Muhammedi a.s., jo vetëm që e shpalli fjalën e All-llahut të Madhërishëm, por me qasjen e tij metodologjike i tejkaloi pejgamberët e mëparshëm, duke mbetur si paradigma më e mirë deri në Ditën e Gjykimit.
Metodat e ftesës së Muhammedit a.s., kanë qenë rezultat i inspirimit të All-llahut të Madhërishëm. E edukoi Zoti i tij, andaj edhe metodat të cilat i shfrytëzoi kanë qenë të plota dhe të përkryera.
Nëse nga cilido aspekt analizojmë metodat e ftesës së Pejgamberit, s.a.v.s., do të zbulojmë paarritshmërinë dhe urtësinë e pafund.
Të drejtuarit e tij, ftesa dhe mësimi i sahabëve nuk ka qenë një rutinë e përditshme, por varësisht nga rrethanat ndryshonte dhe çdo herë bëhej interesante dhe e papërsëritur.
T’i analizojmë disa prej metodave të tij:
Pyetja si metodë e komunikimit me njerëzit
Ftesa e Muhammedit a.s., nuk përmbante vetëm elemente të boshatisura të parashtrimit dhe interpretimit të fakteve. Me faktet e caktuara, kërcënimit me dënim ose premtimin e shpresës në mëshirën e All-llahut, Pejgamberi, s.a.v.s., përveç proklamimit të urdhrave dhe ndalesave të caktuara, shumë shpesh është shërbyer me pyetje si metodë e të drejtuarit ndaj njerëzve, e që është tejet e rëndësishme që të tërhiqet vëmendja e dëgjuesit. Këtë do ta ilustrojmë me disa shembuj:
Ebu Dherri r.a., transmeton se njëherë i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ka pyetur: “A dëshiron të tregoj cilat janë fjalët më të dashura për All-llahut? Fjalët më të dashura tek Allahu janë: Subhanall-llahi ve bi hamdihi! Qoftë i lavdëruar dhe falënderuar All-llahu i Madhërishëm!”
Ebu Musa r.a., transmeton se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., e ka pyetur: “A dëshiron të udhëzoj në një prej depove të Xhennetit?” I thashë: “Po, i Dërguar i All-llahut!” Ai tha: “La havle ve la kuvvete il-la bil-lah! Nuk ka fuqi dhe energji përveç All-llahut!”
Ebu Derda r.a., transmeton se Muhammedi, s.a.v.s., ka pyetur: “A dëshironi t’ju lajmëroj për veprat më të mira, të cilat janë më të zgjedhura dhe në shkallë më të lartë tek Zoti juaj, më të mira se dhënia e arit dhe argjendit, dhe më të mira se luftimi me armikun në të cilin ju mbytni ata dhe ata ju mbysin juve?!” “Gjithsesi” u përgjigjën ata. Atëherë ai tha:“Dhikri – përmendja e All-llahut të Madhërishëm!”
Ebu hurejre r.a., transmeton se Pejgamberi, s.a.v.s., ka pyetur: “A e dini kush është falimentues (bankrotues-muflis)?” Sahabët u përgjigjën: “Falimentues është ai i cili nuk ka para dhe mall! Pejgamberi s.a.v.s., në këtë shtoi: “Falimentues i vërtet në ummetin tim është ai i cili vie në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim, zekat, por e ka ofenduar tjetrin, e ka shpifur tjetrin, ia ka cunguar pasurinë tjetrit, ka derdhur gjakun e tjetrit, e ka goditur filanin… dhe secilit nga ata do t’i japë pjesë të veprave të mira, dhe kur t’i mungohen veprat e mira duke iu dhënë tjerëve, atëherë do t’i marrin veprat e këqija të tjerëve duke ia bartur këtij, dhe më pastaj së bashku me ata do të hudhet në zjarr!”
Ebu Hureja r.a., transmeton se i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ka pyetur: “A dëshironi t’ju udhëzoj në atë që do t’ju shlyej mëkatet tuaja dhe do t’ju ngritë shkallët tuaja?!” Sahabët u përgjigjën: “Gjithsesi i Dërguar i All-llahut!” Ai tha: “Kjo është marrja me rregull e abdestit në rrethana të vështira, shumë hapa të bërë duke shkuar në xhami, pritja e namazit pas namazit, qëndrimi zgjuar në kufi! Ky është qëndrimi sy hapur në kufi!”
Thirrja e personit disa herë
Pejgamberi s.a.v.s., e ka thirrur një person të caktuar disa herë. Me këtë veprim vinte në shprehje momenti psikologjik, ndërsa personi këtë e mbante në mend më mirë.
Muadh b.Xhebeli r.a., ka thënë: “Kam kalëruar pas të Dërguarit të All-llahut, s.a.v.s., na ndante vetëm pjesa e pasme e shalës. Më thirri: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë. “Të përgjigjem o i Dërguar i All-llahut!” Ai më thirri tri herë e pas përgjigjes sime më tha: “A e dinë çfarë janë obligimet e robërve ndaj All-llahut!” U përgjigja: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Tha: “Obligimet e robërve ndaj All-llahut janë që ta adhurojnë dhe mos t’i përshkruajnë shok!” Pastaj kaloi një periudhë, dhe përsëri më thirri: “Muadh i biri i Xhebelit!” I thash: “Të përgjigjem i Dërguar i All-llahut!” Pyeti: “A dinë çfarë janë obligimet e All-llahut ndaj robërve të Tij?” I thashë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri!”U përgjigj: “Të mos i dënoj!”
Përsëritja e fakteve qenësore (esenciale)
Përsëritja e fakteve esenciale ka qenë metoda e përhershme e Muhammedit s.a.v.s., e që veçanërisht ka qenë e shprehur kur shpjegonte disa mëkate të mëdha, në mënyrë që njerëzit sa më shumë t’i largonte nga ato.
Abdurrahman h. Ebi Bekr r.a., transmeton nga babai i tij që ka thënë: “Kemi qenë te i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., kur ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për tri mëkatet më të mëdha?! Të përshkruarit shok All-llahut, mosdëgjimi ndaj prindërve, dhe dëshmia e rrejshme ose të folurit e rrejshëm!”
I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ishte i mbështetur dhe u ulë dhe aq e përsëriti sa ne menduam: “Sikur të heshtë!” Me përsëritjen e disa fakteve, pa dyshim, ka dashur të tregoj në kryerjen fatale të një vepre të caktuar, kështu që dëmi i saj të bëhej i njohur, në mënyrë që personi i caktuar apo dikush tjetër të mos ketë forcë ta përsërit.
Sofran b. Muhriz, r.a., tregon që në një betejë, një sahab e mbyti një idhujtar, i cili duke ndier rrezikun e vdekjes, i shqiptoi fjalët: La ilahe il-lallah! Kur dëgjoi Pejgamberi s.a.v.s., e pyeti: “A e mbyte?! Si do të veprosh me La ilahe il-lallah kur të vie Dita e Gjykimit?!” Sahabiu atëherë e luti Pejgamberin s.a.v.s., ”O i Dërguar i All-llahut, kërko falje nga All-llahu për mua!” Ndërsa i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., vetëm përsëriste fjalët: “Si do të veprosh me La ilahe il-lallah kur vie Dita e Gjykimit?!”
Metoda komparative
Muhammedi s.a.v.s., nuk kishte qëllim vetëm ta shpallë fenë, pa futjen e saj në vetëdijen e njerëzve. Brenga permanente e Pejgamberit s.a.v.s., ishte që principet e fesë t’i rrënjosë thellë te njeriu, që këto ndjenja ta kaplojnë trupin dhe tërë qenien e tij. Kështu metoda e tij e krahasimit ka efekt të posaqëm në të mbajturit mend dhe në pranimin më të lehtë të rregullave të caktuara islame.
Kështu Ebu Hurejra r.a., transmeton se i Dërguari i All-llahu s.a.v.s., një rast, duke e përdor këtë metodë efektive i ka pyetur sahabët: “Çfarë mendoni sikur para derës së ndonjërit prej jush të ishte lumi në të cilën ai do të lahej pesë herë në ditë?! Athua kjo larje do t’i lente papastërti tek ai?!” Sahabët u përgjigjën: “Jo nuk do të ngecte asnjë papastërti!” Pejgamberi, s.a.v.s., atëherë konkludoi: “Kjo është ngjashëm me atë i cili falë pesë kohët e namazit, me të cilat All-llahu shlyen mëkatet e vogla!”
Enes b.Maliku, r.a transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli i pasuesve të mi është si shembulli i shiut, nuk dihet a është më e mirë pjesa e parë apo e fundit!”
Nu’man b.Beshir r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli i besimtarit në dashurinë e ndërsjellë, mëshirën dhe komunikimin është si shembulli i një trupi. Kur një pjesë e tij apo një organ ankon, kjo shprehet në tërë trupin në formë pagjumësie ose temperaturë të lartë!”.
Xhundubi r.a., transmeton se Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli i dijetarit i cili i mëson njerëzit për të mirë, ndërsa harron veten e tij, është sikurse qiriu i cili ndriçon njerëzit ndërsa vet digjet!”.
Ebu Musa El-Esh’ariu transmeton se Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli i atij që bën dhikër All-llahun dhe atij që nuk vepron kështu është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit!”.
Xhabiri r.a transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli im dhe i juaj është si shembulli i njeriut i cili ka ndez një zjarr në të cilin fillojnë të bijnë mushkonjat dhe karkalecët, dhe ai i largon nga ai. Unë jam ai i cili ju kam kapur për brezi në mënyrë që t’ju ndali dhe t’ju largoj nga zjarri i Xhehennemit, por ju po shmangeni dhe po ikni nga duart e mia”.
Paraqitja adekuate e marrësit të mesazhit
Në paraqitjen ndaj njerëzve Pejgamberi, s.a.v.s., ju ka përshtatur shkallës së mundësive të kuptuarit të tyre, forcës së imanit dhe bazamentit të tyre fetar.
Ebi Hureja r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., është pyetur: “Cila vepër është më e vlefshme?”. U përgjigj: “Besimi në All-llahun dhe të Dërguarin e Tij!” Më pastaj u pyet: “Po, pas kësaj” U përgjigj: “Lufta në rrugën e All-llahut!” Më pastaj u pyet: “E çfarë më pas?” U përgjigj: “Haxhi i pranuar tek All-llahu!”
Kur, intensiteti i imanit tek pyetësi nuk ishte i madh, atëherë i përgjigjej sikurse në shembullin të cilin e përmend Abdullah b. Amr r.a., që kur Pejgamberi, s.a.v.s., është pyetur: “Çfarë sipas islamit është më së miri të veprohet?” U përgjigj: “Të ushqesh të uriturin, dhe ti japish selam atij që e njeh dhe nuk e njeh?”.
Është normale se të ushqyerit e të uriturit, dhe dhënia selam njerëzve është me e lehtë se lufta në rrugën e All-llahut dhe haxhi.
Aftësia e vlerësimit: kur dhe kujt çfarë me e thënë
Aftësia e veçantë e Pejgamberit, s.a.v.s., ka qenë të vlerësoj në cilin moment dhe kujt çfarë t’i thotë, dhe ky ka qenë faktor vendimtar në suksesin e mësimit da’vetik. Mungesa e kësaj cilësie tek shumë thirrës të sotëm është shkak i mossuksesit të tyre.
Pejgamberi, s.a.v.s., në mënyrë precize dinte sa kishte mundësi personi të bartë barrën. Të pafuqishmit nuk i ka ngarkuar më tepër se sa kanë lejuar mundësitë e tij. Shembullin e tij më së miri e ilustron hadithi i Ebu Hurejres.
I dërguari i All-llahut, s.a.v.s., pas faljes së namazit të sabahut duke iu drejtuar sahabëve u foli për njeriun i cili e kishte ngarkuar për së tepërmi lopën, në çka ajo duke folur i kishte thënë se ajo për këtë nuk është e krijuar. Sahabët të çuditur thanë: “Subhanallah, lopa ka folë!!!” Në këtë Pejgamberi s.a.v.s., konstatoi: “Në këtë besoj unë, Ebu Bekri dhe Omeri!”
Pra, edhe pse sahabët tjerë ishin të sinqertë, prapëseprapë nuk kanë mundur, menjëherë dhe pa mund ta pranojnë këtë!
Nga kjo që theksuam shihet qartë se thirrësi i suksesshëm duhet ta njeh vetëdijen shpirtërore, intelektuale dhe politike të individit dhe shoqërisë ku vepron, nëse dëshiron të arrijë sukses.
Suksesiviteti në qasjen e njerëzve
Suksesiviteti i tij në fe ka qenë komponenta e cila ka dhënë rezultate të mëdha. Me këtë metodë i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., i ka pushtuar zemrat e njerëzve duke i lidhur për idenë të cilën e ka proklamuar.
Shembull më të mirë për këtë e gjejmë në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurirje r.a., për beduinin i cili duke mos njohur kulturën elementare të sjelljes, me që posa e kishte pranuar islamin, filloi të urinoj në xhami, për çfarë sahabët u ngritën që ta pengojnë. Kur e vërejti këtë Pejgamberi, s.a.v.s., urdhëroi që ta lejojnë ta kryej urinimin, e më pastaj kërkoi një enë me ujë duke e zbrazur në vendin ku urinoi beduini, e thirri dhe në mënyrë miqësore dhe vëllazërore i shpjegoi se xhamia nuk është vend për kryerjen e nevojave fizologjike, por vend (institucion) ku falet namazi, dhikri dhe lexohet Kur’ani.
Meqë sahabët fizikisht dëshironin ta pengojnë beduinin në aktin e përmendur, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s., e mbrojti nga qëllimet e tyre, në rivajetin tjetër përmendet se ky beduin, pas namazit ka thënë: “O All-llahu im më mëshiro mua dhe Muhammedin e askënd tjetër!”
Nga ky shembull në mënyrën më të bukur vërehet se njerëzve mund t’u qasemi në forma të ndryshme. Mënyra më e mirë është ajo që arrihet qëllimi e ky është: afrimi i njerëzve kah islami e jo largimi nga islami!
E vërteta, pra, mund të kumtohet në shumë mënyra. Muhammedi s.a.v.s., ka zgjedhë formën më të bukur, më praktike, më vepruese dhe më efikase, duke u inspiruar nga Kur’ani fisnik:
“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit”. (En Nahl, 125)
Përgatiti: Dr.Ali Iljazi
EDITOR
9 years ago
previous article
Dua të jem nënë e lumtur
you might also like
RIFILLON PROJEKTI “EUREKA” NË SHKUP DHE KËRÇOVË
13 hours ago
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
5 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
5 days ago