Dijetarët muslimanë kërkojnë nga iranianët të parandalojnë konfliktet mes muslimanëve dhe të heqin dorë nga xhirimi i filmit në të cilin synojnë shfaqjen e figurës së Pejgamberit Muhamed a.s.
Irani së shpejti do të fillojë xhirimin e një filmi artistik për Pejgamberin Muhamed a.s. dhe shokët e tij. Filmi do të quhet “Muhammed (S)” dhe do të ketë tre pjesë.
Pjesa e parë e filmit do të trajton fëmijërinë e Pejgamberit a.s., pjesa e dytë fillimin e shpalljes së Islamit dhe pjesa e tretë kohën pas shpalljes dhe përhapjes së Islamit. Problemi qëndron se iranianët kanë paralajmëruar se në film do të shfaqet figura Muhamedit a.s. Për herë të parë në histori, një aktori do të luaj rolin e Pejgamberit Muhamed a.s.
Vetë paralajmërimi i xhirimit të këtij filmi ka provokuar tashmë reagime në botën islame. Reagimi i parë vjen nga Unioni ndërkombëtar i dijetarëve muslimanë të cilët kanë theksuar se Teherani duhet të parandaloj një përpjekje të tillë të paarsyeshme, në përdhosjen e e figurës dhe veprës së Pejgamberit a.s.
Edhe dijetarët e Universitetit Al Azhar u kanë bërë thirrje Iranit të heq dorë nga xhirimi i këtij filmi, duke u kërkuar atyre që të parandalojnë konfliktet që me siguri do të ndodhin nëse filmi xhirohet.
Dijetarët muslimanë pajtohen se shfaqja e figurës së Pejgamberit a.s., ndalohet. “Shfaqja e figurës së Pejgamberit Muhamed a.s., është e ndaluar në çdo formë”, kanë deklaruar dijetarët nga Al Azhar.
Përveç shfaqjes së figurës së Pejgamberit a.s., dijetarët islamë janë shqetësuar edhe për gjasat e mundshme që iranianët në filmin e paralajmëruar të paraqesin versionin e tyre të jetës dhe veprës së Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij, ku nuk përjashtohet mundësia e fyerjes së disa ashabëve të Pejgamberit a.s./igj/