Zyrtarisht filloi fushata zgjedhore për kryetar të shtetit. Në rrethin e parë qytetarët do të zgjedhin ndërmjet katër kandidatëve, kryetarit aktual Gjorgje Ivanov, të cilin e përkrah VMRO-DPMNE-ja që është në pushtet, profesorit Stevo Pendarovski, të cilin e përkrah LSDM-ja opozitare, Iljaz Halimi pas të cilit qëndron PDSH-ja dhe Zoran Popovski, të cilin e ka nominuar partia “Grom”. Në pritje të ofertave të tyre për qytetarët, ekspertët thonë se “babai” i kombit nuk guxon të zgjidhet sipas përkatësis partiake ose etnike – por sipas asaj që ai do t’ua ofrojë qytetarëve.
Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të gjithë janë të njëzërit se kompetencat e kryetarit të shtetit janë të kufizuara, por megjithatë analistët thonë se përvoja e deritanishme me menaxhimin e shtetit tregon se të gjithë kryetarët nuk treguan rezultate të njëjta në mandatet e tyre. Porosia që kryetari e dërgon nëpërmjet veprimeve të tyre e krijon profilin për autoritetin dhe vendosmërinë e tij. Të gjithë kryetarët kryeishti kanë të kompetencat e njëjta, por të gjithë ata – në mënyrë të ndryshme e kanë kryer funksionin e kryetarit të shtetit – vlerësojnë analistët.
I dëgjueshëm ose personalitet me qëndrim?
Kryetari i shtetit e propozon guvernatorin, e emëron dhe e shkarkon drejtorin e Agjencisë për zbulim, propozon dy anëtarë të Këshillit gjyqësor. Këto janë vetëm një pjesë e kompetencave të brendshme të kryetarit të shtetit, të cilat janë përcaktuar me Kushtetutë dhe me ligj. Megjithatë, kompetenca kryesore, sipas ekspertëve është në segmentin e politikës së jashtme. Pa marrë parasysh atë se kompetencat e kryetarit të shtetit janë të kufizuara me Kushtetutë dhe me ligje, megjithatë si do ta udhëheqë vendin varet nga kapaciteti i tij, por edhe nga nënshtrimi i tij ndaj qendrave partiake të fuqisë. Derisa deklarativisht promovohen angazhime për personalitet jopartiak që do të ishte “baba” i kombit, përvojat e deritanishme zgjedhore, sipas analistëve, tregojnë se vendi akoma nuk është i gatshëm të ballafaqohet me një sfidë të tillë.
“Funksioni i kryetarit të shtetit, pa marrë parasysh se me Kushtetutë nuk ka kompetenca të mëdha, varet nga personaliteti i kryetarit. Për shembull, nëse kryetari i shtetit ka autoritet atëherë edhe institucionet e tjera në vend do të kishin përgjegjësi më të madhe për shkak se kryetari i shtetit me autoritetin e tij do të mund të ndikonte mbi ta. Edhe pse funksioni i kryetarit është i papërputhshëm me përkatësinë partiake, jemi dëshmitarët kryetarit që është i dëgjueshëm ndaj politikave qeveritare”, thotë analisti Ismet Ramadani për “Portalb”.
Mospartizimi nuk dëshmohet me atë që personi nuk ka librezë partiake me numër, por me politikat që do t’i udhëheqë në emër të të gjithë qytetarëve, komentojnë ekspertët. “Detyra e kryetarit të Republikës është e papajtueshme me kryerjen e ndonjë funksioni tjetër publik, profesioni ose funksioni në ndonjë parti politike”, shkruan në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Gjykuar sipas kësaj, qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, nacionale, partiake dhe etnike duhet t’i udhëheqë lider që nuk ka ngjyrim partiak.
“Mendoj se kryetari i shtetit nuk duhet të jetë as figurë e as marionetë e qeverisë. Deri tani nuk ka qenë kështu. Kryetari i shtetit ka kompetencsa të ndikojë në shumë procese, veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimet euroatlantike. Ne kishim shembull kur deklaratat e kryetarit të shtetit gjithmonë janë në koordinim me kryeministrin, që e përjashton pavarësinë e tij”, thotë ish-deputeti, profesori universitar, Izet Zeqiri dhe shton:
“Kryetari i shtetit gjithsesi se mund të kontribuojë në shumë segmente dhe drejtime. Ai duhet të jetë i qartë në qëndrimet e tij. Ne kishim rast kur kryetari i shtetit pa asnjë problem nënshkruan ligje të cilat i propozon qeveria dhe i miraton Kuvendi, e një pjesë e atyre ligjeve kishin prapavijë populiste ose partiake. Konsideroj se në zgjedhjet që do të mbahen për kryetar të ri shteti, qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë partiake ose etnike, duhet të votojnë sipas bindjes së tyre”, vlerëson Zeqiri.
Njëra nga çështje kryesore që akoma e potencon lëndueshmërinë e demokracisë së Maqedonisë, janë raportet ndëretnike. Deputetët e bllokut opozitar shqiptar deri në momentin e fundit të mandatit të kryetarit Gjorge Ivanov mbetën në qëndrimin se ai nuk është kryetar i të gjithë qytetarëve të vendit, por i partisë VMRO-DPMNE. Në ndërkohë edhe Brukseli zyrtar shpeshherë e ka potencuar përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike. Në njërin nga fjalimet e tij vjetore, kryetari Ivanov deklaroi:
“Me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, arritëm nivel më të lartë të mirëkuptimit, respektimit dhe tolerancës. Ndërtuam edhe model që ka për qëllim të integrojë, e jo të asimilojë. Duhet përmbajtur në mënyrë të rreptë parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe procesi politik duhet të zhvilluar në atë kornizë.”
Erdhi si person jopartiak, por mandatin e vazhdoi si kryetar i dëgjueshëm, komentojnë intelektualët shqiptarë.
“Për kryetarin Ivanov, prej fillimit kishte perceptim se është person jopartiak, por sipas meje, ai tërë mandatin e kaloi si kryetar i dëgjueshëm. Ai aspak nuk kishte ndikim në gjendjet e gjithëmbarshme, tepër e mbante anën e pushtetit aktual, nuk u përpoq të krijojë balanc”, vlerëson Ramadani.
Sipas analistit, të gjithë kryetarët, në përgjithësi i kanë kompetencat e njëjta të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligje, por të gjithë ata në mënyrë të ndryshme e kryen rolin i cili u ishte dhënë.
“Ne kishim kryetar që u zgjodh në parlament. Ai ishte Kiro Gligorovi, i cili në ato momente historike, nga pozita e kryetarit ndikonte në sjelljen e vendimeve kyçe. Më kujtohet se madje edhe merrte pjesë në disa mbledhje të Kuvendit, kur bisedohej për vendime strategjike dhe në atë mënyrë ndikonte mbi përgjegjësinë e deputetëve në vendimet e tyre. Kryetari Boris Trajkovski fitoi përkrahje të gjerë nga qytetarët. Në vitin 2001 ai luajti rol kyç në kthimin e paqes në vend, mu vendosmëria dhe takimet intensive me përfaqësuesit e huaj ishin vendimtare për ta definuar autoritetin e tij si kryetar”, thotë Ramadani.
Si hendikep kryesor të kryetarit Branko Cërvenkovski, ai e përmend kalimin e tij nga funksioni i kryeministrit në funksionin e kryetarit të shtetit.
“Cërvenkovski erdhi në pozitën e kryetarit të shtetit pasi e përfundoi funksionin e kryeministrit. Partitë politike u ndanë në aspekt të përkrahjes, për shkak se bëhej fjalë për lojtar me përvojë, autoriteti i të cilit ishte nën hijen e përkatësisë partiake, vlerëson Ramadani.
Çka do t’u ofrojnë kandidatët qytetarëve-votues mbetet të shihet. Kalkulimet e analistëve thonë se beteja kryesore për zgjedhjen e kryetarit të ri të vendit do të zhhvillohet që në rrethin e parë zgjedhor, më 13 prill. /Portalb/
EDITOR
11 years ago
previous article
Geri Kasparov në Tiranë, Nikolla: Shahun do ta fusim edhe në shkolla
next article
Mediat evropiane për El Clasicon
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
7 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
7 days ago