Pritjes së gjatë të dashamirëve të futbollit kosovar që ta shohin kombëtaren e tyre në kualifikimet e ndonjë prej ngjarjeve më të mëdha të futbollit, shumë shpejt do t’i vijë fundi.
Telegrafi ka mësuar nga burime të sigurta brenda FIFA-s që ishin prezente në ndeshjen Kosovë – Haiti se përfaqësuesja jonë do të jetë shumë shpejt pjesë e kualifikimeve.
Një prej këytre zyrtarëve të lartë të FIFA-s që ka pranuar të flasë për Telegrafin në kushte anonimiteti ka deklaruar se viti 2018 dhe kualifikimet e Botërorit 2018 do të shënojnë fundin e izolimit të futbollit kosovar.
“Ka mundësi të jetë 2022, por gjërat kanë filluar mirë. Nëse gjërat shkojnë kështu dhe shënohen përparime të vazhdueshme, atëherë me siguri se për Botërorin e vitit 2018 Kosova do të mund të luajë në kualifikime. Të gjithë e duam këtë, vetëm mbetet të shihet niveli i punëve që do të bëhen në organizimin e ndeshjeve, infrastrukturës dhe modaliteteve të tjera”, ka theksuar ky zyrtar i lartë për Telegrafin.
Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë pak ditë më parë ndaj Haitit duke barazuar pa gola, kurse më 21 maj përfaqësuesja e Kosovës do të përballet ndaj Turqisë në stadiumin “Adem Jashari”. /Telegrafi/