Ziauddin Sardar
 
Kur Malkom X vizitoi Mekën më 1964-ën, ai u mahnit. Qyteti iu duk “i lashtë sa vetë koha”, dhe shkroi se zgjerimi pjesërisht i përfunduar i Xhamisë së Shenjtë “do ia kalojë bukurisë arkitekturore të Taxh Mahalit.”
50 vjet më pas, dikush zor se mund ta përshkruajë Mekën si të lashtë, apo të shoqërojë bukurinë me qytetin më të shenjtë të Islamit. Pelegrinët që kryejnë Haxhin këtë javë do kërkojnë më kot për historinë e Mekës.
Objekti arkitekturor dominues në qytet nuk është Xhamia e Shenjtë, ku ndodhet Qabja, fokusi simbolik i muslimanëve kudo në botë. Është hoteli i neveritshëm Meka Royal Clock Tower, i cili, me 601 metra lartësi, është mes ndërtesave më të larta në botë. Ai është pjesë e një kompleksi gjigand ndërtesash të larta që përfshin qendra tregtare luksoze dhe hotele për super të pasurit. Horizonti nuk dominohet më nga vija e thyer e majave rrethuese. Male të lashta janë sheshuar. Qyteti tani rrethohet nga brutaliteti i strukturave drejtkëndëshe prej çeliku dhe betoni – një amalgamë i Disnejland dhe Las Vegas.
“Kujdestarët” e Qytetit të Shenjtë, liderët e Arabisë Saudite dhe klerikët, kanë një urrejtje të thellë ndaj historisë. Ata duan që çdo gjë të duket akull e re. Ndërkohë, infrastruktura po zgjerohet për të akomoduar numrin në rritje të pelegrinëve, i ardhur në 3 miljon sot nga 200 mijë në vitet 60.
Faza fillestare e shkatërrimit të Mekës filloi në mes të viteve 70, dhe unë isha atje për ta dëshmuar. Ndërtesa të shumta të lashta, përfshi xhaminë e Bilalit, që datonte nga koha e Profetit Muhamed, u rrafshuan me buldozer. Shtëpitë e vjetra osmane, me mashrabijet elegante – penxhere me rrjeta të thurura–dhe dyer me gdhendje të ndërlikuara, u zëvendësuan me shtëpi të shëmtuara moderne. Brenda pak vitesh, Meka u transformua në një qytet “modern” me rrugë të gjera me shumë korsi, mbikalime të koklavitura, hotele të shtrenjta dhe qendra tregtare.
Ndërtesat e pakta dhe vendet me rëndësi fetare dhe kulturore që mbetën u zhdukën kohët e fundit. Meka Royal Clock Tower, e mbaruar në 2012-n, u ngrit mbi rrënojat e gati 400 objekteve me rëndësi kulturore dhe historike, përfshi ato pak ndërtesa të mbetura të mijëvjeçarit të kaluar. Buldozerët erdhën në mes të natës, duke zhvendosur familjet që jetonin aty prej shekujsh. Kompleksi qëndron mbi Fortesën Axhjad, e ndërtuar në 1780-n për të mbrojtur Mekën nga banditët dhe pushtuesit. Shtëpia e Hatixhes, gruaja e parë e Profetit Muhamed, është shndërruar në një bllok banjash publike. Hoteli Meka Hilton është ndërtuar mbi shtëpinë e Ebu Bekrit, shoku më i afërt i Profetit dhe Kalifi i parë.
Përveç Qabes vetë, vetëm bërthama e brendshme e Xhamisë së Shenjtë ruan një fragment historie. Ajo përbëhet prej kolonave të mermerit të gdhendura me shumë detaj e të zbukuruara me mbishkrime kaligrafike të emrave të shokëve të Profetit. Të ndërtuara prej disa sulltanëve Osmanë, kolonat datojnë që prej fillimit të shekullit të 16. Por planet po përgatiten për t’i shembur ato bashkë me krejt pjesën e brendshme të Xhamisë së Shenjtë e për t’i zëvendësuar me një ndërtesë ultra-moderne në formë gjevreku.
E vetmja ndërtesë tjetër me rëndësi fetare në qytet është shtëpia ku ka jetuar Profeti Muhamed. Gjatë shumicës së periudhës saudite ajo është përdorur në fillim si një treg bagëtish, pastaj u kthye në një bibliotekë e cila nuk është e hapur për publikun. Por edhe kjo është e tepërt për klerikët radikalë sauditë të cilët vazhdimisht kanë kërkuar që ajo të shembet. Klerikët kanë frikë se, nëse hynë brenda, pelegrinët do i luten profetit e jo Zotit – një mëkat i pafalshëm. Është thjesht çështje kohe para se ajo të rrafshohet dhe të kthehet, me të gjitha gjasat, në një parking.
Shkatërrimi kulturor i Mekës e ka transformuar radikalisht qytetin. Ndryshe nga Bagdadi, Damasku, apo Kajro, Meka nuk ishte kurrë një qendër e madhe intelektuale apo kulturore e Islamit. Por ishte gjithmonë një qytet pluralist ku debati mes sekteve të ndryshme muslimane dhe shkollave të mendimit nuk ishte i pazakontë. Tani është shndërruar në një entitet fetar monolit ku vetëm një interpretim literal e jo-historik i Islamit lejohet, dhe ku të gjitha sektet e tjera jashtë rrymës selefiste të Islamit saudit konsiderohen si false. Me të vërtetë, fanatikët shpesh kërcënojnë pelegrinët e sekteve të tjera. Vitin e kaluar, një grup pelegrinësh shiitë nga Miçigani u sulmuan me thika nga ekstremistët, dhe në Gusht, një koalicion i muslimanëve amerikanë i shkroi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi mbrojtje gjatë Haxhit të sivjetshëm.
Fshirja e historisë së Mekës ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm mbi vetë Haxhin. Fjala “haxh” do të thotë përpjekje. Është nëpërmjet përpjekjes për të udhëtuar në Mekë, për të ecur nga një vend rituali tek tjetri, për të takuar e angazhuar njerëz nga kultura e sekte të ndryshme, dhe për të thithur historinë e Islamit që pelegrinët dikur fitonin dije sëbashku me përmbushjen shpirtërore. Sot, haxhi është një paketë turistike, ku ti lëviz, i ngjitur me grupin tënd, nga hoteli në hotel, dhe rrallë takon njerëz nga kultura apo etni të ndryshme. I tharë nga historia dhe pluralizmi kulturor e fetar, haxhi nuk është më një eksperiencë transformuese shpirtërore që ndodh njëherë në jetë. Është shndërruar në një ushtrim të rëndomtë ritualesh dhe bërje pazari.
Meka është një mikrokozmosin e botës muslimane. Ajo çka ndodh aty ka një efekt të thellë mbi muslimanët kudo. Zemra shpirtërore e Islamit është një enklavë ultramoderne, monolite, ku ndryshimi nuk tolerohet, historia nuk ka kuptim, dhe konsumizmi është parësor. Atëherë nuk është për tu habitur që literalizmi, dhe interpretimet vrastare të Islamit që vijnë me të, janë bërë kaq dominuese në vendet muslimane.
Ziauddin Sardar është redaktori i revistës tre-mujore Critical Muslim dhe autor i “Mecca: The Sacred City.”
 
Marrë nga New York Times
Përktheu A.T.
http://www.e-zani.com/2014/10/09/shkaterrimi-mekes/