Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “O Ju që keni besuar! Agjërimi iu është bërë obligim, ashtu siç u ishte bërë edhe atyre që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”.
Pse agjërojnë muslimanët?! Nuk është gabim t`ia bëjmë vetes këtë pyetje, sepse edhe të tjerët pyesin: “Pse agjërojnë këta njerëz, mirë dimrit, por edhe në mes të verës?!” Nëse nuk të pyesin drejtpërdrejt, dije se ata e thonë këtë me njëri – tjetrin. Prandaj ne duhet t`i japim përgjigje kësaj pyetje për të sqaruar vetet tona dhe të tjerët, se përse agjërojnë muslimanët, përse agjërojmë ne.
Ne agjërojmë, se agjërimi është urdhër prej Zotit dhe çdokush që nuk agjërojn dhe nuk ka arsye për këtë, ta dijë se ai po kundërshton Zotin, qofshin këta edhe prindërit tanë që i duam shumë. Përgjigjen e kësaj yetje e jep vetë Zoti i gjithësisë dhe nuk na le të lodhemi shumë. Ai thotë: “O Ju që keni besuar! Agjërimi iu është bërë obligim, ashtu siç u ishte bërë edhe atyre që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”.
Të gjithë ata muslimanë që agjërojnë, e bëjnë këtë sepse në radhë të parë ata duan t`i binden urdhrit të Zotit dhe shpërblimi i këtij urdhri është devotshmëri. Ne agjërojnë për të qenë njerëz më të devotshëm. Nuk agjërojmë thjesht për qejfin e Zotit, as nuk agjërojmë për t`u torturuar dhe për të vuajtur, as nuk agjërojmë për të mbajtur dietë, por agjërojmë që të bëhemi njerëz më të devotshëm, e të kesh devotshmëri, do të thotë të jesh më afër vetes tënde, më afër shpirtit tënd, do të thotë të jesh më larg shejtanit të mallkuar, më larg gjynaheve, të jesh më larg haramit. Kjo s`do të thotë se ti nuk do të bësh kurrë gjynahe, se jemi njerëz dhe do të bëjmë gabime, por kjo do të thotë se ti do të jesh nga ata njerëz që i largohen të ndaluarës më shumë se të tjerët.
Një nga të parët e muslimanëve u pyet: “Zoti e përdor shumë devotshmërinë në Kuran. Na e shpjego pak më thjesht se ç`është devotshmëria?” Ai u përgjigj: “A të ka qëlluar ndonjëherë të ecësh në ndonjë rrugë që ka shumë gjemba dhe ke frië se mos çan këmbët?” “Po – thanë, na ka rastisur”. Ai vazhdoi: “Kur ecën në këtë rrugë a e ngre rrobën që të mos griset, a i zgjedh hapat ku i hedh, që të mos gjakosesh ga gjembat?” “Po, ashtu është”, – i thanë. Ai tha: “Ashtu është edhe devotshmëria. Dynjaja ka shumë gjemba. Ashtu siç ti kujdesesh që të mos vritesh e të mos bësh pis rrobën tënde, ashtu duhet ta ruash veten nga gjynahet,që të mos njollosesh me to dhe hidhi me kujdes hapat e tu, qëtë mos shkelësh mbi haram. Kjo është devotshmëria. Ruaj veten tënde, ruaj hapat e tu dhe hap sytë se ku i hedh këmbët”. Pra një njeri që agjëron, duhet t`i thotë vetes: “A u bëra më i devotshëm, a u bëra më i mirë?” Nëse po, falendero Zotin, nëse jo, kthehu edhe njëherë devotshmërisë, se Zoti nuk ka dashur që ne të rrimë thjesht pa ngrënë dhe pa pirë, por ka dashur që ne të jemi njerëz të devotshëm. Zoti na e shtoftë devotshmërinë dhe na i pakësoftë të këqijat e vetes tonë. Ne agjërojmë, për të kalitur durimin dhe vullnetin tonë, se kjo jetë ka disa ligje dhe njeriu që nuk ka durim nuk mund të jetojë gjatë në këtë jetë. Jeta ka treguar se suksesi nuk vjen pa vullnet. Nëse hipën shpejt në një majë mali, pa derdhur djersë, të jesh i sigurt se do të biesh shumë shpejt prej aty, se Zoti ka caktuar se rrugën e suksesit e vazhdon vetëm ai, i cili ka durim e vullnet.
Jeta ka treguar se për t`i ikur të keqes dhe haramit, duhet të kesh durim e vullnet, sepse e keqja duket e ëmbël dhe të tërheq drejt saj. Prandaj Zoti ka caktuar që ta forcojmë durimin me agjërim, që me lejen e Zotit t`i kalojmë vështirësitë e kësaj bote, por edhe ato të botës tjetër. Prandaj Muhamedi (a.s) thoshte: “Agjërimi është gjysma e durimit”. Njeriu që agjëron, e ka fituar gjysmën e durimit, prandaj le të ketë kujdes për gjysmën tjetër.  Betejat e dynjasë janë të shumta. Agjërimi të fton ta mbash veten. Nëse ke ngrëne tre vakte, ha dy dhe duroje urinë e etjen, që të skalisësh durimin tënd, që nëse të provon Zoti nesër, ti mund të thuash: “Inshallah do ta kaloj këtë, se kam agjëruar një muaj”. Prandaj ësht fakt, se ata që agjërojnë, kanë durim e vullnet të hekurt.
A e dini se pjesa më e madhe a atyre që nuk agjërojnë, nuk është se nuk janë besimtarë dhe ata nuk tallen me agjërimin, por ata kanë frikë të agjërojnë, ashtu siç ka frikë fëmija se mos rri pa ngrënë. Por ata që e provojnë durimin e agjërimit, janë shumë të kënaqur me veten e tyre dhe mund t`i bëjnë ballë shumë vështirësive të tjera.
Zoti ka caktuar, që brenda trupit tonë të ketë tre forca:
1- Forca e epshit: kur ajo bëhet shumë e fortë, ne fillojmë dhe i ngjajmë kafshëve. Kur njeriu i jep përparësi epshit të tij, nuk ka gjë që e ndal, tamam si kafsha. Njeriu që ha dhe ka komoditete pa fund, atij i shtohen epshet dhe e lëshon veten e tij në dorën e epshit.
2- Forca e zemërimit: të gjithë kemi zemërim, por ka disa njerëz që nuk e kontrollojnë zemërimin e tyre dhe bëhen si egërsira. Zoti ka caktuar se kush agjëron, e zbut zemërimin e tij.
3- Forca e shpirtit: kjo është forca që kanë engjëjt e Zotit. Kur ne agjërojmë, e zbusim epshin dhe inatin dhe kshtu fillojmë t`iu ngjajmë engjëjve. Prandaj mos u çudit nëse të duket vetja i lehtë në Ramazan. Kjo ndodh sepse shpirti yt është më i lehtë dhe ti fluturon drejt qiellit, sepse toka të tërheq drejt vetes.
Ne agjërojmë, që t`i kujtojmë të mirat e Zotit e t`i kujtojmë ata njerëz që nuk i kanë këto të mira. Nëse do të kuptosh dritën, duhet ta provosh se çdo të thotë të jesh në errësirë. Nëse do të shijosh shëndetin, duhet ta provosh sëmundjen. Nëse do të dish vlerën e shoqërisë, duhet të provosh se çdo të thotë të rrish vetëm. Nëse do ta kuptosh se çfarë të ka dhënë Zoti me ushqimin dhe pijen tënde, të cilat i konsumon çdo ditë, pa e ditur se Zoti të ka dhënë shumë, atëherë duhet ta provosh çdo të thotë të mos kesh për të ngrënë, me qëllim që t`ia dish vërtet vlerën ushqimit dhe pijes. Ai që agjëron, rri deri në 15 orë pa ngrënë, por pasha Zotin ka njerëz, që rrinë më shumë se 15 orë pa ngrënë, thjesht për faktin se nuk kanë se çfarë të hanë. Madje edhe në këto momente ka njerëz në Somali, të cilët vuajnë për një copë bukë. Por çudia më e madhe është, se ata agjërojnë dhe hanë vetëm një vakt. Një njeri që nuk agjëron, që nuk e ka provuar se çdo të thotë, të të dhembë barku për të ngrënë, atij njeriu foli sa të duash, por ai e ka shumë të vështirë t`i zbutet zemra. Prandaj profeti (a.s) tha: “Zoti më futi të zgjedh dhe më tha: “O Muhamed! A ke dëshirë që këtë luginë të ta bëj me flori e të jesh më pasaniku i banorëve të Mekes apo dëshiron që një ditë të kesh ushqim e një ditë të mos kesh?” Unë i thashë: “jo o Zot. Unë dua që një ditë të kem për të ngrënë e ditën tjetër të mos kem. Kur të mos kem çfarë të ha, do të të drejtohem me lutje dhe kur të kem për të ngrënë, do të të falenderoj Ty”. Thuhet për profetin Jusuf (a.s), atij që Zoti i dha në dorë çelësat e magazinave të Egjiptit, se ai e shtonte shumë agjërimin. Kur e pyetën se përse agjëronte aq shumë, ai tha: “Kur kam këto çelësa në dorë dhe jam i ngopur, nuk më shkon mendja tek i varfri dhe kam frikë se mos i harroj të varfrit. Por kur jam agjërueshëm, e di se çfarë heqin ata njerëz që vijnë të kërkojnë”. Prandaj njeriu që agjëron, e ka zemrën më të butë, është më human dhe i she njerëzit me sy tjetër.
Ne agjërojmë, për të provuar se sa e madhe është kjo fe, për të provuar se muslimanët në të katër anët e botës janë vëllezër. Cila forcë tjetër në botë bën, që me miliona njerëz (agjëruesit) ta çelin iftarin në një kohë dhe ta mbyllin syfyrin në një kohë, të gjithë kanë një sistem, një disiplinë? Vetëm Allahu (xh.sh) me ligjin e Tij mund ta bëjë diçka të tillë. Imagjinoni sesi të gjithë muslimanët e rrethojnë Qaben duke falur namazin e teravive, që është specifik për Ramazan, por edhe për faljen e namazeve ditore. Sikur ta fotografoje këtë moment, do të shikoje madhështinë e kësaj feje. Kjo është feja e Zotit, kjo është forca e Tij. Ne agjërojmë bashkë me njerëzit e tjerë, për të ndjerë se jemi një bashkësi njerëzore, jemi një umet dhe të gjithë njohim Allahun për Zot, Muhamedin (a.s) pë profet, Kuranin si librin e shenjtë dhe Qaben për kible.
Ai njeri që beson Zotin, të jetë i sigurt se nuk do të humbë asgjë. Ai njeri që nuk beson Zotin, të jetë i sigurt se nuk do të fitojë asgjë. Ai njeri që beson dhe pason fenë, të jetë i sigurt se nuk do të lerë asgjë mangut prej kësaj dynjaje. Ai njeri që agjëron, të jetë i sigurt se nuk e dëmton trupin e tij, se Zoti nuk ka dëshirë t`i dëmtojë njerëzit, aq më tepër besimtarët e Tij.
Profeti Muhamed (a.s) thotë për agjërimin: “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm”. Ndërsa njerëzit mendojnë, se po të agjërojnë, e dëmtojnë shëndetin e tyre. Këtë hadith e thonë mjekët dhe eksperëtët e kësaj fushe. Agjërimi është doktor, është operacion pa bisturi. Agjërimi pastron stomakun, zemrën, mëlçinë, veshkat dhe të gjtiha organet e trupit. Ai i bën një lavazh trupit, të cilin për 11 muaj e ke shkatërruar duke e mbushur me ushqim. Prandaj ftoj veten time dhe ju, që të mos e teprojmë pas iftarit, e nëse veprojmë kshtu i hyjmë në hak edhe trupit tonë. Profeti (a.s) thoshte: “Ena më e keqe që mbush një njeri, është barku i tij”. Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Do t`i mjaftonin njeriut disa kafshata, që t`ia mbanin shpirtin gjallë, por nëse nuk ngopeni me kaq, atëher 1/3 e stomakut tuaj mbusheni me ushqim, 1/3 me ujë dhe pjesën tjetër lëreni për ajër”. Si ta kuptojmë që e kemi mbushur 1/3? Kjo kuptohet, kur pasi kemi ngrënë, ndihemi të lehtë.
Agjërimi të detyron ta pastrosh stomakun tënd, prandaj kur agjëron, sevapet do t`i marrë një më një, se Zoti është Bujar i madh, por do të shikosh përmirësime edhe në trupin tënd dhe në jetën tënde.
Zoti mos na privoftë nga të mirat e kësaj bote dhe as nga të mirat e botës tjetër. Zoti na dhëntë shëndet e mbarësi prej këtij agjërimi në këtë botë dhe na shpërbleftë ashtu siç ka premtuar Ai vetë në botën tjetër.
 

Autori është Zëvendës kryetar i Forumit Rinor Islam