Të dhëna statistikore (1)

– Emri ndërkombëtar në anglisht: Bahrain.
– Emri zyrtar: Mbretëria e Bahrejnit.
– Sistemi i qeverisjes: Monarki e trashëguar.
– Sipërfaqja: 694 km².
– Numri i banorëve: 760,168.
– Dendësia: 1013 (banorë në 1 km²).
– Myslimanë: 100% (prej tyre 70% shiitë dhe 30% sunitë).
– Kryeqyteti: Menama, i cili llogaritet edhe qyteti më i madh në vend.
– Qytetet e tjera kryesore: El Muharrak (në të gjendet aeroporti ndërkombëtar i Bahrejnit), Errifa’a, Medinetu Isa (qytet i ri, i cili mori emrin e princit të ndjerë Isa in Selman Al Halife), Medinetu Hamed (qytet i ri i ndërtuar në fillim të viteve tetëdhjetë, i cili mori emrin e mbretit Hamed ibn Isa Al Halife), Medinetu Zajid (qytet i ri, i ndërtuar në vitin 2003).
– Grupet etnike: 66% arabë bahrejnas, 24% iranianë, irakianë, pakistanezë, 10% arabë të tjerë.
– Gjuhët kryesore: Arabishtja (zyrtare), anglishtja, persishtja dhe urdu.
– Njësia monetare: Dinar (1 BHD = 1, 84732 EUR.
– Data e pavarësisë: 15 gusht 1971.
– Festë kombëtare: 16 dhjetor (1971)

Pozita gjeografike:
Mbretëria e Bahrejnit përbëhet nga 33 – ose më shumë – ishuj, dhe shtrihet në Azinë Jugperëndimore, në jug të Gjirit Persik, në skajin perëndimor të tij, saktësisht midis bregdetit lindor të Arabisë Saudite dhe Katarit. Në lindje dhe në veri të vendit është Irani, në juglindje gjendet gadishulli i Katarit, kurse në perëndim të vendit gjendet Arabia Saudite në një distancë prej 30 km; lidhja në mes këtyre dy shteteve bëhet me anë të urës “Mbreti Fehd”, e cila është e gjatë 25 km. Pothuaj në të njëjtën distancë e ka Katarin, kurse distanca nga bregdeti iranian arrin deri në 238 km. Për të lidhur marrëdhënie të mira në mes të Katarit dhe Mbretërisë së Bahrejnit, sipas njoftimit të dy shteteve, është paraparë që në tremujorin e parë të vitit 2010 të fillojë ndërtimi i urës midis dy vendeve, sipas një projekti, hartimi i të cilit mori plot një dekadë. Pas përfundimit të procedurës ndërtimore, ura e gjatë, që kalon 40 km mbi ujin e Gjirit Arab, do të jetë ura më e gjatë në botë, si dhe do të ketë lidhje me rrjetin hekurudhor të Gjirit Arab. Kjo urë, e cila do të hapet në vitin 2013, do të shkurtojë udhëtimin me veturë në mes Bahrejnit dhe Katarit nga 5 orë në vetëm gjysmë ore.(2)
Bahrejni renditet në vendin e katërt në botë, me dendësinë më të madhe të popullsisë, pas Singaporit, Maltës dhe Bangladeshit, megjithëse zona të gjera nuk janë duke u përdorur për vendbanim, sidomos zonat jugore të vendit, sepse shumica e popullatës janë përqendruar në zonat veriore, qendrore dhe perëndimore. Prandaj, zonat në jug të Mbretërisë përdoren vetëm për projekte të reja, sikur janë garat sportive ndërkombëtare.(3)
Universitetet më të njohura në Bahrejn janë: Universiteti i Bahrejnit,Universiteti Privat, Kolegji Universitar i Bahrejnit,Universiteti Mbretëror për Femra, Universiteti Mjekësor i Bahrejnit, Universiteti i Gjirit, Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Universiteti Ndërkombëtar, Universiteti i Teknologjisë i Nju-Jorkut, Universiteti i Gjirit Arab, Universiteti i Hapur Arab.(4)
Bahrejni ka gjithsej 3 aeroporte dhe disa porte detare. Gjithashtu ka katër aeroporte ushtarake: aeroporti ushtarak amerikan, aeroporti Shejh Isa, aeroporti Riffa dhe aeroporti Sahir.(5)
Menama: 

Menama është kryeqyteti i Mbretërisë së Bahrejnit dhe qyteti më i madh në vend. Menama ndodhet në bregdetin veri-qendror të Bahrejnit, në perëndim të qytetit El Muharrak, i cili ka një urë që e lidh me Menamen. Zona diplomatike, kompanitë më të rëndësishme me bizneset e tyre dhe disa fabrika, gjenden në kryeqytet. Aty gjendet edhe porti Selman. Mename është përmendur qysh nëkohën e hershme të historisë islame. Portugezët e kishin pushtuar në vitin 1521, për ta pushtuar pastaj persianët në vitin 1602. Familja Al Halife e mori Menamen nën sundimin e saj që nga viti 1783, kurse në vitin 1958 Mename u bë një port detar i lirë, ashtu sikur do të bëhej kryeqytet i Bahrejnit në vitin 1971, në kohën kur ky shtet fitoi pavarësinë prej Mbretërisë së Bashkuar. Mename llogaritet bazë ekonomike e Bahrejnit, për shkak të pranisë së zonës diplomatike, kompanive të shumta dhe qendrave tregtare. Mename është një nga dymbëdhjetë komunat e Bahrejnit. Kryeqyteti Mename ka një sipërfaqe prej 27,48 km2 dhe një popullsi prej 153.395 banorësh (bazuar në statistikën e vitit 2001).(6)
Historia e Bahrejnit:
Bahrejni ka një histori të pasur dhe të shquar që nga kohët e lashta. Nuk janë bërë zbulime të civilizimeve të lashta në vend; vetëm kohët e fundit kanë filluar kërkime nga arkeologë dhe historianë prej gjithë botës.Besohet se, para dhjetëra-mijëra vjetësh, njerëz nomadë kishin bredhur gjithandej në shkretëtirën e Bahrejnit.Kjo e vërtetë konfirmohet përmes gërmimeve historike. Gërmimet moderne kanë treguar se Bahrejni ka qenë shtëpi e civilizimit të humbur të Dilmonit – Bahrejni i sotëm, një qytetërim që i takon njëmijëvjeçarit të tretë para erës sonë. Toka e Dilmonit, për shkak të sasisë së mjaftueshme të ujit të freskët, është përmendur vazhdimisht në dorëshkrimet e gjuhëve asiriane, babilonase dhe ashuriane, si një port i rëndësishëm në Mesopotaminë e lashtë. Në vitin 600 para erës sonë, Bahrejni hyri në Perandorinë e Re Babilonase, kur do të lulëzonte përsëri, ndërsa në vitin 323 para erës sonë, dy anije të Aleksandrit të Madh kishin arritur tek brigjet e Bahrejnit, dhe ato kishin hapur rrugë të reja tregtie. Kjo prodhoi një ndikim aq të madh të Greqisë së lashtë aty, saqë emri i Bahrejnit u ndryshua nga Dilmon në Tajlos. Bahrejni gjatë periudhës paraislame është quajtur edhe Aval. Ky emër lidhej me një perëndi pagane, që e adhuronte fisi Vail, i cili banonte në Bahrejnin e periudhës paraislame. Pra, Bahrejni gjatë periudhës paraislame kishte tre emra: Dilmon, Tajlos dhe Aval. Deri në vitin 1521 Bahrejni kishte nën kontrollin e vet krahinat El Ahsa e Katif – që të dyja tani gjenden nën kufijtë e Arabisë Saudite – dhe krahinën Aval – tani ishull i Bahrejnit; të gjitha këto zona quheshin krahina të Bahrejnit. Ndërkaq, në vitin 1521, portugezët krahinën Aval – Bahrejni i sotëm – e kishin ndarë nga pjesa tjetër e krahinës së atëhershme të Bahrejnit. Ata kontrolluan Bahrejnin që nga viti 1521 e gjer në vitin 1602, në vitin kur u dëbuan nga persianët, kur këta të fundit filluan ta sundonin Bahrejnin. Por sulltani i Omanit nuk reshti përpjekjet derisa e mori Bahrejnin prej persianëve. Edhe më vonë, gjatë sundimit të Shahut Nadir, persianët do ta ripushtonin Bahrejnin, mirëpo më pastaj persianët do të ballafaqoheshin me fiset arabe, të udhëhequra nga familja Al-Khalifa, të cilat në vitin 1783 do t’i dëbonin persianët nga Bahrejni. Në vitin 1861 emiri i Bahrejnit u zotua se do të përmbahej nga lufta, pirateria dhe tregtia e skllevërve karshi ndihmës dhe mbrojtjes britanike. Kjo marrëveshje vinte nga frika e Bahrejnit prej ambicies së Iranit, si dhe nga dëshira e Britanisë për të parandaluar Francën, Rusinë dhe Gjermaninë nga përparimi i tyre në drejtim të Indisë. Në vitet 1880 e 1892 sunduesi i Bahrejnit qe zotuar përsëri se nuk do të hiqte dorë nga pjesët e tokës së tij dhe as do të lejonte që ato të ishin peng të dikujt tjetër, përveç Qeverisë Britanike, si dhe u zotua se nuk do të krijonte kurrfarë marrëdhëniesh me ndonjë qeveri të huaj pa pëlqimin e Qeverisë Britanike. Prandaj historia moderne e Bahrejnit fillon me mbështetjen që i ofruan britanikët familjes Al-Halife gjatë fundit të shekullit XVIII. Kjo mbështetje britanike kishte për synim pavarësimin e arabëve nga persianët dhe të drejtën e lëvizjes së anijeve të tyre në ujërat e Gjirit.(7)
Historia e përhapjes së Islamit në Bahrejn 
Bahrejni në historinë paraislame dhe islame përfshinte Katarin e sotëm, El Ahsan – e cila quhej edhe Hixhër dhe ishte qendra e Bahrejnit të atëhershëm (ndodhet në zonën lindore të Arabisë Saudite të sotme) – dhe Kuvajtin e sotëm e gjer në Basra të Irakut; më pastaj përfshinte edhetë gjithë ishujt që sot quhen Mbretëria e Bahrejnit. Pra, Bahrejni i atëhershëm, përveç sipërfaqes së sotme që ka, përfshinte edhe brigjet e Gjirit Arab nga Omani, në jug, e gjer tek Basra, në veri.(8)

Shumica e banorëve të Bahrejnit përqafuan Islamin me dëshirë, pas ardhjes sënjë të dërguarittë Pejgamberit a.s. në vitin 629 m / 7 h, i cili me vete
kishte sjellë aty mesazhin e Muhamedit a.s.. Asokohe vali i Bahrejnit ishte El Mundhiri dhe atij mesazhinPejgamberit a.s. ia kishte dërguar përmes njërit prej shokëve të tij, El Ala ibn El Hadremi-un r.a.. Këtu do ta japim të plotë mesazhin që i dërgohej valiut, pas përgjigjes që kishte marrë për thirrjen e tij në Islam.
Mesazhi i të Dërguarit të Allahut , dërguar El Mundhir ibn Sava Et-temim-it. 
Në emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.

Nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut, tek El Mundhir in Sava. Paqja qoftë mbi ty. Të bëj me dije se unë e falënderoj Allahun, që nuk ka tjetër përveç Tij. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Unë ta kujtoj përmendjen e Allahut xh.sh. se ai që pranon këshillën, këshillohet për veten e tij, e ai që u bindet të dërguarve të mi dhe ndjek porosinë e tyre, tashmë më është bindur. Kush ka marrë këshillën e tyre, ai ka marrë këshillën time. Të dërguarit e mi më kanë folur mirë për ty, e unë nga ti kërkoj që t’i lejosh myslimanët, që kanë pranuar Islamin, të jetojnë në paqe dhe unë i kam falur ata që kanë kërkuar falje, prano faljen e tyre. E ty, përderisa të veprosh mirë, ne nuk do të të shkarkojmë nga posti. Ata që mbesin në hebraizëm dhe mexhusije – zjarrputistë, le të paguajnë xhizjen).

Kjo letër ishte përgjigje e letrës së El Mundhirit, i cili i ishte përgjigjur mesazhit të Muhamedit a.s., kur e kishte ftuar në Islam. El Mundhiri përqafoi Islamin dhe gjendja e tij si një personalitet mysliman u përmirësua dukshëm. Ndërkaq, për sa i përket letrës së parë, pra mesazhit të Muhamedit a.s. dërguar El Mundhirit, nuk dihet teksti i tij dhe as bartësi, por, me gjasë, ishte El Alau. Në letrën e dytë, sikur shihet, Muhamedi a.s. ofron liri për ata që nuk donin të hynin në Islam, me kusht që të paguanin xhizjen. Populli i Bahrejnit të atëhershëm, para Islamit, në pikëpamjen fetare i takonin fesë mexhusije ose hebraike. Kur El Mundhiri u ofroi Islamin, ata që deshën, e përqafuan atë, e kush nuk pranoi, mbeti në fenë e tij. (9)
Populli i Bahrejnit konsiderohet nga banorët e parë në të gjitha zonat e Gadishullit Arabik, që përqafuan Islamin në fillim të thirrjes islame. Populli mysliman i Bahrejnit, qysh prej kohës kur përqafoi Islamin, ka luajtur një rol të rëndësishëm në çlirimet islame, duke u dhënë mbështetje dhe ndihmë ushtrive të shtetit islam, me përvojën dhe aftësitë e tyre në luftërat tokësore dhe detare. Bahrejni, gjithashtu, vazhdoi të luante rolin e tij kulturor dhe ekonomik, në periudha të ndryshme islame, dhe ende vazhdon të ketë një ndikim të tillë.(10)
Klima
Klima e Mbretërisë së Bahrejnit gjatë katër stinëve të vitit karakterizohet nga shira të pakta dhe me diell të nxehtë. Bahrejni ka dy stinë kryesore, verën dhe dimrin, në të cilat gjatë vitit temperaturat e nxehtësisë ndryshojnë. Vera është shumë e nxehtë dhe e thatë, ngase shi nuk bie. Gjatë dimrit temperaturat e larta pësojnë rënie të paktë dhe ka rënie shumë të vogla shiu. Pranvera dhe vjeshta gjatë vitit zënë hapësirë të shkurtër. Reshjet që bien në vend, mundësojnë mbirjen e bimëve të pakta natyrore, të cilat nuk ndryshojnë nga ato në shtete të tjera arabe të Gjirit. Kafshët e egra në Bahrejn, për shkak të mungesës së bimëve si pasojë e sasisë së paktë të ujit, janë të pakta. Pika më e lartë e vendit është në malin Duhan, e cila arrin lartësinë gjer në 122 m mbi nivelin e detit.(11)
Gjendja ekonomike 
Në pikëpamje ekonomike Bahrejni konsiderohet shteti që është zhvilluar më së shpejti nga shtetet e Botës Arabe, ashtu siç është miratuar nga Komisioni Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara për Azinë Perëndimore në Janar të vitit 2006. Bazuar në të dhënat e ekonomisë së lirë për vitin 2006, rezulton se shkalla e ekonomisë së lirë në Bahrejn konsiderohet më e madhja në Lindjen e Mesme. Bahrejni llogaritet qendër financiare dhe ekonomike shumë e rëndësishme, sikurse konsiderohet edhe vendpërqendrimi kryesor i bankave në Gjirin Arab dhe në Lindjen e Mesme, prandaj, me të drejtë, Bahrejni renditet shteti i dytë pas Zvicrës, nga ky aspekt. Turizmi është një burim i rëndësishëm për ekonominë e Bahrejnit; në gjysmën e parë të vitit 2007 vendi u vizitua nga 4.8 milionë turistë, ky numër pritet të rritet edhe më shumë. Nafta dhe gazi konsiderohen dy burimet natyrore të rëndësishme dhe të vetme në Bahrejn. Nafta është zbuluar në vitin 1931. Bahrejni ka industri të zhvilluar të shkrirjes së aluminit, fabrika për prodhimin e veshjeve, fabrika të letrës dhe të prodhimeve të konsumit. Industria tradicionale mbështetet më shumë në kërkimin e margaritarëve. Përveç kësaj, Bahrejni konsiderohet shteti më i madh prodhues i ndërtimit dhe i riparimit të anijeve në Lindjen e Mesme, ashtu sikur ka portin e dytë industrial më të madh në botë,
pas portit Xhebel Ali në Dubaj.


1) – Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, Logos-a, 2009, Shkup. ATLAS islamskoga svijeta / redakcija i autori tekstova Ahmet Alibasiç ; Sarajevë, 2004. ar.wikipedia.org
2) Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, Dasara, 2007, Tiranë. bahrainforums.com, hassan2007.nireblog.com
3) bahrainforums.com
4) bahrain.khaleejed.com
5) – Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, Logos-a, 2009, Shkup. ar.wikipedia.org.
6) bahrainforums.com, ar.wikipedia.org
7) wikipedia.org/wiki/Bahraini. bahrainforums.com.
8) – Dr. Ahmed Shelebi; Mevsuatu T-tarihi -l-islami, Vëllimi i VII-të, f:. 521. Mektebetu N-nehdati El Masrijjeti. Botimi i pestë, 1992, Kajro.
9) – Muhamed Rida; Muhamedi a.s., Daru-l-Kitabi-l-Arabi, 2005 / 1425, Bejrut. Safijjurrahman El-Mubarekfuri; Nektari i vulosur i Xhennetit, Dukagjini – Pejë. 2009, Prishtinë.
Mr. Samir B. Ahmeti