E-zani
Në një artikull domethënës, i shqetësuar se ne shqiptarët «rrallëherë i shtrojmë vetes  pyetjen se çfarë i kemi ofruar në të shkuarën dhe çfarë i ofrojmë Europës, civilizimit të saj, historisë së saj ushtarake dhe politike, kulturës, artit dhe shkrimit të saj», Agron Gjekmarkaj i rrëfen opinionit publik identitetin shqiptar dhe modelet që e karakterizojnë, por e ndërmerr këtë mision nëpërmjet këndvështrimit të huaj, duke nënkuptuar se shqiptaret nuk kanë asnjë mundësi propozimi tek Tjetri: vlen ajo çfarë Tjetri kërkon që Ne të shfaqim, por jo e kundërta.  Personazhi i përzgjedhur, opinioni i të cilit, sipas Gjekmarkajt, na qenka edhe imagjinata evropiane ndaj shqiptarëve, është Rocco Buttiglione:
«në prezantimin e tij tha: “Jam lindur dhe rritur afër një fshati arbëresh dhe qysh  i vogël kam dëgjuar për Skënderbeun që ata njerëz e lartësonin e nderonin si zot. Më vonë, gjatë studimit dhe njohjes së historisë së vendit tim dhe të Europës, kuptova që Skënderbeu ishte një nga mbrojtësit dhe figurat më të rëndësishme të civilizimit europian, ushtarak gjenial dhe politikan i papërsëritshëm, por shqiptarët mund të mburren që i dhanë Kishës Katolike dhe humanizmit botëror reformatoren më të madhe pas Shën Françeskut Nënë Terezën dhe po ky komb vital i dhuroi modernitetit dhe kulturës së tij Ismail Kadarenë  këtë gjeni të kohës sonë”. Pas këtij prezantimi ministri shqiptar e pati më të lehtë të besohej nga auditori dhe të sintonizohej me atmosferën e konferencës duke marrë një valë duartrokitjesh të nxehta».
Në sytë e Buttiglione-s shqiptarët kanë gjeneruar vetëm këto modele, me theks të dukshëm fetar. Gjekmarkaj e interpreton «duartrokitjen» ndaj ministrit si pranim në gjirin evropian sepse, thekson ai, në literaturën kontinentale «nuk gjejmë askund të na nderojnë për pashallarët e shumtë që i falëm Perandorisë Osmane, as për vezirët dhe kryevezirët që mburremi rëndom, as për arkitekt Sinanin që shkëlqeu duke ndërtuar objekte kulti në Stamboll». Ose duhet të prezantohemi në këtë mënyrë ose shumica e trashëgimisë kulturore shqiptare do të jetë një pengesë e qartë e integrimit evropian, për të mos thënë se ajo është një trup i huaj.
Si fillim duhet përcaktuar se çfarë kupton me Evropë ish-këshilltari i presidentit të republikës laike të Shqipërisë. Ai pohon «se Krishtërimi është një nga elementet identitarë mbi të cilin u themelua Europa» e kjo paradigmë e shtyn autorin të përzgjedhë ndërtimin e shqiptarëve nga Rocco Buttiglione. Por Gjekmarkaj, meqenëse është edhe edukator i studentëve, duhej të kishte seriozitetin t’i shpjegonte lexuesit se Buttiglione, si nxënës i Augusto Del Noce, filozofit italian të afërt me qarqet katolike, ka një eksperiencë politike në funksion të bindjeve të tija fetare dhe është i mirënjohur në Itali në këtë rol. Ndaj edhe ngjason njëlloj sikur të pyetet një profesor universitar në njerin nga universitetet e botës arabe se cilët janë shqiptarët me të njohur: është e qartë se Papa vendos në kulmin e hierarkisë së tij Nënë Terezën dhe jo Nasrudin Albanin apo Ferid Muratin.
Në fjalët e Buttiglione-s të përcjella nga Gjekmarkaj, për më tepër, del në pah njohja sipërfaqësore e rolit të Skënderbeut tek memoria e arbëreshëve. Në Rapsodie di un poema albanese, të përzgjedhura nga Jeronim De Rada nga tradita arbëreshe dhe të botuara në 1866, Skënderbeu përmendet në një rresht të këngës së XIX të librit I. Me sa duket Gjekmarkaj mund të bazohet në vizionin fetar dhe njohuritë e fëmijërisë së Buttiglione-s sepse Evropa e katekizmit të tij ndjek të njëjat gjurmë. Mirëpo as vetë profesori, ndonëse specialist i historisë së qytetërimeve, nuk e ka shumë të qartë historinë evropiane teksa pohon që:
«Harmonia dhe toleranca fetare për  të bashkëjetuar në realitetin e ri janë një vlerë e ofruar  gjithashtu si demostrimi më i mirë  i shpirtit europian të shqiptarëve në sintoni me fjalorin demokratik të Europës së sotme. Trios së madhe mund t’i bashkangjisim edhe këtë fakt dhe këtë cilësi».
Nëqoftëse Evropa njohu tolerancë fetare kjo erdhi nga përparimi i ideve iluministe që ishin në konflikt të hapur me institucionin e Kishës. Për ironi e vetmja qoshe e kontinentit ku heretikë, besimtarë, rryma e sekte të doktrinave të ndryshme mund të mbijetonin ishte pikërisht ai Ballkani osman i cili i hapi dyert të persekutuarve evropian. Kujtojmë këtu hebrenjtë që u stabilizuan në trevat shqiptare: persekutimi i tyre ishte vepër e institucioneve fetare evropiane, ndërsa strehimi u erdhi nga Porta e Lartë. Menjëherë pas zyrtarizimit krishtërimi e luftoi dhe e ndaloi paganizmin deri në zhdukjen e tij. Përkundrazi, ardhja e islamit në trevat shqiptare toleroi ekzistencën gjekmarkajve.
Por Gjekmarkaj ka amalgamuar nje «trio» të pamundur brenda identitetit individual. Kjo është akoma më groteske. Në dy fjali të njëpasnjëshme profesori hyn në konflikt me logjikën e vet:
«Skenderbeu “përvetësohet” si një luftëtar i madh për mbrojtjen e saj, si i krishteri me “K” të madhe. Nënë Tereza, murgesha katolike, bija e një kombi të vogël e të paragjykuar si i yni i ka dhënë shekullit që shkoi një përmasë të re duke sfiduar globalizmin kapitalist me doktrinën e dashurisë dhe mosperjashtimit të askujt».
Shtojmë ketu edhe emrin e Ismail Kadaresë, të cilin Gjekmarkaj e shpall model, dhe aporia është e plotësuar. Kështu, autori pranon nga njëra anë së Nënë Tereza vlen për mesazhit e dashurisë dhe mospërjashtimit, ndërsa nga ana tjetër promovon Skënderbeun që nuk veproi aspak sipas kësaj etike. Madje edhe vetë autori përjashton trashëgiminë osmane duke e inferiorizuar, sepse nuk qenka evropiane dhe të jesh evropian, peër Gjekmarkajn është vizë për Parajsë, ndërkohë që evropian me kulturë dhe fe ishin, ndër të tjerë, Musolini, Hitleri, Marksi, Millosheviçi, e nuk po shkojmë më larg në histori.
Shqiptarët e morën Skënderbeun si model lirie dhe mosnënshtrimi. Modeli i Nënë Terezës është totalisht i kundërt: nënshtrim deri në ekstrem, duke pritur vdekjen me lutje, duke kthyer faqen tjetër, qoftë, fjala bie, edhe ndaj serbëve apo osmanëve. Në këtë mënyrë modeli i Skënderbeut dhe ai i Nënë Terezës përjashtojnë njeri-tjetrin. Modeli Kadare pastaj i vendos kapakun. Ai është mishërimi i njeriut ambicioz që ngrihet mbi kurrizin e të tjerëve, në kundërshtim me Nënë Terezën; që kontribuon fuqishëm në ndërtimin e robërisë së shqiptarëve, në ndryshim nga Skënderbeu. Pra, shqiptari ose mund të jetë si Skënderbeu, rebel për hirë të idealeve, ose mund të jetë si Nënë Tereza, i nënshtruar për hirë të idealeve, ose si Kadare, rebel dhe i nënshtruar sipas interesave.
Gjekmarkaj nuk e pyet veveten si mund të bashkëjetojne këto tre modele “ideale”, pasi niset nga fija fetare që i lidh ato. Është tragjike të mendosh që intelektual të tillë, nga pozita komode në institucionet publike të shtetit laik, e prezantojnë vendin tonë, kulturën, popullin dhe shtetin përmes optikës politiko-fetare. Tre modeleve i duhet shtuar edhe (top)modeli Gjekmarkaj, që shqiptarëve i vjedh të kaluarën çdo ditë, si në forma të sofistikuara, ashtu edhe haptazi dhe rendomtë. Ja, ky model ka stafetën e enverizmit në edukimin e brezave dhe të përfaqësimit të shqiptarëve.