Tutu, Chomsky, Waters, Pappe, akuzojnë Izraelin “për krime kundër njerëzimit”

Në një letër të publikuar në të përditshmen britanike, The Guardian, 64 intelektualë ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe 7 fitues të çmimit NOBEL, kanë kërkuar embargo ndërkombëtare për shtetin hebre, pasi sipas tyre “ka shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut.”
“Izraeli edhe njëherë po përdor me të gjitha forcat e saj, ushtrinë për të vrarë popullsinë civile në Gaza. Ky agresion ushtarak është ilegal dhe johuman, andaj lypset që shtetet tjera të bllokojnë çdo lloj shitblerje ushtarake me Izraelin ashtu siç ndodhi me Afrikën e Jugut gjatë aparteidit,” thuhet në konkluzionin e letrës, shkruan Haaretz, transmeton Portalb.
Mes nënshkruesve të letrës, janë nobelistët: Desmond Tutu, Betty Williams, Federico Mayor Zaragoza, Jody Williams, Adolfo Peres Esquivel, Mairead Maguire dhe Rigoberto Menchu.
Po ashtu, pjesë nënshkrues të letrës janë edhe intelektualë të njohur ndërkombëtarë si: akademiku Noam Chomsky dhe Rashid Khalidi, regjisorët Mike Leigh dhe Ken Loach, muzikantët Roger Waters dhe Brian Eno, shkrimtarët Alice Walker dhe Caryl Churchill, si dhe  gazetarët John Pilger dhe Chris Hedges.
Mes nënshkruesve të letrës janë edhe dy hebrenjtë, akademikët Ilan Pappe dhe Nurit Peled. /
F.Dika /Portalb