Studentët shqiptarë në Cyrih duket të jenë organizuar mirë në organizatën e tyre studentore „Studenti“, e cila ishte themeluar para  15 vjetësh.
“Studenti” grumbullon qindra studentë shqiptarë që studiojnë në fakultete të ndryshme në Universitetin e Cyrihut, po edhe në atë të ETH-së.
Ditët e fundit studentët shqiptarë kanë zgjedhur kryesinë e re të organizatës së tyre “Studenti”, të cilën tash e tutje do ta udhëheqë Vjosa Ismaili, një studente e Ekonomisë me origjinë nga Tetova.
“Të jesh në krye të një organizate kaq të madhe studentore do të duhet më shumë përgjegjësi për të gjithë studentët”, tha kryetarja e re e shoqatës “Studenti” për albinfo.ch.
Para se të vijë në krye të organizatës së studentëve, Vjosa ka qenë në kryesi, duke u marrë me marketing dhe komunikim, e që i ka ndihmuar të jetë në kontakt gjithmonë me studentët shqiptarë.
“Gjithsesi besoj që eksperienca do të më ndihmojë të bëj një punë të mirë dhe të vlefshme për studentët”, thotë Vjosa, duke premtuar se do të zgjerojë bashkëpunimin me organizata të tjera studentore zvicerane.
Tetovarja thotë se do të angazhohet që gjatë mandatit të saj të ketë më shumë aktivitete për studentët, siç ka qenë vitin e kaluar.
“Qëllimi është që studentët të njihen mes vete dhe të bëjnë networking, edhe kur do t’i kryejnë studimet të kenë një rreth shqiptar që do t’iu ndihmojë”, tha studentja e Ekonomisë në Universitetin e Cyrihut.
Kryetarja e re e shoqatës “Studenti” nuk ka informacione të sakta për numrin e studentëve shqiptarë në Cyrih. Por, janë rreth 400 kontakte e-mailash që i pranojnë studentët nga shoqata e tyre.
„Kemi filluar vitin e kaluar të krijojmë një webfaqe të re, që ka për qëllim që secili anëtar i shoqatës të regjistrohet. Kështu do të na mundësohet të kemi një pasqyrë konkrete për numrin e studentëve tanë“, tha Ismaili.
Studentja e Ekonomisë pret mbështetjen e kolegëve të saj shqiptarë për të zhvilluar tutje projektin „Dituria +“.
„Projekti „Dituria +“ ka për qëllim që studentët shqiptarë të ndihmojnë nxënësit shqiptarë të klasave 5-9 që ata të arrijnë rezultate të mira në shkollën fillore“, tha në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch kryetarja e shoqatës „Studenti“, Vjosa Ismaili.
Studenti Nderim Mustafa është zgjedhur si udhëheqës i projektit Dituria +, ndërsa Arbnora Aliu do të merret me organizime aktivitetesh studentore, e Dafina Shabanit i kanë besuar financat.
Shoqata „Studenti“ funksionon tash e 15 vjet dhe puna e saj kryesore është vendosja e lidhjeve në mes të studentëve shqiptarë që studiojnë në universitetet dhe shkollat e larta të Cyrihut. Prezantimi dhe afirmimi i kulturës shqiptare këtu është po ashtu njëri nga misionet e shoqatës.
Si aktivitete më të rëndësishme të shoqatës “Studenti”, përveç mbrëmjes “Old meet young”, vlen të  përmendet edhe darka studentore „Sofra“, e cila tash sa vjet është bërë tradicionale dhe mbahet në pranverë, pastaj kremtimi i 28 Nëntorit dhe ligjëratat e personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja që mbahen periodikisht para studentëve të këtushëm shqiptarë.
albinfo.ch