi mirë.
Përk. Hasan Kallarati

 

Marrë nga libri: “Golden Deeds of Islam”, “Bëmat e Arta të Islamit”