Ukrainasit, tatarët e shqiptarët kundër militarizimit rus në Krime

 
Kur kriza ukrainase ka arritur kulmin, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar kthimin në bazat e përkohshme të forcave ruse të angazhuara në stërvitjet ushtarake të nisura më 26 shkurt, në rajonet perëndimore dhe qendrore të Federatës Ruse.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas të cilit direktivat janë dhënë nga presidenti, në cilësinë e komandantit suprem, pasi u informua mbi përfundimin pozitiv të manovrave ushtarake.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është nisur nga Uashingtoni për në Ukrainë, ku pritet të arrijë në Kiev më vonë gjatë ditës. Ndërkohë, nga ana e saj Moska kërcënon Perëndimin, e në veçanti Shtetet e Bashkuara, me anti-sanksione.
“Nëse SHBA do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, atëherë Moska do të detyrohet të heqë dorë nga dollari për valuta të tjera dhe të krijojë sistemin e vetë të pagesave”, ka deklaruar këshilltari ekonomik i Kremlinit, Serghiei Glaziev, i cituar nga agjencia “Ria Novosti”.
Ndërkohë, ish-kryeministrja ukrainase, Yulia Tymoshenko ka dhënë për gazetaren e CNN intervistën e parë që pas lirimit nga burgu, ndodhur më 22 shkurt. Më e vendosur se kurrë, Tymoshenko paralajmëron Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.
“Ukraina është një hap larg luftës dhe nëse do të lihet vetëm dhe do t’i dorëzohet Rusisë, atëherë nuk do të ndryshojnë vetëm politika dhe jeta në Ukrainë, por edhe politika dhe jeta në të gjithë botën”, ka thënë Tymoshenko.
Zaatov për INA përshkruan gjendjen në Krime
Ismet Zaatov, profesori universitar në Universitetin e Krimesë ekskluzivisht për INA flet për situatën e fundit në Krime.

Në një bisedë me gazetarin Naser Pajaziti, Zaatov ish-zëvendësministri i Kulturës i Republikës Autonome të Krimesë në Ukrainë thekson se situata në Krime është e tensionuar dhe se po zhvillohet një luftë nervash.

“Këtu po mbretëron një situatë tensionuese dhe lajmet vijnë të ndryshme, duke paralajmëruar një luftë dhe invazion rus, që do të jetë me pasoja të përgjakshme. Kemi një situatë të komplikuar, por deri tani nuk ka shpërthyer gjakderdhja, përveç një loje nervash”, thekson për agjencina e lajmeve INA, Zaatov, i cili është pjesëtar i komunitetit tataro – turk.
Ai thekson se komunitetet e tjera joruse në Krime, gjegjësisht në tërë Krahinën Autonome me 1,9 milionë banorë janë kundër ndërhyrjes ruse dhe se dënojnë veprimet e saj. Zaatov thotë se në këtë krahinë jetojnë edhe shqiptarë, por kryesisht shumica prej tyre të asimiluar.
“Ne si popullësi joruse, por edhe ukrainasit jemi kundër ndërhyrjes ruse, dhe apelojmë që të tërhiqen forcat militare dhe paramilitare ruse dhe nuk duam luftë. Për momentin kjo krahinë ka dy pushtete paralele. Pushtetin legjitim ukrainas dhe të komuniteteve të tjera të zgjedhura nga zgjedhjet dhe pushtetin i imponuar së fundi nën masa të dhunshme nga Moska. Por ne apelojmë që të ndërhyjnë fuqitë e mëdha për të qetësuar situatën”, thekson Zaatov.
Më poshtë vijon edhe intervista e plotë me Zaatov e zhvilluar kohë më parë ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA.
 
 

Zaatov: Shqiptarët në Ukrainë duan mbështetje

Zaatov:  Shqiptarët në Ukrainë duan mbështetje

Ismet Zaatov, zëvendës-ministri i Kulturës i Republikës Autonome të Krimesë në Ukrainë për herë të parë ka dhënë detaje mbi gjendjen aktuale të shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë dhe humbjen e gjurmëve të tyre.
 
Zaatov në intervistën për agjencinë e lajmeve INA flet për popullin tatar të Krimesë, një popullsi autoktone me origjinë turke, e cila ka arritur që me mbi 270 mijë banorë të fitojë Autonominë në kuadër të Ukrainës. Krahina Autonome e Krimesë numëron rreth 2,5 milion banorë, ndërsa populli i tatarëve të Krimesë është mbi 1 milion dhe është i shpërndarë në ish-republikat e tjera sovjetike, deri në Poloni, Rumani, Turqi  dhe vende tjera.
INA: A mund të na jepni informacione më të detajuara lidhur me vendin nga vini ju ?
Krahina Autonome e Krimesë është një vend shumë i bukur, një siujdhesë në Detin e Zi.  Ky është një vend me 27 mijë metra katror në pjesën veriore të Ukrainës, që ka qenë i banuar me popullsi tatare të Krimesë, por që në periudhën e komunizmit, që nga viti 1944, Stalini ushtroi një gjenocid dhe deportim masiv të popullsisë tartare, duke u zhvendosur në zonat e tjera të ish-republikave sovjetike, ndërsa në të kundërtën mbipopulloi këtë zonë me banorë rus nga republikat e Kuakazit.  Deportimet janë bërë në mënyrë të tmerrshme, duke dhunuar dhe deportuar fëmijë, gra dhe pleq, kryesisht drejt Uzbekistani.  Me pavarësinë e Ukrainës në vitin 1991, ne filluam të ringritemi  dhe popullsia autoktone rikthehet masivisht në vendlindje.
INA: Sa kanë arritur që të ruajnë vlerat dhe të kthejnë jetën e tyre ?
Në kemi bërë shumë për të fituar të drejtën tonë. Në vitin 1987 organizuam protestat e para në sheshin e Kuq në Moskë për të kërkuar të drejtat e tona dhe mbi 1.500 protestues kanë protestuar më shumë se dy muaj.  Ka pasur edhe protesta të tjera që kanë filluar pas vitit 1991, pas pavarësisë, me ç`rast në vitin 1994 u arrit kulminacioni, ku organizohen protesta masive dhe përleshje me policinë.  Protestat kanë qenë të formave të ndryshme, deri tek bllokimi i Parlamentit të Ukrainës.  Pas gjithë kësaj arrihet statusi i Krahinës Autonome, ku gjuha tatare, një dialekt turk është gjuhë e tretë zyrtare, përskaj gjuhës ruse dhe ukrainase, por akoma nuk është pranuar alfabeti latin.  Ne si komunitet jemi në zhvillim e sipër duke hapur shkolla publike, edhe deri tek universiteti shtetëror, mirëpo ku mësimi zhvillohet në gjuhën ruse.  Në Parlamenti e Ukrainës kemi 1 deputet, ndërsa në Parlamentin e Krimesë janë 5 deputetë nga 100 deputetë.
INA: Ju për herë të parë pretendoni se në Krahinën Autonome të Krimesë jetojnë shqiptarë. Cila është e vërteta rreth kësaj ?
Po, shqiptarë ka, edhe ate në qytetin Gurzuf, një nga qendrat dhe qytetet më të bukura në ish-republikat sovjetike. Mbi 90 për qind e popullsisë së Gurzufit ka qenë më parë shqiptare, e pranishme nga shekujt 16 deri 18, por që më pas gradualisht është zhdukur, por ka raste të rralla ku është kultivuar dhe ruajtur gjuha dhe tradita shqiptare.
Një udhërrëfyes francez, Markiz Delin në memoaret e tij për Krimenë në shekullin 18 ka qëndruar në Gurzuf dhe ka pasur takime me popullsinë lokale, për shkak se ai nuk ka kuptuar gjuhën tatare, dhe ka njohur gjuhën italiane, dhe në këtë mënyrë është mirëkuptuar me banorët shqiptarë të këtij rajoni.  Ata kanë shpjeguar se janë shqiptarë mysliman dhe se stërgjyshërit e tyre kanë qenë aty. Fizionima e tyre ka qenë ndryshe nga ajo e tatarëve. Ata sot janë të asimiluar, por hetohen nga gjeneza dhe fizionomia e tyre. Gurzuf ishte pushimore për krerët ish-sovjetik, por edhe një qendër dhe kamp për fëmijët nga mbarë Rusia e asaj kohe.
INA: Por, sipas të dhënave dhe dokumentacioneve të publikuara deri tani, sidomos nga një reportazh i dy gazetarëve shqiptarë nga Shkupi, shqiptarët janë edhe në zona të tjera të Ukrainës ?
Po, e vërtetë është kjo. Në Ukrainë shqiptarët janë në rajonet e Odesës, Kirovo Gradit, dhe Zaparuzhjes. Për ta nuk po bëhet asgjë dhe nuk po përkushtohet ndonjë kujdes i veçantë. Sipas të dhënave që kemi ne si institucione, por që akoma janë jozyrtare, në Ukrainë jetojnë rreth 50 mijë shqiptarë, të shpërndarë në rajone të ndryshme, por një pjesë e madhe duke shkuar drejt asimilimit, për shkak të martesave dhe lidhjeve të përziera, si shkak i fesë ortodokse.
INA: Si  zëvendës-ministër i Kulturës i krahinës së juaj që është pjesë e Ukrainës. Sa janë të organizuar shqiptarët atje dhe sa i kultivojnë vlerat e tyre trashëgimore dhe kulturore ?
Po, ata nuk kanë ndonjë përkujdesje institucionale, dhe janë të organizuar sipas mënyrës së tyre. Nëse nuk ka përkujdesje ata dita ditës po asimilohen, për shkak se nuk i kushtohet vëmendja apo kujdesi nga shtetet e tyre amë siç është Shqipëria apo pse jo edhe Kosova. Shqiptarët sot në Ukrainë i takojnë konfesionit ortodoks, dhe se traditat e tyre i ruajnë dhe i kultivojnë në mënyrë private dhe pa ndonjë mbështetje institucionale.
INA: Cili mund të jetë ndihma apo kontributi i juaj rreth çështjes së shqiptarëve atje dhe mbështetjen e tyre për tu kthyer tek trungu ?
Po kjo që thoni është vështirë, pasi që ne kemi çështjen tonë kombëtare. Ajo që mund të them është se përkrahim juve si media me projektin për të na vizituar dhe ne për të ju njohur me detajisht mbi jetën dhe faktet e tjera të realitetit të shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë dhe në rajonin tonë. Së shpejti ju presim që të na vizitoni dhe do të jemi në gatishmëri për të dhënë kontributin tonë. (INA)