I nderuari shejh Kardavi. Pranoni përshëndetjet më të përzemërta të cilat ua dërgoj përmes kësaj letre që ta marrë mendimin tuaj për një çështje, apo më mirë thënë për një transmetim që ka të bëjë me Musain a.s. e ku thuhet:”Musai a.s. në vegjëli e ka djegur gjuhën përmes një gace të cilën e ka vënë në gjuhë. Faraoni ka dashur që ta testojë inteligjencën e Musait a.s. kur ky ka qenë i vogël, pasi e kapi atë për mjekre. Faraoni në fakt deshi ta vret kur e kapi për mjekre, por nga ky qëllim e largoi Asija, gruaja e tij, e cila i tha:”Ai është i vogël, nuk e di çka bën, e ti testoje atë të shohish a di apo jo duke vënë para tij edhe hurma edhe prush”. Faraoni veproi si i tha gruaja. Musai a.s. si fëmijë deshi t’i merr hurmat, por Allahu e largoi nga ato dhe e çoi të merr prush. Kjo qe shkak që ai ta djeg gjuhën…”.Në fakt, unë nuk mund ta paramendoj se i ka ndodhur kjo ngjarje. Por sipas jush, a mund të themi për këtë transmetim se është autentik? Apo ku gjindet? Logjikisht, unë mendoj se para se ta djeg gjuhën, Musai a.s. është dashur ta djeg dorën. Ju drejtohemi me këtë pyetje që të sqaroni se në rast se ky transmetim është autentik, si ka ndodhur kjo ngjarje, dhe si mund ta kuptojmë? E nëse ky transmetim është joautentik, pse atëherë disa autorë dhe ligjërues e përdorin këtë transmetim pa mos folur për autenticitetin e tij?Besoj se pozitivisht do ta merrni këtë pyetje, dhe e lusim Allahun t’ju udhëzojë në atë që është e dobishme për këtë umet dhe atë që është për të mirën e tij. Paqa, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.
J.M.- Alegjeri
PËRGJIGJA
Dr.Jusuf el-Kardavi
Ky rrëfim për të cilin pyet vëllau i nderuar, e që sillet rreth asaj se Faraoni ka vënë para Musait a.s., kur ky ishte i vogël, hurma dhe prush, dhe Allahu e inspiroi që të merr një gacë prushi, pastaj këtë e vuri në gojë dhe si rezultat i kësaj e dogji gjuhën, që për fat të keq, është përmendur në disa libra të tefsirit, është rrëfim prej ithtarëve të librit, i njohur në terminologjinë islame si “israilijat”. Ka rrëfime të këtilla të çuditshme që janë ndërfutur në rrëfimet e disa pejgamberëve. Ata që e shënojnë këtë rrëfim, thonë se për këtë shkak Musai a.s. iu drejtua me lutje Allahut të Madhërishëm që bashkë me të ta dërgojë vëllaun e tij Harunin, ngase ai ishte më mprehtë në gjuhë. Poashtu, përmendin se kjo ka qenë shkak që Faraoni të thotë për Musain a.s.:<<Pra, unë jam më i mirë se ky qyqar që mezi flet!(52)>>1. Poashtu, ata pandehin se kjo ka qenë shkak që Musai a.s. t’i lutet Allahut duke thënë:<<Më zgjidh nyjen e gjuhës sime! (27) Që ta kuptojnë fjalën time!(28)>>2.
Shumë nga këto israilijjate nuk kanë bazë bile as në librat e njohura të ithtarëve të librit, gjë që tregon se janë thjesht gojëdhëna që janë përhapur në mesin e tyre dhe janë përcjellur brez pas brezi. Por, pasi që disa nga ithtarët e librit kanë kaluar në Islam, këto gojëdhëna i kanë bartur në mesin e muslimanëve. Nji pjesë e muslimanëve i kanë pranuar këto gojëdhëna thjesht si rrëfime-hiqaje të cilat nuk kanë të bëjnë me dispozitat dhe nuk lidhen për hallallin dhe haramin.
Këto rrëfime nuk kanë asnji vlerë fetare po as shkencore te ne muslimanët. Rrëfimet e pejgamberëve të mëparshëm dhe të pasuesve të tyre, janë prej gjërave të panjohura për ne-gajb, të cilat ne mund t’i njohim vetëm përmes shpalljes nga ana e Allahut të Madhërishëm në Kur’anin famëlartë apo përmes gjuhës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Për këtë rrëfim që përmendet në pyetje, nuk ka dëshmi as nga Kur’ani e as nga suneti pejgamberik. Poashtu, ky rrëfim bie ndesh edhe me logjikën e shëndoshë, siç përmend edhe vëllau në pyetjen e shtruar. Kjo, ngase si mund që një fëmijë ta çojë zjarrin në gojë, e mos t’i digjet dora? Ne shohim se fëmiju i vogël pak sa ta afroj dorën te diçka që është e nxehtë, e largon, dhe ik larg zjarrit.
Ky rrëfim është i trilluar, për atë edhe nuk ka asnji problem që ta refuzojmë, bile kjo është obligim për ne në emër të fesë dhe të shkencës.
Është për të ardhur keq që rrëfimet dhe legjendat e këtilla të quajtura israilijjate, gjinden në libra të muslimanëve. Për këto nuk ka argument nga ana e Allahut të Madhërishëm, dhe as që mbështeten nga sheriati.
Allahu i Madhërishëm mundëson sukses.
Prej arabishtes:Bashkim Aliu
(Pjesë e shkëputur prej librit Fetava muasire-Fetva Bashkëkohore, pjesa e III)
[1] Ez-Zuhruf: 52.
[2] TaHa: 27-28.