Qeveria e Bullgarisë ka dhënë dorëheqje, pas disa ditësh protesta kundër çmimeve të larta të energjisë dhe standardeve të këqija të jetesës.
“Nuk do të marr pjesë në qeverinë, ku policia e së cilës rreh popullin”, ka thënë kryeministri Boyko Borisov.
Disa protestues janë lënduar në përleshjet e së martës me policinë në Sofje.
Protestat, të cilat janë zhvilluar edhe në të paktën katër qytete të tjera, kanë qenë më të mëdhatë në 15 vjet dhe kanë ndodhur vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të korrikut.
Borisov ka shkarkuar ministrin e Financave të hënën dhe ka thënë se do të revokojë edhe licencën e kompanisë çeke për shpërndarjen e energjisë elektrike.
“Është populli ai që na ka vënë në pushtet dhe ne po ia kthejmë atë atij”, ka thënë sot Borisov, duke bërë publike dorëheqjen e qeverisë.
Pas dorëheqjes së Borisov pritet të krijohet një qeveri teknike dhe Borisov tha se nuk kishte ndërmend të merrte pjesë në të. “Dje ne bëmë maksimumin për të kënaqur kërkesat e protestuesve. Prej tani e në vazhdim nuk kemi asgjë çfarë të bëjmë për t’i ndihmuar ata”,- tha ai.
Borisov u përpoq që të qetësonte tensionin dje në mesditë kur në një konferencë për shtyp (12:30, 19 shkurt) deklaroi se Kompania ceke, CEZ e cila kishte monopolin mbi shpërndarjen e energjisë në Bullgarinë perëndimore do i hiqej licenca brenda ditës. Madje nuk bëri asgjë as premtimi i Borisov se do të ulej çmimi i energjisë me 8% nga 1 marsi, përkundrazi rritën tensionin.
Prej disa ditësh Bullgaria është përfshirë në protesta kundër mbifaturimeve dhe çmimit të lartë të energjisë elektrike nga kompania çeke “CEZ”. Protestat e shtrira në gjithë Bullgarinë të cilat kanë filluar prej disa ditësh sa vinin e bëheshin më të forta. Stacioni televiziv më i madh bullgar tregonte dje atmosferën në kryeqytet, e cila ngjante me një luftë civile. Me postera në duar ku shkruhej “Të ndjekim shembullin e Shqipërisë”, ata kërkonin largimin e kompanisë çeke të shpërndarjes së energjisë “CEZ” nga vendi i tyre.
Kryeministri bullgar po ashtu theksoi se ai nuk do të ishte pjesë e qeverisë së përkohshme para zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme legjislative, të cilat janë të parashikuar të mbahen gjatë muajit korrik të po këtij viti. Por pas këtyre zhvillimeve nuk dihet ende me siguri nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen tani përpara afatit.
Kundërpërgjigjet Çekia: Bullgaria të zbatoje ligjit, do e diskutojmë në KE
Nga Praga kryeministri çek tha se priste nga Bullgaria “të plotësonte detyrimet ndërkombëtare si dhe marrëveshjes për mbrojtjen e investimeve, në këtë rast dhe të CEZ”.
“Problemi i çmimeve të larta të energjisë elektrike në Bullgari është i politizuar dhe deklaratat nga përfaqësuesit bullgarë lidhur CEZ janë “jashtë-standardeve”, tha Petr Necas, kryeministri çek, cituar nga agjencia CTK. Ndërkohë që ministri i Tregtisë dhe Industrisë çeke Martin Kuba tha se kishte ndërmend të diskutonte situatën në Komision Europian. Sipas Kuba, sjellja e Bullgarisë është e paprecedentë dhe situata është alarmante.
Sistemi i shpërndarjes së energjisë në Bullgari është i ndarë në 3 rajone dhe kontrollohet nga firma ceke, CEZ, Energo-Pro dhe Austria’s EVN. Në Bullgari, kompania çeke “CEZ” ka marrë detyrën e shpërndarjes së energjisë për pjesën perëndimore të vendit që nga viti 2004, duke përfshire këtu edhe kryeqytetin Sofje. Pas Shqipërisë ky është rasti i dytë në rajon që kompanisë ceke i hiqet licenca për parregullsi dhe shkelje në punën e saj.
Situatë e tensionuar në Bullgari
Disa protestues janë plagosur gjatë përleshjeve me policinë në Sofje të Bullgarisë.
Kryeqyteti bullgar është përfshirë nga protestat, të cilat fillimisht ka qenë kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike, por që tani janë shndërruar në protesta kundër qeverisë së qendrës së djathtë.
Rreth 2,000 protestues janë tubuar në qendër të Sofjes të martën, duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë.
Protestuesit kanë bllokuar bulevardin qendror dhe kanë hedhur gurë në drejtim të autoritete policore, të cilat më pas kanë përdorur shkopinjtë për të shpërndarë turmën.
Protestat janë më të mëdhatë në 15 vjet dhe ndodhin vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, të parapara për korrik.
Kryeministri Boyko Borisov ka premtuar se do të ulë koston energjisë dhe se do të revokojë licencën e kompanisë çeke për shpërndarje të rrymës.
Të hënën, Borisov ka shkarkuar edhe ministrin e Financave të vendit./Shekulli Online/