Çfarë mund të bëjë një popull i pasur, dhjetë herë më shumë sesa mesatarja e botës? Çfarë kuptimi mund të ketë jeta kur studentëve u ofrohen të zgjedhin mes 20 vendeve të ndryshme të punës? Ja pra një vend që ka pasuri të pafundme
Matthew Teller, BBC
Është ende mjaftueshëm freskët në kryeqytetin e Katarit, Doha, sa mund të qëndrosh jashtë. Brenda pak javëve do të jetë tepër nxehtë për shumicën e njerëzve – ata që nuk kanë nevojë të punojnë në ambient të hapur – do të tërhiqen në ambiente të mbyllura për rehatinë e ajrit të kondicionuar.
Tani për tani, gjithsesi, familjet rehatohen në diellin e pasdrekes në shëtitoren përgjatë detit. Pamja ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë përgjatë pak viteve të fundit. Kullat prej xhami dhe çeliku ngrihen si një pyll artificial nga ajo që dikur ishte vetëm një zonë e sheshtë rëre pranë detit.
“Ne jemi bërë urbanë”, thotë dr. Kaltham Al Ghanim, një profesor sociologjie në Universitetin e Katarit. “Jeta jonë shoqërore dhe ekonomike ka ndryshuar – familjet janë ndarë, kultura e konsumit ka triumfuar.” Qeveria e Katarit e ka nxitur ndryshimin.
Nga një vend i varfër dhe i dëshpëruar një shekull më parë, është bërë vendi më i pasur në botë, me të ardhura mesatare për frymë mbi 100 mijë dollarë në vit. Ajo që është më pak e kuptuar, është ndikimi i ndryshimit të tillë të shpejtë në shoqërinë e Katarit.
Media vendase raporton se 40 për qind e martesave të Katarit tashmë përfundojnë në divorc. Më shumë se dy e treta e popullsisë është në mbipeshë. Banorët e Katarit kanë arsim të lirë, kujdes shëndetësor të plotë falas, vende pune të sigurta, para falas për shtëpi, madje edhe ujë dhe elektricitet falas, por bollëku ka krijuar problemet e veta.
“Është hutuese për studentët që diplomohen dhe që u ofrohen 20 vende të ndryshme pune”, thotë një akademik te kampusi i Universitetit Amerikan në Katar. “Njerëzit ndihen nën presion të madh për të marrë vendimin e duhur.”
Në një shoqëri, ku vendasit kapërcehen nga të ardhurit në një me shtatë, vendasit flasin me zemërim në rritje se atyre u ofrohen vende pune rehati, ndërsa punët më sfiduese dhe të këndshme, u shkojnë të huajve.
Po thellohet ndjesia se nga nxitimi për zhvillim, diçka e rëndësishme është humbur. Jeta familjare e Katarit po atomizohet. Tashmë fëmijët pothuajse të gjithë rriten prej dadove të ardhura nga Filipinet, Nepali apo Indonezia, hendeqe në kulturë dhe këndvështrim po krijohen mes gjeneratave të ndryshme.
Umm Khalaf, një grua në të 60-at, me fytyrë të mbuluar pas vellos tradicionale batoola, më thotë se sa “e bukur dhe e thjeshtë” ishte jeta në rininë e saj. “Ne ishim të gjallë dikur. Është e dhembshme të humbasësh intimitetin familjar”, thotë ajo.
Jashtë, në fushat e pluhurosura në Perëndim të Dohas, në vendin që quhet Umm Al Afai – ose Vendi i Gjarpërinjve – fermeri Ali aj-Jehani po më qeras me një tas të ngrohtë qumështi gamileje, të sapomjelë.
“Më herët mund të bëheshe i pasur nëse punoje dhe jo nëse nuk punoje – atëherë ishte shumë më mirë”, thotë ai. “Qeveria po përpiqet të ndihmojë, por gjërat po ndryshojnë tepër shpejt.”
Të tjerë thonë se politikanët janë jashtë realitetit të njerëzve, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si fituan të drejtën për organizimin e Kampionatit Botëror, si dhe me nivelin e jashtëzakonshëm të interesit të medias së huaj për të gërmuar në jetën e Katarit, interes që ka nxjerrë probleme të rënda në lidhje me të drejtat e punëtorëve të huaj në këtë shtet të vockël.
Mariam Dahrouj, e diplomuar në Gazetari, rregullon niqabin e saj, ndërsa flet se ndihen disi të kërcënuar.
“Njerëzit në Katar janë të frikësuar”, thotë ajo. “Papritur e gjithë bota dëshiron të na shohë. Ne jemi një bashkësi e mbyllur dhe ata duan të vijnë afër dhe të sjellin dallimet e tyre. Si mund të shprehim ne vlerat tona?”
Shoqëria e Katarit është e përcaktuar nga klasat, të cilat shpesh janë të lidhura nga raca. Kjo është gjithmonë e pabarabartë.
Qeveria e Katarit së fundmi u përpoq t’u zgjidhë disa nga këto probleme, duke shfuqizuar sistemin kafala, e cila i detyronte punëtorët emigrantë të punonin deri në fund të kontratës dhe u mohohej e drejta e largimit nga vendi apo duke lejuar emigrantët të aplikojnë për nënshtetësi të Katarit. Gjithsesi, këto masa kanë shtuar frikën se stabiliteti do të gërryhet dhe vlerat kulturore do të shkatërrohen.
Vendi ka filluar të ketë shqetësime të krijuara nga pasuria. Një aleancë që dikur ishte e fuqishme me Arabinë Saudite dhe vende të tjera fqinje po rrëzohet, katarasit po shqetësohen nga Kampionati Botëror, që është ende tetë vjet larg dhe qeveria po përballet me kërkesa për reforma.
“Unë nuk dija asgjë për këtë sistemin kafala”, thotë një grua e re katarase. “Tashmë mendoj: pse nuk e zhbëmë atë më herët?”
Përgjatë bulevardit buzë detit, njerëzit që pinë kafe dhe thithin nargjile shijojnë mbrëmjen e freskët.
“Unë ndiej simpati për katarasit”, thotë një antropolog amerikan, i cili ka kaluar shumë vite në Doha. “Ata kanë humbur gjithçka që ka rëndësi.”
Vendet më të pasura, (GDP për frymë)
Katar ($102,000)
Lihtenshtein ($89,000)
Bermuda ($86,000)
Makau ($82,000)
Luksemburg ($78,000)