Ata mbajnë veshje kamuflimi dhe helmeta pa asnjë distinktiv, mbajnë armë me preçizion, flasin vetëm rusisht dhe janë të aftë për aksione të shpejta, tej mase të sinkronizuara.
Janë këta qindra trupat misterioze që kanë pushtuar në fillim Parlamentin dhe selinë e qeverisë së Krimesë, e më pas aeroportet në Simferopoli dhe Belbek, si dhe postoblloqet që lidhin rrugët kryesore të komunikimit të gadishullit.
Moska zyrtare deri më sot ka mohuar që të bëhet fjalë për ushtarët e saj dhe duke mos bërë dot ndryshe për të mos shkelur normat ndërkombëtare, ka thënë se vepron në kuadër të marrëveshjes me Kievin në flotën ruse të Detit të Zi në Sebastopoli, ku ndodhen 11.500 ushtarë dhe rreth 40 anije lufte.
Duke përjashtuar mundësinë që të bëhet fjalë për trupa amatore, analistët dhe blogerët kanë avancuar këto hipoteza: mercenarë të sigurisë private që punojnë për marinën ruse; njësi speciale Spetnaz; anëtarë të flotës së Detit të Zi; ose anëtarë të GRU-së, shërbimet sekrete ruse më të mëdha dhe misterioze të vendit.
E krijuar në vitin 1918 nën udhëzimet e revolucionarit Lev Trotskij, GRU ka ruajtuar që prej atëherë integritetin dhe pavarësinë e saj nga agjencitë e tjera të inteligjencës, aq sa konsiderohet një rivale e frikshme.
Në fakt, llogaritet që GRU (Departamenti Kryesor i Zbulimit) ka një numër agjentësh të përhapur nëpër botë gjashtë herë më të lartë se ata të SVR-së, shërbimet sekrete për jashtë shtetit. Fshehtësia e saj është legjendare, aq sa nuk ka një faqe interneti dhe as një zëdhënës, ndryshe nga strukturat e tjera të sigurisë.
Nga ana tjetër, shërbimet sekrete ushtarake mund të mbështeten edhe tek forcat e veta speciale, që kanë luftuar në Afganistan, Çeçeni dhe në Gjeorgji dhe që përgjigjen direkt tek shefi i Shtabit të Përgjithshëm, një nga tre personat që ka akses tek valixhja bërthamore.
Selia qendrore e tyre është në Moskë dhe njihet me pseudonimin “akuariumi”, siç ka zbuluar në një libër pjesërisht autobiografik Vladimir Rezul, një nga pak oficerët tradhëtarë, bashkë me të mirënjohurin Oleg Penkovski, spiuni që u zbuloi Shteteve të Bashkuara planet e Moskës për të vendosur raketa bërthamore në Kubë.
/ Top Channel
EDITOR
11 years ago
previous article
Fushata “Së bashku për fëmijët e Sirisë“, u përmbyll me sukses
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago