Në dy doktorata me autorë të huaj citohen punimet e studentit të matematikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Valmir Krasniqi. Ky absolvent i UP-së, me mbi 30 punime shkencore të publikuara kryesisht jashtë vendit, nuk është lejuar të kandidojë për titullin “shkencëtar i vitit”, që zgjidhet përmes një konkursi të shpallur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për çdo vit në Kosovë.
Si anëtar i Shoqatës Amerikane të Matematikanëve ku është i angazhuar të bëjë dhe vlerësime të punimeve të të tjerëve, si dhe bashkëpunëtorë në disa redaksi të revistave tejet prestigjioze në matematikë, atij i është pamundësuar të konkurrojë. Një nga kriteret e MASHT-it për të bërë përzgjedhjen e shkencëtarit të vitit është që aplikuesi të ketë titull – gradë shkencore.
Ky kriter ia ka pamundësuar, studentit Krasniqi që të fitojë çmimin “shkencëtar i vitit” (2013) ndonëse është i certifikuar ndërkombëtarisht si shkencëtar, si dhe është specialist në Funksione speciale dhe në Teori të pabarazimeve. E, Krasniqi është refuzuar edhe në konkursin për projekte shkencore deri në 10 mijë euro që Ministria ndan për kërkime shkencore. Krasniqi në bashkëpunim me tre profesorë të matematikës në UP: Armend Shabani, Naim Braha dhe Xhevat Krasniqi kanë konkurruar me projektin “Zbatimet e analizës matematikore”.
Krasniqi thotë për “Zërin” se Ministria e Arsimit po vendos kushte që janë të papranueshme dhe diferencuese. “Jam refuzuar për shkencëtar të vitit dhe arsyeja ka qenë se nuk kam gradë shkencore”.
Dhe përgjigjen për refuzim thotë se e ka marrë vetëm pas presionit që ka bërë në Ministri duke kërkuar të dijë se pse është refuzuar. Një përgjigje që e quan më shumë teknike thotë se ia kanë kthyer përmes e-maili.
“Nuk e di cili shkencëtar më ka vlerësuar mua dhe të tjerët, pra cilët kanë qenë shkencëtarët në komisionin vlerësues”, thotë ai, duke dyshuar në kompetencat e anëtarëve të këtij komisioni vlerësues. Madje, Krasniqi thotë se në disa konkurse ka qenë kushti të kihet titulli magjistër.
“Tani me Bolonjë titulli është master kurse ata kushtëzojnë të jetë magjistër. Përveç kësaj në moshën tonë si student në bachelor nuk kemi tituj, dhe konkursi lejon vetëm ata që kanë tituj”.
Sipas tij, MASHT-i me konkursin për shkencëtar të ri, nuk po i lejon të zgjidhen shkencëtarët e rinj. Ai thotë se ka pasur rekomandime nga dy profesorë të huaj, mjaft të respektuar në fushën e matematikësprof. dr. Shyam Kalla, dhe prof. dr. Mohammed Aasila.
Projektet fitohen nga njerëzit e afërt me Qeverinë
Krasniqi thotë se çdo konkurs për fonde shoqërohet me procedura burokratike. “Çdo konkurs përcilletme procedura burokratike. Jam refuzuar për arsye banale. Për një dokument teknik të refuzojnë, të thonë: s’i ke plotësuar kriteret. Vlerësojnë kushtet teknike dhe jo punën shkencore”.
Krasniqi thotë se u bë një vit që ka konkurruar dhe për ndonjë projekt shkencor sivjet nuk e ka ndërmend të konkurrojë. Madje nuk ka bërë as ankesë.
“Ku të ankohem nuk ke ku edhe lëndën e humbin dhe rregullorja nuk lë hapësirë për këtë”. Ai hedh poshtë deklarimet e Ministrisë së Arsimit se ka fonde për shkencën, por shkencëtarët nuk po konkurrojnë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit e afërt me PDK-në dhe me Qeverinë i fitojnë projektet. Kam argument për këtë”, thotë Krasniqi. Sipas tij, në Kosovë nuk ka shkencë të nivelit të lartë, më shumë ka fryrje të rezultateve shkencore.
“Unë sivjet nuk shkoj me apliku, e di rezultatin final”. Krasniqi thotë se Qeveria nuk bënë kërkime të talenteve, apo shkencëtarëve të rinj, por edhe atëherë kur ata konkurrojnë nuk i përkrah.
Mest: Shkencëtarët e rinj: Nuk po përkrahemi
“Kosova është vend i vogël, mund të përkrahen shkencëtarët e rinj, meqë të tillë nuk ka shumë. Të thirren dy doktoratura në punimet e mia shkencore dhe të mos përkrahem nga Qeveria është zhgënjim i madh për mua dhe të tjerët që duan të ndjekin këtë rrugë”. Sipas Krasniqit, në konkursin për grante shkencore nuk përfshihen shkencat ekzakte, e kjo është një arsye më shumë që të rinjtë nuk merren me shkencat ekzakte.
Profesori i matematikës në FSHMN, Naim Braha, bartësi i projektit shkencor, ka thënë se janë refuzuar pa marrë asnjë përgjigje pse është refuzuar projekti i tyre. “Nuk ka pasur bazë për të na refuzuar.
Projekti i ka plotësuar të gjitha kriteret, madje ne i kemi tejkaluar këto kritere”, ka thënë ai për “Zërin”. Braha ka theksuar se janë nisur të konkurrojnë duke dashur të bëjnë diçka për shkencë, pasi ndonjë fitim personal, sipas tij, me shumën prej 10 mijë euro, nuk ka, duke ditur edhe që “është shumë nënçmuese për shkencëtarët sot”.
Ai thotë se si grup kanë publikuar mbi 20 punime shkencore me recension ndërkombëtar, por në Kosovë po i maltretojnë të plotësojnë dokumente të ndryshme teknike dhe jo t’i stimulojnë për punë shkencore.
MASHT: Vepruam sipas konkursit
Arbër Morina, këshilltar politik i ministrit të Arsimit Ramë Buja, ka thënë për gazetën se komisioni vlerësues për projektet përbëhet nga njerëz të njohur të shkencës dhe botës akademike në Kosovë.
Sipas tij, ky komision ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me konkurs. Ai thotë se konkurrentët për projekte shkencore që kanë mbetur të pakënaqur mund të bëjnë dhe ankesë.
Morina mohon ndonjë keqpërdorim gjatë vlerësimit të projekteve. Ai ka thënë se komisionet përkatëse vlerësuese për projekte hulumtuese, financim të doktoratave… bëhen nga njerëz jashtë MASHT-it dhe që sigurojnë një vlerësim të njëanshëm dhe profesional. Por, në anën tjetër thekson se ka tepruar buxhet në mungesë të aplikantëve për projekte.
“Jemi duke zhvilluar politika për stimulim të shkencëtarëve dhe inkuadrimin e shkencëtarëve të rinj, në këtë drejtim kemi dhe konkursin e ri për zgjedhjen e shkencëtarit të vitit”.
Ndërkohë, që lidhur me rastin e Krasniqit, Morina sqaron se kriteret për “Shkencëtar të vitit” janë përcaktuar ato që janë publikuar dhe në konkurs dhe çdo shmangie nga konkursi do të nënkuptohej, sipas tij, si shkelje ligji. Megjithëkëtë, Morina tha se për rastet e kandidatëve që nuk kanë tituj shkencorë, mund dhe të dalë kjo çështje në diskutim publik për t’u debatuar kriteret e konkursit.