Jusuf Kardaui
Veprimtaria e grave në lëvizjen islameLëvizja islame që në fillimet e saj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë rolit të gruas. Hasan el-Bena, themeluesi i xhematit (organizatës) të “Vëllezërit muslimanë”, i ngarkoi këtij xhemati detyrën e ndërgjegjësimit të gruas myslimane dhe edukimin e një brezi grash, që do të mbartnin përgjegjësitë e shumta përkrah burrave të kësaj vëllazërie, në përpjekjet për të përhapur fenë e Zotit në tokë.
Ky xhemat pati një rol domethënës, ku pala e motrave ndau me ta përgjegjësitë dhe vështirësitë, në veçanti për kujdesin që ato treguan ndaj familjeve të anëtarëve të burgosur, duke i furnizuar me ushqim dhe të holla, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej nga Departamenti i Vëzhgimeve Kriminale. Madje, disa prej tyre përjetuan dhe duruan vështirësi ekstreme në rrugën e Zotit, siç ishte shembulli i motrës sonë Zejnebe el-Gazali.
Megjithatë ne duhet të pranojmë, se veprimtaria e grave në fushën e Islamit nuk ka arritur akoma nivelin e dëshiruar, megjithëse thirrja u ka mbërritur qarqeve të grave, veçanërisht atyre studentore të shkollave të larta, si dhe nxënëseve të shkollave të mesme.
Megjithëse kanë kaluar 60 vjet që nga themelimi i Lëvizjes, deri tani nuk ka dalë ndonjë grua në pozitën e drejtueses, që të përballet e vetme dhe me takt me rrymat shekullariste dhe marksiste.
Shkak për këtë kanë qenë përpjekjet e paepura të burrave, për të kontrolluar lëvizjen e grave, pasi ata asnjëherë nuk u kanë dhënë grave një mundësi reale për t’u shprehur dhe për të shfaqur aftësitë e tyre drejtuese, që janë tregues për mundësitë që kanë për të kontrolluar veprimtaritë e tyre pa mbizotërimin mashkullor.
Unë besoj, se veprimtaria e grave në fushën e Islamit do të përparojë dhe do të dalë në arenën e Lëvizjes Islame, vetëm kur grave myslimane t’u jepet mundësia drejtuese në sfera të ndryshme si ato të thirrjes, mendimit, shkencës, letërsisë dhe shkollimit.
Nuk mendoj se realizimi i këtij qëllimi është i vështirë dhe i pamundur. Ashtu siç ka burra gjenialë, ka dhe gra gjeniale. Mendjempehtësia nuk është monopol vetëm i meshkujve. Historia që na tregon Kurani i Shenjtë për një grua, që e udhëhoqi me zotësi dhe urtësi popullin e saj dhe e bëri atë ndër më të drejtët dhe më të mirët, nuk është pa vlerë dhe pa kurrfarë urtësie. Fjala këtu, është për mbretëreshën e Shebës dhe në suren Neml tregohet historia e saj me Sulejmanin (a.s).
Kam vënë re në Universitetin e Katarit, se vajzat janë studente më të mira se djemtë. Po të njëjtën gjë kanë vënë re edhe kolegët e tjerë të Universitetit. Kjo është shumë e vërtetë, pasi vajzat kanë me tepër kohë se djemtë për të studiuar, sepse këta të fundit preokupohen me shumë gjëra dhe kanë makina, me të cilat enden rrugëve.
Më duhet ta pranoj hapur, se veprimtaria islame ka qenë skena e përhapjes së ideve të ngurta, që nuk pranojnë kurrfarë kompromisi, ide të cilat edhe sot e kësaj dite mbizotërojnë në marrëdhëniet mes burrave dhe grave, duke përqafuar mendimet më strikte të mundshme për këtë çështje.
Kjo është ajo çka kam parë në shumë konferenca e simpoziume përfshirë këtu edhe Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Për vite me radhë kam ndjekur konferencat e Unionit Studentor Musliman në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada në mes të viteve 70-të. Si gratë ashtu edhe burrat merrnin pjesë në këto konferenca, duke dëgjuar leksionet dhe debatet, komentet, pyetjet dhe përgjigjet, që dilnin nga diskutimet për çdo çështje madhore islame, përfshire sferën akademike, shoqërore, edukative dhe politike. Të vetmet seanca të kufizuara vetëm më pjesëmarrjen e grave, ishin ato që kishin të bënin thjesht me çështjet e grave.
Megjithatë, kam ndjekur të tjera konferenca po në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë gjatë viteve 80-të dhe pashë se gratë mbaheshin larg prej një pjese të mirë leksionesh dhe debatesh të rëndësishme. Madje disa nga gratë ankoheshin, se ishin mërzitur me leksionet që fokusoheshin vetëm në rolin e gruas, në të drejtat, përgjegjësitë dhe pozitën e tyre në Islam dhe kishin arritur deri në atë pikë, sa e konsideronin përsëritjen e leksioneve të tilla si një ndëshkim ndaj tyre. Unë e denoncova këtë lloj qëndrimi në më shumë se një konferencë, duke ju thënë pjesëmarrësve, se rregulli në adhurim dhe mësimet fetare është pjesëmarrja dhe se në historinë e Islamit nuk ka ekzistuar asnjëherë asnjë xhami e mbajtur vetëm për gratë dhe e pa vizituar nga burrat.
Gratë ishin pjesëmarrëse në seancat, ku Profeti (a.s) u mësonte myslimanëve fenë. Ata gjithashtu merrnin pjesë (ose së paku e ndiqnin) në namazin e së Xhumasë, dy Bajrameve dhe në faljet me xhemat bashkë me burrat. Bënin pyetje për çështje, që lidheshin me natyrën e tyre, ku turpi nuk bëhej pengesë për mësimin e fesë, siç ka pohuar vetë Aishja (r.a).
Librat e sunetit janë plot me pyetje, që gratë i drejtonin Profetit (a.s), përfshirë këtu si ato që bëheshin nga gra, që kërkonin përgjigje për çështje të tyre personale, apo nga disa gra në emër të grave të tjera, si rasti i një gruaje që iu drejtua me këto fjalë: “O i Dërguari i Allahut, më kanë dërguar gratë tek ti”. Po ashtu gratë i kërkonin Profetit (a.s), të caktonte një ditë të veçantë për to, pa praninë e burrave, në mënyrë që të kishin kohë dhe veçim për të pyetur për çdo lloj çështje të paqartë, pa u vënë në siklet nga prania e burrave.
Ky ishte një tjetër privilegj, që u bëhej grave përkrah pjesëmarrjes në leksionet publike, që ndiqnin bashkë me burrat.
Problemi në veprimtaritë e grave në fushën e islamit është, se ata që i drejtojnë këto veprimtari, nuk janë gratë por burrat dhe këta të fundit janë tepër të kujdesshëm për t’i mbajtur gjërat në grushtin e tyre, duke mos lejuar kështu krijimin e posteve drejtuese femërore. Burrat u imponohen grave në veprimtaritë e tyre, madje edhe takimet mes tyre, duke përfituar nga ndjenjat e turpit dhe të ndrojtjes të femrës së sotme myslimane dhe duke mos u lejuar asnjëherë kontroll mbi çështjet e tyre. Kësisoj, asnjë talenti femëror nuk i është dhënë mundësia, të dëshmojë për aftësitë që gëzon në veprimtaritë e Lëvizjes Islame, apo të rritet nëpërmjet përvojës, përpjekjeve dhe mësimit në shkollën e madhe të jetës nëpërmjet sprovave dhe dështimeve.
Megjithatë, kjo nuk i shfajëson 100% motrat tona myslimane, të cilat i janë nënshtruar një lloj realiteti vërtet për të ardhur keq dhe të cilat kanë zgjedhur një jetë të qetë e të rehatshme, ku burrat mendojnë dhe zgjedhin çdo gjë në emër të tyre. Ka kohë që nuk është marrë nisma, që nuk u është hapur dera e përpjekjeve dhe punës në rrugën e thirrjes, që nuk u është dhënë fund atyre zërave të vetë caktuar femëror, të cilët i janë imponuar një doktrine, ligjit dhe vlerave të këtij kombi. Këta zëra të çuditshëm, të cilët me gjithë fuqinë e tyre, përfaqësojnë thjesht një dështim, një minoritet të shkelur që nuk ka asnjë lloj peshe si në çështjet fetare ashtu dhe në ato të kësaj bote. Mbaj mend që vitin e kaluar më ftuan njëherë të mbaj një leksion për studentet në njërin nga fakultetet e Algjerit. Siç është bërë e zakonit, pas leksionit filloi seanca e pyetjeve dhe përgjigjeve në formë të shkruar dhe gojore nga ana e vajzave. Njëri nga çunat e rinj që ishin të pranishëm, mori përsipër mbledhjen e pyetjeve dhe përzgjedhjen e tyre, ku më pas do të më kalonte mua ato, që ai mendonte se kërkonin përgjigje dhe linte mënjanë ato që ai s’i mendonte si të tilla. Unë e kundërshtova veprimin e tij duke thënë: “Pse të mos ngrihet njëra nga vajzat për të folur në emër të kolegeve të saj? Pse ju burrat përherë i ‘fusni hundët’ në çështjet e grave? Largoni duart që andej! Lërini ato të bëjnë atë që duan, t’i mbledhin vetë pyetjet që kanë shkruar dhe të përzgjedhin ato, që ata i mendojnë si më të përshtatshme si dhe të zgjedhin njërën nga mesi i tyre për t’i lexuar me zë të lartë”. U duk sikur hoqa një barrë të rëndë nga vajzat dhe njëra prej tyre vrapoi shpejt për të zënë vendin e djalit, që më kish shoqëruar në atë takim.
Një incident i ngjashëm ngjau dhe në dimër, në Manchester City në Angli, ku u mbajt një konferencë për studentët myslimanë. Mua më kishin caktuar një leksion për gratë myslimane, i cili po ashtu u pasua me pyetje dhe përgjigje. Edhe këtu, një djalosh mori përsipër mbledhjen dhe përzgjedhjen e pyetjeve, por unë ia thashë troç: “Nuk është logjike që ti të jesh këtu. Do të ishte më mirë, që njëra nga vajzat të vinte këtu në vend të shoqeve të saj, sepse është e drejta e tyre, që të merren vetë me çështjet që u përkasin atyre”. Megjithatë, vëllai i nderuar më tha, se ai ishte ngarkuar me këtë detyrë, nisur nga praktika e atjeshme që nuk mund të braktisej. Ai pati sqarimet e veta, që në fakt më duhej t’i pranoja.
Një pakënaqësi tjetër nga motrat tona në Egjipt dhe Algjeri është, se kur një vajzë myslimane e motivuar dhe që i shërben fesë, martohet me një burrë të ndërgjegjshëm dhe respektues, të cilin ajo arriti ta njohë gjatë punës në fushën e thirrjes, e detyron atë të qëndrojë brenda dhe ta neglizhojë pjesëmarrjen në lëvizje, duke shuar kështu një kandil, që u ndriçonte rrugën shumë motrave të tjera. Si duket, kjo është diçka që është bërë e udhës, pasi njëherë një vajzë algjeriane aktive në sferën islame, më pyeti nëse ishte apo jo e ndaluar, të refuzoje martesën për hir të shmangies së të njëjtit fund si motrat e tjera, që kishin përfunduar në një mënyrë dembele të të jetuarit dhe që ishin larguar nga fusha e Lëvizjes dhe Thirrjes, në një kohë kur puna u lejohet grave komuniste dhe shekullariste.
Zotëruesit e ideve të ngurta mund të polemizojnë, se si mund të dëshirojmë një rol aktiv të grave në Lëvizjen Islame dhe si mund të pretendojnë, se mund të veprojnë si drejtuese në fushën e Islamit, kur në Kuran urdhërohen që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukuritë tuaja, siç shfaqej në injorancën e hershme…Përgjigja ime ndaj pyetjeve të tilla është, se ajeti u drejtohet grave të Profetit (a.s), që kishin një pozitë, që nuk do ta gëzonte asnjë grua tjetër dhe për të cilat ishin vënë disa kufizime, që shfuqizoheshin për gratë e tjera. “O gratë e Profetit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër….Megjithatë, ky ajet nuk e pengoi Aishen (r.a), të merrte pjesë në Luftën e Devesë, për të kërkuar atë që ajo mendonte se ishte e drejtë politikisht, e përkrahur në idenë e saj nga shokë të nderuar të Profetit (a.s), që ishin caktuar në kalifat dhe që ishin ndër dhjetë personat e përgëzuar me Xhenet.
Keqardhja e saj për atë që ndodhi, ashtu siç tregohet nga historianët, nuk ishte se dalja e saj nga shtëpia ishte e paligjshme, por ngaqë pikëpamja e saj politike nuk ishte e suksesshme, Allahu e faltë dhe e bekoftë shpirtin e saj.
Megjithatë nëse vëzhgojmë mendimin e atyre, që pohojnë se ky ajet u drejtohet të gjitha grave, do të shohim se ajeti nuk ka për qëllim izolimin në shtëpi dhe mos daljen asnjëherë jashtë, pasi një kufizim i tillë ishte në Kuan si ndëshkim për ato që bënin imoralitet, me dëshminë e katër dëshmitarëve, para se Sheriati të caktonte ndëshkimin në hadd {hudud- dënimet madhore në Islam}, që është përmendur në Kuran dhe në Hadith. Allahu i Gjithëfuqishëm thotë: “Ato nga gratë tuaja që bëjnë imoralitet, kërkoni kundër tyre të dëshmojnë katër vetë prej jushnëse vërtetohet me dëshmitarëmbyllini ato në shtëpi, derisa t’i marrë vdekja ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë rrugë për taMë tutje, fjala e Allahut: “dhe mos i shfaqni bukuritë tuaja, siç shfaqej në injorancën e hershme.