Me 2/3 e votave të anëtarëve të KQZ-së është vendosur që Lëvizja Islame Bashkohu të jetë pjesë e politikës vendore.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, Alban Krasniqi, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili tha se në bazë të rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike (ZRPP) është marrë vendimi për regjistrimin e subjektit në fjalë.
“Mbi 2/3 e të gjithë anëtarëve kanë qenë për, edhe pse është diskutuar mjaft për (mos) pajtueshmërinë me kushtetutën dhe zbrazëtirat ligjore që ekzistojnë në lidhje me regjistrimin dhe funksionimin e partive politike”, thotë Krasniqi.
Me arsyetimin se statuti i LISBA nuk është në kundërshtim me rregulloren përkatëse të KQZ-së, në këtë mbledhje është hedhur poshtë ankesa e tre qytetarëve kundër regjistrimit të “Bashkohu”-t, për të cilën Gazeta JNK ka shkruar të martën.
Lëvizja Islamike Bashkohu aplikoi më 1 shkurt të këtij viti në Komisionin Qendror Zgjedhor që të regjistrohet si subjekt politik me të drejtë garimi në zgjedhje parlamentare. Kjo lëvizje kishte aplikuar me akronimin LISBA që mbledh disa nga shkronjat e para të emrit të saj (Lëvizja Islamike Bashkohu).

 
Reagimet
 

Në dhjetor të vitit të kaluar, Lëvizja Islame Bashkohu kishte ndërprerë dhunshëm lancimin e një edicioni të revistës Kosova 2.0, kushtuar seksit.
Kryeredaktorja e kësaj reviste, Besa Luci, tha se nuk është parimore që LISBA të licencohet si subjekt politik, përderisa nuk kanë përfunduar hetimet që do të dëshmojnë se a ka qenë e implikuar apo jo në incidentet e dhunshme me rastin e lancimit të edicionit të katërt te Revistës Kosova 2.0.
“Retorika dhe veprimet e tyre bien ndesh me kushtetutën e vendit, e cila garanton lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut, të drejtën e asociimit, tubimit etj. Me ngjarjet e dhjetorit, dëshmuan se nuk mbështesin dhe respektojnë legjitimitetin e Kushtetutës së vendit”, tha Luci.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha se  ky institucion do të analizojë bazën ligjore që ka të bëjë me regjistrimin e kësaj Lëvizjeje.
“Momentalisht, nuk i kemi në dispozicion të gjitha dëshmitë dhe informatat për rastin”, tha ai.
Ndërkohë në Lëvizjen Islame Bashkohu nuk kanë marrë ende konfirmim zyrtar. “Akoma nuk kemi zyrtarisht njoftim nga KQZ-ja se jemi pranuar si subjekt politik andaj nuk mundem ta komentoj. Është ende herët të flasim për shkak se nuk kemi diçka zyrtare”, tha Arsim Krasniqi, nga LISBA